Si ndryshimi i ligjit, investimi i Kushnerit dhe rezistenca qytetare e kthyen Nartën, Zvërnecin dhe Sazanin në simbol të mbrojtjes së natyrës në Shqipëri
Nga redaksia e Platforma360
Kur mijëra qytetarë dolën në rrugët e Tiranës më 3 qershor 2026 duke mbajtur Flamingo gome të fryra në duar, shumëkush e pa protestën si një reagim kundër një resorti luksoz.
Por ajo që po ndodh në Nartë, Zvërnec dhe Sazan nuk filloi në qershor të vitit 2026. Nuk filloi as me vendosjen e gardheve me tela me gjemba, as me Jared Kushnerin dhe as me Ivanka Trump.
Historia fillon të paktën dy vite më herët, me një vendim politik që për shumë organizata mjedisore ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si shteti shqiptar e trajton natyrën.
Në vitin 2023, Shqipëria u lavdërua ndërkombëtarisht pasi Lumi Vjosa u shpall Parku i parë Kombëtar i Lumit të Egër në Evropë. Qeveria shqiptare e prezantoi këtë si një fitore historike për mbrojtjen e biodiversitetit dhe si dëshmi se Shqipëria mund të bëhej model rajonal për ruajtjen e natyrës.
Fotografitë e Vjosës bënë xhiron e botës, organizatat ndërkombëtare të mjedisit e përshëndetën vendimin, ndërsa Shqipëria u paraqit si histori suksesi.
Për të kuptuar revoltën e sotme, duhet të kthehemi në shkurt të vitit 2024.
Kronologjia e konfliktit nuk fillon me protestat e vitit 2026-të, por qysh në shkurt të vitit 2024, kur Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin Nr. 21/2024 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 81/2017 ‘Për Zonat e Mbrojtura'”. Ndryshimet ligjore prekën kuadrin kryesor që rregullon administrimin, përdorimin dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura në Shqipëri. Sipas organizatave mjedisore vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë PPNEA, EcoAlbania, BirdLife International, EuroNatur dhe Wetlands International, këto ndryshime dobësuan standardet ekzistuese të mbrojtjes natyrore dhe krijuan mundësi të reja për zhvillime turistike, infrastrukturore dhe ekonomike brenda territoreve të mbrojtura.
Aktivistët dhe njohësit e politikave mjedisore argumentojnë se ndryshimet në Ligjin Nr. 81/2017 shënuan një zhvendosje të rëndësishme nga filozofia e ruajtjes së natyrës drejt asaj të shfrytëzimit ekonomik të saj. Sipas tyre, ligji i ri mundësoi rishikimin e kufijve të zonave të mbrojtura, lejoi aktivitete që më parë konsideroheshin të papajtueshme me statusin e mbrojtjes dhe krijoi bazën ligjore që më vonë do të përdorej për të promovuar investime të mëdha turistike në territore me rëndësi të lartë ekologjike.
Pikërisht për këtë arsye, shumë organizata mjedisore e konsiderojnë miratimin e Ligjit Nr. 21/2024 si pikën e parë të kronologjisë së asaj që sot po zhvillohet në Nartë, Zvërnec dhe Sazan. Për ta, konflikti aktual nuk është vetëm debat mbi një resort luksoz, por pasojë direkte e një vendimi politik dhe ligjor që ndryshoi mënyrën se si shteti shqiptar i trajton zonat e mbrojtura dhe pasuritë natyrore të vendit.
Sipas tyre, ndryshimet e reja ligjore dobësuan mbrojtjen ekzistuese të zonave të mbrojtura dhe krijuan mundësi për zhvillime turistike, infrastrukturore dhe energjetike brenda territoreve që më parë kishin kufizime shumë më të forta.
Për herë të parë, u hap mundësia që kufijtë e zonave të mbrojtura të rishikoheshin dhe të përshtateshin sipas projekteve zhvillimore.
Pikërisht në këtë kontekst, gjatë vitit 2024, pak muaj pas ndryshimeve ligjore, Jared Kushner, dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump, njoftoi projektin e tij ambicioz për Shqipërinë. Përmes kompanisë Affinity Partners, ai prezantoi një investim që sipas raportimeve ndërkombëtare arrin deri në 1.4 miliardë euro, ndërsa në debatin publik shqiptar shifra shpesh përmendet deri në 4 miliardë euro për zhvillimin e plotë afatgjatë të zonës. Projekti përfshin Ishullin e Sazanit dhe një pjesë të konsiderueshme të bregdetit pranë Nartës dhe Zvërnecit.
Për investitorët, projekti paraqitet si një mundësi historike për ekonominë shqiptare, ndërsa për qytetarët kjo përfaqëson rastin më të madh të transformimit privat të një zone të mbrojtur në historinë moderne të vendit.
Në qendër të debatit ndodhet peizazhi i mbrojtur Vjosa-Nartë, një territor unik ku ndërthuren lagunat, dunat ranore, pyjet bregdetare dhe ekosistemet detare. Kjo zonë strehon qindra specie shpendësh migratorë.
Flamingot që sot janë bërë simbol i protestës janë tregues biologjikë të shëndetit të ekosistemit. Në të njëjtën zonë gjenden breshkat detare, foka mesdhetare dhe një nga korridoret më të rëndësishme migratore në Adriatik.
Për vite të tëra, organizatat mjedisore kanë argumentuar se kjo zonë duhet të trajtohet si pasuri kombëtare dhe jo si hapësirë për urbanizim masiv. Por, ardhjen e pranverës 2026 debati mori një dimension të ri.
Ivanka Trump deklaroi publikisht se e kishte “zbuluar” Sazanin gjatë një udhëtimi me varkë.
Në shumë vende kjo deklaratë mund të kalonte pa vëmendje. Por, në Shqipëri ndodhi e kundërta. Shumë qytetarë reaguan duke theksuar se Sazani nuk është një territor anonim që pret të zbulohet nga investitorët e huaj dhe se ishulli ka qenë pjesë e historisë ushtarake, politike dhe kulturore të Shqipërisë për dekada.
Brenda pak ditësh, rrjetet sociale u mbushën me mesazhin: “Sazani nuk u zbulua nga Ivanka Trump.”
Për herë të parë, projekti nisi të perceptohej jo vetëm si çështje mjedisore, por edhe si çështje identitare dhe sovraniteti.
Megjithatë, momenti që e nxori konfliktin nga interneti dhe e çoi në terren nisi në maj 2026, ku banorët e Zvërnecit raportuan vendosjen e gardheve të mëdha me tela me gjemba në zonën ku planifikohej zhvillimi turistik.
Pamjet u shpërndanë menjëherë, për shumë qytetarë, gardhet simbolizonin diçka shumë më të madhe sesa një kantier, më saktë simbolizonin kufizimin fizik të një territori publik, idenë se natyra po ndahej nga komuniteti. Në këto linja, aktivistët filluan ta quajnë këtë proces “privatizimi i natyrës”.
Më 31 maj 2026 situata shpërtheu.
Qindra qytetarë, ekologë, aktivistë dhe banorë lokal u mblodhën në Zvërnec për të kundërshtuar projektin dhe pamjet që qarkulluan më pas në media dhe rrjete sociale u bënë katalizatori i revoltës.
Një protestues u filmua duke u tërhequr zvarrë nga persona të maskuar dhe të veshur me të zeza dhe kështu nisi përplasje me roje private, madje u raportuan edhe të lënduar.
Reuters, Associated Press, Deutsche Welle, Al Jazeera dhe media të tjera ndërkombëtare nisën të raportojnë mbi konfliktin, ndërsa mediat nacionale të Shqipërisë nuk po i jepnin theksin bazë. Ajo që deri atëherë ishte një protestë lokale në bregdetin e Vlorës u shndërrua në lajm ndërkombëtar, ndërkohë organizatat mjedisore intensifikuan deklaratat e tyre.
Organizata PPNEA paralajmëroi se projekti mund të krijojë një zhvillim të krahasueshëm me një qytet të ri me rreth 10 mijë dhoma hotelerie. BirdLife International deklaroi se ndërhyrjet kërcënojnë një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët migratorë në Evropë. EcoAlbania argumentoi se po krijohej një precedent i rrezikshëm për trajtimin e zonave të mbrojtura në Shqipëri.
Por, më 3 qershor ndodhi diçka që askush nuk e kishte parashikuar.
Protesta mbërriti në Tiranë dhe mijëra qytetarë marshuan para Kryeministrisë së Shqipërisë, teksa në pankarta shkruhej: “Shqipëria nuk është në shitje”, “Nuk privatizohet atdheu”, “Nuk e dua Shqipërinë si Dubai”, “Ndaloni shkatërrimin e Nartës”, madje në protestë u panë edhe slogane që kritikonin njëkohësisht të gjithë elitën politike shqiptare, duke treguar se lëvizja po pozicionohej përtej ndarjeve tradicionale partiake “Edi Rama në burg. Sali Berisha në burg”.
Në atë moment flamingoja u shndërrua në simbol, një shpend migrator u bë simbol politik, ndërsa një lagunë u bë simbol rezistence dhe një zonë e mbrojtur e ligje ndërkombëtare u bë simbol i debatit për të ardhmen e Shqipërisë.
Në të njëjtën ditë Kryeministri Edi Rama reagoi publikisht se Shqipëria duhet të mbetet mikpritëse ndaj investitorëve dhe se vendi nuk duhet të marrë reputacionin e një shteti ku investimet pengohen nga protesta.
Më pas dha deklaratën që do të qarkullonte në të gjitha mediat: “Nuk ka absolutisht asnjë mundësi që ky investim të ndalet për aq kohë sa unë jam këtu.”
Për aktivistët, kjo deklaratë u interpretua si konfirmim se beteja sapo kishte filluar.
Dhe pikërisht për këtë arsye, ajo që nisi si protestë kundër një projekti turistik është shndërruar në një debat kombëtar për demokracinë, transparencën, drejtësinë mjedisore dhe sovranitetin mbi pasuritë natyrore.
Në Shqipërinë e vitit 2026, flamingot nuk janë më vetëm shpendë të lagunës së Nartës, ato tashmë janë bërë simboli i një revolte qytetare. Simboli i asaj që shumë aktivistë tashmë e quajnë: Revolucioni i Flamingove.


Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Mbështetje për Mediat e Vogla në Ballkanin Perëndimor, i zbatuar nga Kosovo Glocal / Kosovo 2.0. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet, opinionet ose vlerat e Bashkimit Evropian apo të Kosovo Glocal / Kosovo 2.0.