Burimi: BCC UK
Deri para pak vitesh, temperaturat mbi 40°C konsideroheshin fenomene të rralla për Evropën. Sot ato po bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Italia e ka quajtur valën e fundit të të nxehtit settimana infernale – “java ferr”, ndërsa temperatura rekord janë regjistruar në disa kontinente njëkohësisht. Vetëm në Evropë, vala e të nxehtit e vitit 2022 u lidh me rreth 60 mijë vdekje të parakohshme, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se ekstremet klimatike tashmë përbëjnë një nga kërcënimet më serioze për shëndetin publik.
Ndryshimet klimatike nuk janë më një skenar i së ardhmes. Ato po ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si funksionon trupi ynë.
Në Universitetin e Uellsit Jugor, një eksperiment i realizuar në një laborator klimatik tregoi se sa shpejt organizmi fillon të lodhet kur ekspozohet ndaj temperaturave të larta. Një gazetar u vendos në një dhomë ku temperatura u rrit gradualisht nga 21°C në 35°C dhe më pas në 40.3°C, temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar.
Edhe pse qëndroi ulur dhe nuk kreu asnjë aktivitet fizik, organizmi i tij reagoi menjëherë. Lëkura u skuq, djersitja u shtua ndjeshëm, ritmi i zemrës u përshpejtua dhe trupi humbi më shumë se një të tretën e një litri ujë brenda më pak se një ore. Zemra po pomponte rreth një litër gjak më shumë në minutë sesa në temperaturën normale të ambientit, vetëm për të mbajtur temperaturën e organeve jetësore pranë 37°C.
Ky është mekanizmi mbrojtës i trupit. Hipotalamusi, pjesa e trurit që funksionon si termostat biologjik, aktivizon zgjerimin e enëve të gjakut dhe prodhimin e djersës për të larguar nxehtësinë. Megjithatë, ky proces kërkon një përpjekje të jashtëzakonshme fiziologjike. Sa më shumë gjak të dërgohet drejt lëkurës për t’u ftohur, aq më pak furnizim mbetet për organe të tjera, përfshirë trurin. Në eksperiment u vu re edhe ulje e kujtesës afatshkurtër dhe e aftësisë për t’u përqendruar.
Shkencëtarët theksojnë se ndryshimi nga 35°C në 40°C nuk është thjesht pesë gradë më shumë. Për organizmin, kjo përfaqëson një rritje eksponenciale të stresit fizik. Pikërisht për këtë arsye, gjatë valëve të të nxehtit rritet numri i infarkteve, goditjeve në tru dhe komplikimeve të tjera kardiovaskulare.
Por temperatura nuk është faktori i vetëm që e bën vapën të rrezikshme. Lagështia e ajrit luan një rol po aq të rëndësishëm. Djersa e ftoh trupin vetëm kur avullon. Kur ajri është i mbushur me lagështi, ky proces ngadalësohet dhe organizmi humbet aftësinë për të ulur temperaturën e brendshme. Pikërisht për këtë arsye, një ditë me 35°C dhe lagështi të lartë mund të jetë më e rrezikshme sesa një ditë më e nxehtë, por me ajër të thatë.
Studimet e realizuara në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë tregojnë se në kushte të tilla temperatura e brendshme e trupit fillon të rritet shumë më shpejt. Kur ajo afrohet me 40°C, njerëzit bëhen më të prirur për marramendje, konfuzion dhe humbje të vetëdijes. Nëse arrin rreth 41–42°C, fillojnë dëmtimet serioze të zemrës, trurit dhe organeve të tjera. Goditja nga nxehtësia (heat stroke) konsiderohet një urgjencë mjekësore dhe, pa trajtim të menjëhershëm, mund të jetë fatale.
Megjithatë, jo të gjithë e përjetojnë vapën në të njëjtën mënyrë. Personat e moshuar, pacientët me sëmundje të zemrës apo mushkërive, ata me demencë, fëmijët dhe njerëzit që marrin barna të caktuara janë dukshëm më të rrezikuar. Për ta, organizmi tashmë është duke punuar në kufijtë e tij edhe në kushte normale. Kur mbi këtë ngarkesë shtohet nxehtësia ekstreme dhe lagështia, aftësia për t’u përshtatur zvogëlohet ndjeshëm.
Ekspertët këshillojnë që gjatë valëve të të nxehtit qytetarët të qëndrojnë në ambiente të freskëta, të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut, të konsumojnë ujë rregullisht dhe të kufizojnë aktivitetin fizik. Edhe djegiet nga dielli nuk duhen nënvlerësuar, pasi ato mund të dëmtojnë aftësinë e lëkurës për të rregulluar temperaturën e trupit për javë të tëra.
Ndërsa temperatura mesatare globale vazhdon të rritet, shkencëtarët paralajmërojnë se valët ekstreme të të nxehtit do të bëhen më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive. Ajo që dikur konsiderohej një fenomen “një herë në brez”, sot po përsëritet pothuajse çdo verë.
Kriza klimatike nuk po ndryshon vetëm peizazhin e planetit. Ajo po ndryshon kufijtë biologjikë të njeriut. Dhe ndërsa qytetet vazhdojnë të ngrohen, pyetja nuk është më nëse mund ta përballojmë vapën, por nëse infrastruktura, sistemi shëndetësor dhe politikat publike janë të gatshme të mbrojnë jetën në një klimë që po bëhet gjithnjë e më ekstreme.