Parlamenti Evropian kërkon shfuqizimin e ligjit që lejoi ndërhyrjet në zonat e mbrojtura në Shqipëri
Strasburg – Parlamenti Evropian ka miratuar sot rezolutën mbi Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë 2025, duke shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosë–Nartë dhe duke theksuar se sundimi i ligjit dhe standardet mjedisore të Bashkimit Evropian janë kushte të panegociueshme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Në rezolutën e miratuar, eurodeputetët kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejuan zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda territoreve të mbrojtura dhe dobësuan mekanizmat e mbikëqyrjes mjedisore.
Parlamenti Evropian kërkoi gjithashtu vendosjen e një moratoriumi të menjëhershëm për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat që bien ndesh me standardet evropiane për mbrojtjen e natyrës dhe të sigurohet përputhshmëria e plotë me legjislacionin e BE-së.
Revolucioni i Flamingove arrin në Strasburg
Vendimi vjen në kohën kur mbi 100 mijë qytetarë shqiptarë kanë protestuar gjatë 18 ditëve të fundit kundër ndërhyrjeve në zonën e Vjosë–Nartës, në atë që tashmë është njohur ndërkombëtarisht si “Revolucioni i Flamingove”.
Protestat shpërthyen pas nisjes së punimeve në një nga ekosistemet më të rëndësishme të Mesdheut, ku sipas organizatave mjedisore janë dëmtuar pyje, dunat bregdetare dhe habitate të mbrojtura pa transparencë publike dhe pa vlerësim të ndikimit në mjedis.
Rezoluta e Parlamentit Evropian shpreh shqetësim edhe për Ligjin shqiptar për Investimet Strategjike, duke paralajmëruar se procedurat e përshpejtuara të lejeve mund të anashkalojnë kontrollin mjedisor në zona ekologjikisht të ndjeshme.
Kritikë ndaj reagimit të Komisionit Evropian
Votimi i sotëm vendos Parlamentin Evropian në një pozicion më kritik se Komisioni Evropian lidhur me zhvillimet në Vjosë–Nartë.
Më 15 qershor, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se kishte marrë garanci nga qeveria shqiptare se do të realizohej një vlerësim i ndikimit në mjedis. Megjithatë, organizatat mjedisore argumentojnë se punimet kanë nisur tashmë pa leje të vlefshme, pa transparencë dhe pa një proces të mëparshëm të vlerësimit mjedisor.
Sipas tyre, Parlamenti Evropian ka treguar një angazhim më të madh për mbrojtjen e legjislacionit evropian sesa vetë Komisioni.
Një zonë me rëndësi evropiane
Peizazhi i Mbrojtur Vjosë–Nartë përbën një nga sistemet deltore më të paprekura të Mesdheut. Zona strehon mbi 200 lloje shpendësh dhe më shumë se 70 specie të rrezikuara, ndërsa ndodhet në një nga korridoret më të rëndësishme migratore të Evropës.
Ajo shërben gjithashtu si habitat për fokën mesdhetare dhe breshkën detare Caretta caretta, specie të mbrojtura nga legjislacioni evropian dhe ndërkombëtar.
Organizatat mjedisore paralajmërojnë se dëmtimi i këtij ekosistemi nuk është vetëm një çështje kombëtare, por një problem që prek gjithë rrjetin evropian të biodiversitetit.
Dyshime për shkelje të detyrimeve të integrimit evropian
Sipas organizatave PPNEA dhe BirdLife Europe, që nga fillimi i majit 2026 punimet në zonën e mbrojtur kanë vijuar pa publikimin e projektit, pa konsultim publik, pa vlerësim të ndikimit në mjedis dhe pa leje të vlefshme.
Këto zhvillime konsiderohen në kundërshtim me detyrimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të procesit të integrimit evropian, si në fushën e mjedisit ashtu edhe në kapitujt që lidhen me sundimin e ligjit.
Kontestimet lidhen edhe me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, ndërtimi i të cilit nisi në vitin 2021 brenda të njëjtit kompleks ekologjik.
“Mbrojtja e natyrës dhe demokracisë janë e njëjta betejë”
Joni Vorpsi, drejtues i Politikave dhe Avokimit në PPNEA, e cilësoi rezolutën si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e Vjosë–Nartës.
“Thirrja e Parlamentit Evropian për një moratorium të menjëhershëm është pikërisht ajo që nevojitet. Ajo u jep institucioneve shqiptare kohën dhe qartësinë për t’u harmonizuar me standardet evropiane dhe për të shmangur gabime të pakthyeshme që do të dëmtonin rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian,” deklaroi ai.
Ndërkohë, Anouk Puymartin nga BirdLife Europe tha se votimi i sotëm është një mesazh i qartë se anëtarësimi në BE nuk mund të ecë paralelisht me shkatërrimin e ligatinave të mbrojtura.
“Qytetarët shqiptarë që protestojnë në Tiranë e kanë kuptuar tashmë se mbrojtja e natyrës dhe mbrojtja e demokracisë janë e njëjta betejë. Sot, këtë e tha edhe Parlamenti Evropian,” theksoi ajo.
Sinjal për të gjithë Ballkanin Perëndimor
Rezoluta e miratuar në Strasburg konsiderohet gjithashtu një sinjal për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Eurodeputetët paralajmërojnë se legjislacione që lejojnë zhvillime ekonomike brenda zonave të mbrojtura dhe anashkalojnë mbrojtjen e biodiversitetit janë të papajtueshme me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian.
Për herë të parë që nga nisja e protestave, kërkesat e qytetarëve dhe organizatave mjedisore shqiptare janë reflektuar drejtpërdrejt në një dokument zyrtar të Parlamentit Evropian, duke e shndërruar çështjen e Vjosë–Nartës nga një debat kombëtar në një çështje evropiane.