Për Ditën e Tokës, “7 Arte” flasin “gjelbër”

Shkruan: Fisnik Dajakaj

22 prilli, që njihet si Dita e Tokës, 7 Arte duket se i sublimon në një art të vetëm: ruajtjen dhe promovimin e mjedisit të shëndetshëm. Mbi premisën se ne jemi ajo se çka bëjmë në dobi të natyrës, kjo organizatë, me vendndodhje në Mitrovicë të Jugut, vijon të jetë përçues i zëshëm i çështjeve mjedisore.

Edhe të mërkurave si djeshmja, me shi, ata i gjen terreneve duke e pastruar hapësirën përreth nga mbeturinat. Këto aktivitete, sipas Diellëza Jëlliqit – udhëheqëse e PR në “7 Arte”, janë bërë të përhershme. Përveç të tjerash, ajo përmend edhe mbjelljen e druve në parqe e oborre të shkollave fillore, që japin një simbolikë dhe mesazh të fortë për rritjen e hapësirave të gjelbra.

Ne si 7 Arte, gjatë përvjetorëve të Ditës së Tokës, bëjmë aktivitete të ndryshme në shërbim të idesë së rritjes së hapësirave të gjelbra. Me raste, mbjellim drunj/pemë në oborre të shkollave fillore dhe hapësira publike të cilat i vendosim në bashkëpunim me komunën. Sot, për shembull, jemi angazhuar në një aktivitet pastrimi përreth zyrave tona”, u shpreh fillimisht ajo.

Po ashtu, Jëlliqi bëri të ditur se sot “7 Arte” ka arritur marrëveshje me Drejtorinë e Mjedisit dhe Mbrojtjes së Pyjeve në komunën e Mitrovicës për realizimin e fushatave ndërgjegjësuese dhe aktiviteteve edukative që kanë në fokus çështjet mjedisore. Ajo pos të tjerash foli edhe për gamën më të gjerë ta veprimtarisë së kësaj organizate në shërbim hapësirave të gjelbra, e që kanë kohështrirje përtej 22 prillit.

Si 7Arte, kemi një program të veçantë dedikuar çështjeve mjedisore, përmes së cilit organizojmë aktivitete përgjatë gjithë vitit. Ky program përfshin punëtori edukative me nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, intervenime në hapësira publike si mbjellja e drunjve në zona të ndryshme të qytetit (përfshirë edhe shkollat), aksione mjedisore dhe integrimin e tematikave mjedisore në trajnimet kreative që i ofrojmë për të rinjtë. Gjithashtu kontribuojmë në hartimin e politikave lokale për mjedisin. Kurse, një nga aktivitetet tona kryesore është Mitrovica Green Fest, i cili organizohet çdo vit dhe fokusohet në një nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë festivalit zhvillojmë aktivitete kulturore dhe edukative për ndërgjegjësim, si Green Talks me ekspert mjedisor, punëtori për të rinjtë dhe fëmijët, aktivitete në natyrë si ecje, çiklizëm, kajak, yoga etj., për ta forcuar lidhjen me mjedisin, si dhe promovim të standardeve të gjelbra përmes praktikave si riciklimi dhe ndërgjegjësimi publik”, theksoi ajo.

Jëlliqi, për fund la një porosi për aktivizëm shoqëror kur flitet për natyrën, pasi – siç thotë ajo çështja mjedisore është pikë së pari çështje kulturore.

Ne konsiderojmë se çështja mjedisore, pikë së pari është çështje kulturore, andaj përpjekjet tona synojnë ndryshimin e sjelljeve të shoqërisë apo komuniteteve në mjedis. Një proces që zgjatë dhe kërkon konsistencë, e mbi të gjjtha bashkëpunim ndërsektorial”, përfundoi Jëlliqi.

Ngjashëm sikur “7 Arte”, edhe kolegji publik IBCM merr iniciativa të tilla për Ditën e Tokës, që kanë në fokus të promovuarit e gjelbërimit dhe jetës së shëndetshme.

Shpërndaje:

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Telegram
Email

Thirrje urgjente për veprim institucional dhe përgjegjësi publike