Shkruan: Jeta Berisha
Për një kohë të gjatë dhe në shumë redaksi, madje edhe sot, gazetaria e klimës është reduktuar gabimisht në leximin e parashikimit të motit. Raportimi është kufizuar në temperatura ditore, reshje, erë dhe ikona grafike, pa asnjë kontekst shpjegues mbi shkaqet strukturore dhe pasojat afatgjata. Kjo qasje ka krijuar një keqkuptim të rrezikshëm: perceptimin se ndryshimet klimatike janë thjesht variacione sezonale dhe jo transformime të thella të sistemeve natyrore dhe shoqërore.
Duke e trajtuar klimën si mot ditor, media ka kontribuar në normalizimin e rrezikut, duke e zhveshur krizën klimatike nga dimensioni i saj social, ekonomik dhe shëndetësor. Ky reduktim narrativ e ka shtyrë publikun të presë “një mot më të mirë nesër”, në vend që të kuptojë se përballë kemi një transformim afatgjatë të kushteve të jetesës. Në këtë kuptim, gazetaria klimatike dështon nga mënyra se si të dhënat përkthehen ose nuk përkthehen për publikun.
Paradoksi bëhet edhe më i dukshëm kur krahasohet me realitetin shkencor.
Viti 2025 ishte një tjetër vit rekordesh klimatike. Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), periudha 2015–2025 përbën njëmbëdhjetë vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë. Vetë viti 2025 u rendit ndër vitet më të nxehta në histori, me temperaturë mesatare globale rreth 1.43°C mbi nivelin para-industrial. Valët e të nxehtit, përmbytjet, thatësirat dhe reshjet ekstreme shkaktuan dëme të mëdha ekonomike dhe sociale në të gjitha kontinentet.
Kriza klimatike nuk matet më vetëm me temperaturën e ajrit e ka dëshmuar edhe Raporti State of the Global Climate 2025 i WMO-së, ku tregon se planeti po përjeton një çekuilibër energjetik rekord, fenomen që shkencëtarët e konsiderojnë një nga treguesit më të qartë të përshpejtimit të ngrohjes globale. Sasia e energjisë që Toka po ruan në sistemin e saj klimatik është më e larta e regjistruar ndonjëherë, duke ndikuar drejtpërdrejt në atmosferë, oqeane, akullnaja dhe ciklet e reshjeve në gjithë botën.
Oqeanet po mbajnë pjesën më të madhe të këtij ngarkimi klimatik, rreth 90% e nxehtësisë së tepërt të krijuar nga gazrat serrë absorbohet nga oqeanet, të cilat në vitin 2025 regjistruan temperaturat më të larta të dokumentuara ndonjëherë. Për të nëntin vit radhazi, përmbajtja e nxehtësisë në oqean arriti nivel rekord, ndërsa ritmi i ngrohjes së tyre është më shumë se dyfishuar krahasuar me gjysmën e dytë të shekullit XX.
Në të njëjtën kohë, niveli global i detit po rritet me ritmin më të shpejtë të matur ndonjëherë. Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se qindra miliona njerëz që jetojnë në zona bregdetare mund të përballen me përmbytje të shpeshta, humbje të tokës bujqësore dhe zhvendosje të detyruar gjatë dekadave të ardhshme. Vetëm në 30 vitet e fundit, ritmi i rritjes së nivelit të detit është më shumë se dyfishi.
Paralelisht, përqendrimet atmosferike të dioksidit të karbonit, metanit dhe oksidit të azotit vazhdojnë të arrijnë nivele rekord. Sipas WMO-së, përqendrimi i CO₂ në atmosferë ka arritur vlera që nuk janë regjistruar për të paktën 800 mijë vjet në historinë e Tokës. Shkencëtarët paralajmërojnë se aftësia e pyjeve, tokës dhe oqeaneve për të absorbuar karbon po dobësohet gradualisht, duke e bërë edhe më të vështirë frenimin e ngrohjes globale.
Në të njëjtën kohë, observatori evropian Copernicus raportoi se periudha 2023–2025 ishte hera e parë në historinë moderne që temperatura globale qëndroi për tre vite radhazi mbi pragun simbolik prej 1.5°C të Marrëveshjes së Parisit. Më shumë se gjysma e popullsisë së botës përjetoi ditë me stres ekstrem termik, ndërsa ngjarjet klimatike shkaktuan mbi 17 mijë viktima dhe dëme ekonomike që tejkaluan 220 miliardë dollarë vetëm gjatë vitit 2025.
Në fund të majit 2026, Franca u përball me një nga valët më të hershme dhe më intensive të të nxehtit të regjistruara ndonjëherë. Temperaturat arritën nivele rekord për muajin maj, ndërsa autoritetet franceze konfirmuan shtatë viktima të lidhura me episodin ekstrem të nxehtësisë. Dhjetëra persona të tjerë përfunduan në spitale gjatë aktiviteteve sportive dhe ngjarjeve publike, ndërsa alarmet për valët e të nxehtit u aktivizuan në disa rajone të vendit. Shkencëtarët e lidhën ngjarjen me tendencën e rritjes së frekuencës dhe intensitetit të valëve ekstreme të të nxehtit në Evropë.
Raportet e WMO-së për ciklin global të ujit tregojnë se dy të tretat e baseneve lumore në botë po përjetojnë kushte anormale, ose më të thata ose më të lagështa se normalja. Ky ishte viti i gjashtë radhazi që sistemi hidrologjik global funksiononte jashtë parametrave historikë. Miliona njerëz janë zhvendosur nga përmbytjet dhe thatësirat, ndërsa Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se deri në mesin e shekullit numri i njerëzve që përballen me mungesë uji mund të arrijë pesë miliardë.
Përtej kostove mjedisore, kriza klimatike po shndërrohet gjithnjë e më shumë në krizë ekonomike dhe shëndetësore. Sipas kompanisë globale të risigurimeve Munich Re, fatkeqësitë natyrore shkaktuan rreth 224 miliardë dollarë dëme gjatë vitit 2025. Vetëm humbjet e siguruara tejkaluan 100 miliardë dollarë për të gjashtin vit radhazi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se ndryshimet klimatike mund të shkaktojnë rreth 250 mijë vdekje shtesë çdo vit ndërmjet viteve 2030-2050 nga kequshqyerja, malaria, diarrea dhe stresi termik. Ndërkohë, revista shkencore The Lancet ka dokumentuar se ekspozimi ndaj valëve ekstreme të të nxehtit po rritet në pothuajse të gjitha rajonet e botës, duke prekur veçanërisht të moshuarit, fëmijët dhe komunitetet me të ardhura të ulëta.
Megjithatë, pikërisht në momentin kur shkenca prodhon më shumë prova se kurrë për përshpejtimin e krizës klimatike, media po i kushton gjithnjë e më pak vëmendje asaj.
Analiza më e fundit e Media and Climate Change Observatory (MeCCO), një nga monitorimet më të mëdha globale të raportimit klimatik, tregon se mbulimi mediatik i ndryshimeve klimatike ra me 14% gjatë vitit 2025 krahasuar me vitin paraprak. Krahasuar me kulmin e vitit 2021, raportimi global për klimën është tashmë 38% më i ulët. Studiuesit e lidhin këtë rënie me presionet ekonomike mbi mediat, reduktimin e redaksive, konkurrencën me tema të tjera politike dhe zhvendosjen e vëmendjes publike drejt krizave afatshkurtra.
Paradoksi është i qartë, sa më shumë që kriza klimatike hyn në jetën e përditshme të njerëzve, aq më pak hapësirë zë ajo në lajme.
Kjo rënie e vëmendjes mediatike nuk po ndodh sepse kriza është zgjidhur. Përkundrazi. Por, po ndodh tek sa emetimet globale vazhdojnë të rriten, përqendrimet e gazrave serrë arrijnë nivele rekord dhe katastrofat klimatike prekin miliona njerëz çdo vit.
Në vend që të analizohen politikat klimatike, emetimet, humbja e biodiversitetit, siguria ushqimore, shëndeti publik apo drejtësia klimatike, raportimi shpesh kufizohet në pasojën e dukshme të momentit. Kriza shfaqet në ekran vetëm kur ndodh katastrofa dhe zhduket sapo largohet kamera.
Kjo prirje reflektohet edhe në Ballkan.
Pavarësisht se rajoni konsiderohet një nga zonat më të cenueshme në Evropë ndaj ndryshimeve klimatike, temat klimatike vazhdojnë të trajtohen sporadikisht dhe kryesisht si lajme të lidhura me motin. Raportet e Komisionit Evropian dhe Agjencisë Evropiane të Mjedisit paralajmërojnë se Ballkani Perëndimor po ngrohet më shpejt sesa mesatarja globale, me rritje të temperaturave, thatësira më të shpeshta, humbje të biodiversitetit dhe rritje të rreziqeve për shëndetin publik.
Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë. Temperaturat evropiane po rriten rreth dy herë më shpejt sesa mesatarja globale, ndërsa Evropa Juglindore identifikohet si një nga rajonet më të ekspozuara ndaj valëve ekstreme të të nxehtit, mungesës së ujit dhe ritmit të zjarreve. Në rajonin mesdhetar, humbja e biodiversitetit dhe degradimi i ekosistemeve konsiderohen tashmë rreziqe sistemike për ekonominë dhe sigurinë njerëzore.
Për Ballkanin Perëndimor, këto projeksione nuk janë më skenarë të së ardhmes. Rajoni është përballur me thatësira rekord, përmbytje shkatërruese, zjarre masive pyjore dhe rënie të disponueshmërisë së ujit. Sektorët më të ndjeshëm, si bujqësia, energjia dhe shëndeti publik, po raportojnë ndikime të drejtpërdrejta nga ndryshimet klimatike. Megjithatë, këto procese rrallë trajtohen si pjesë e të njëjtit fenomen në raportimin mediatik.
Së fundmi, kur debati për Nartën, Zvërnecin dhe peizazhin e mbrojtur Vjosa–Nartë dominoi diskursin publik në Shqipëri, u ekspozua një boshllëk i rëndësishëm në raportimin mjedisor rajonal. Ndërsa mijëra qytetarë protestonin, studiues, biologë, arkeologë dhe organizata vendore e ndërkombëtare paralajmëronin për rreziqet ndaj biodiversitetit dhe trashëgimisë natyrore, një pjesë e konsiderueshme e hapësirës që tradicionalisht identifikohet si gazetari mjedisore mbeti pothuajse e padukshme në debat.
Në vend të analizave mbi ndikimet ekologjike, procedurat ligjore, vlerësimet mjedisore apo konfliktet e interesit, vëmendja shpesh u zhvendos drejt komunikimit institucional, promovimit të projekteve, aktiviteteve organizative dhe profileve individuale.
Në shumë raste, emisionet ekologjike nuk funksionojnë më si hapësira llogaridhënieje, por si hapësira prezantimi. Problemi mjedisor zhvendoset në plan të dytë, ndërsa në qendër vendosen individë, organizata, kompani apo projekte. Pyetjet kritike zëvendësohen nga biseda komode. Analiza zëvendësohet nga promovimi, ndërsa konflikti mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së natyrës shmanget në favor të narrativave pozitive dhe të sigurta.
Pikërisht në këtë terren lulëzon greenwashing apo mashtrimi i gjelbër. Sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), pretendimet e pabazuara mjedisore janë rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, veçanërisht në sektorët e energjisë, ndërtimit, turizmit dhe financave. Studiuesit e komunikimit klimatik e konsiderojnë mashtrimin e gjelbër një nga format më të sofistikuara të dezinformimit modern, sepse kjo formë nuk mohon krizën klimatike, por e përdor atë si mjet marketingu dhe minimizon fenomenin duke u thirrë në anën tjetër të medaljes.
Kjo është arsyeja pse studiuesit e komunikimit klimatik flasin gjithnjë e më shpesh për një paradoks të epokës sonë: sa më shumë përparon shkenca klimatike, aq më e vështirë bëhet depërtimi i saj në diskursin publik. Asnjëherë më parë njerëzimi nuk ka pasur kaq shumë të dhëna për gjendjen e planetit. Asnjëherë më parë nuk janë publikuar kaq shumë raporte shkencore, modele klimatike dhe projeksione afatgjata. Megjithatë, hendeku mes asaj që di shkenca dhe asaj që kupton publiku mbetet i madh.
Këtu lind gazetaria klimatike si disiplinë më vete. Jo si gazetari e motit dhe as si gazetari e katastrofës, por si gazetari që lidh shkencën me përditshmërinë, shifrën me njeriun, biodiversitetin me ekonominë dhe politikat me pasojat reale në terren.
Udhëzimet e UNFCCC për Action for Climate Empowerment theksojnë se informimi, edukimi dhe pjesëmarrja e barabartë janë parakushte për politika klimatike funksionale. Por kur informacioni nuk arrin te të gjithë ose arrin i pakuptueshëm, gazetaria bëhet hallka e fundit mes rrezikut dhe shoqërisë.
Duke vlerësuar raportet e Kombeve të Bashkuara, e cilësojnë krizën klimatike si kërcënimin më të madh për sigurinë njerëzore dhe kur IPCC vlerëson se 3.3 deri në 3.6 miliardë njerëz jetojnë në kontekste shumë të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike, gazetaria klimatike është domosdoshmëri publike.


Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Mbështetje për Mediat e Vogla në Ballkanin Perëndimor, i zbatuar nga Kosovo Glocal / Kosovo 2.0. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet, opinionet ose vlerat e Bashkimit Evropian apo të Kosovo Glocal / Kosovo 2.0.