Thirrje urgjente për veprim institucional · Nënshkruaj peticionin ›

Fjalori Klimatik

Moti
Prishtinë: —°

Vala e të nxehtit në Evropë lidhen me mbi 1,300 vdekje

• June 30, 2026

Fotografia: Reuters

Vala e hershme dhe e paprecedentë e të nxehtit në Evropë mund të ketë shkaktuar qindra, madje mbi një mijë vdekje të tepërta, sipas paralajmërimit të kreut të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Në një postim në X, ai tha se më shumë se 1,300 vdekje të tepërta janë regjistruar që nga 21 qershori, të lidhura me temperaturat e larta në Evropë.

“Stresi nga nxehtësia shpesh quhet ‘vrasësi i heshtur’. Shtëpitë, vendet e punës dhe shkollat në Evropë nuk janë ndërtuar për këto temperatura”, deklaroi Tedros.

Sipas autoriteteve franceze, vetëm në Francë janë regjistruar rreth 1,000 vdekje më shumë se zakonisht që nga e mërkura. Shumica e viktimave janë persona mbi moshën 65 vjeç, ndërsa është shënuar edhe një rritje prej 40% e vdekjeve në shtëpi.

“Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në Tokë, me një ritëm dy herë më të lartë se mesatarja globale”, paralajmëroi Tedros.

Miliona njerëz në Evropë po përballen aktualisht me temperatura ekstreme. Shkollat janë mbyllur, rrjetet energjetike janë nën presion dhe sistemet shëndetësore po përballen me pasoja të drejtpërdrejta të krizës klimatike.

Të dielën, Gjermania regjistroi ditën më të nxehtë në historinë e saj për të tretën ditë radhazi, pasi në Coschen, afër kufirit me Poloninë, temperatura arriti në 41.7°C. Rekorde të reja u regjistruan edhe në Çeki dhe Poloni, ku temperaturat arritën përkatësisht 41.1°C dhe 40.5°C.

Sipas OBSH-së, kriza klimatike po e kthen atë që dikur quhej “valë e të nxehtit një herë në gjeneratë” në një fenomen pothuajse të përvitshëm.

Tedros u bëri thirrje shteteve evropiane që të zbatojnë plane emergjente për shëndetin gjatë valëve të të nxehtit, si pjesë e masave për mbrojtjen e qytetarëve nga ndikimet e ndryshimeve klimatike.

Në disa vende, autoritetet kanë marrë masa të jashtëzakonshme. Në Holandë u anulua festivali muzikor Defqon.1 pas shpalljes së alarmit të kuq për nxehtësi ekstreme. Në Paris, autoritetet ndaluan konsumimin e alkoolit në hapësira publike dhe anuluan marshimin e krenarisë për të mos e rënduar më tej shërbimin emergjent.

Në Francë, të paktën 74 persona janë mbytur që nga fillimi i valës së të nxehtit, kryesisht në lumenj, liqene dhe hapësira të pambikëqyrura ujore.

Ekspertët e motit e kanë lidhur këtë valë të nxehtit me fenomenin e njohur si “kupola e nxehtësisë”. Ky fenomen ndodh kur ajri zbret nëpër atmosferë, kompresohet dhe nxehet pranë sipërfaqes së tokës. Ajri i thatë pengon krijimin e reve, duke bërë që rrezatimi diellor ta ngrohë edhe më shumë tokën.

Kjo valë e të nxehtit nuk është vetëm ngjarje meteorologjike. Është krizë shëndetësore, sociale dhe klimatike. Ajo tregon se infrastruktura urbane, politikat publike dhe sistemet shëndetësore në Evropë nuk janë ende të përgatitura për realitetin e ri klimatik.

Drejtësia klimatike sot nënkupton mbrojtje të jetës, sidomos për të moshuarit, fëmijët, punëtorët në terren, personat me sëmundje kronike dhe qytetarët që jetojnë në banesa pa kushte të përshtatshme për temperatura ekstreme.