Thirrje urgjente për veprim institucional · Nënshkruaj peticionin ›

Moti
Prishtinë: —°

Ekonomia e pastër fillon me dinjitetin në punë

Fotografia nga Fabio Walser, Trepçë, Mitrovicë, Kosovë

1 Maji, në mbarë botën, shënon një thirrje kolektive për barazi dhe dinjitet në punë, ku protesta, marshe, greva dhe forma të tjera të veprimit qytetar mobilizojnë miliona njerëz në kërkim të drejtësisë sociale. Pra, shërben si rikujtesë e vazhdueshme për përgjegjësinë kolektive në formësimin e një modeli zhvillimi që i vendos njerëzit në qendër, veçanërisht në një epokë të shënuar nga kriza klimatike. Në diskursin bashkëkohor, tranzicioni ekologjik shpesh paraqitet si një proces teknik, i lidhur me energjinë, teknologjinë dhe investimet. Por, në bazë është një proces kokë e këmbë social dhe politik. Sepse nuk ka zero karbon, pa zero shfrytëzim!

Bota e punës ndodhet në vijën e parë të këtij transformimi sepse po preket gjithmonë e më shumë nga rritja e temperaturave, përmbytjet, thatësirat, ndotja e ajrit dhe degradimi i ekosistemeve nuk janë më fenomene që ndodhin përtej kufijve/kontinenteve, ndonëse sot, ato po ndikojnë drejtpërdrejt në vendet e punës, në shëndetin e punëtorëve dhe në stabilitetin e ekonomive lokale. Sektorë të tërë po transformohen ose zhduken, ndërsa të tjerë po lindin në mënyrë të përshpejtuar. Në këtë proces, më të rrezikuarit janë pikërisht grupet që historikisht kanë qenë më të margjinalizuar: gratë, të rinjtë, punëtorët informal, migrantët dhe komunitetet me qasje të kufizuar në burime.

Nëse krejt këto transformime nuk menaxhohen me kujdes, ekziston rreziku që kriza klimatike të zhbëjë dekada progresi në drejtësi sociale, reduktim të varfërisë dhe ndërtim të një tregu pune jodinjitoz. Kjo është arsyeja pse koncepti i tranzicionit të drejtë (just transition) është bërë qendror në politikat globale dhe evropiane.

Tranzicioni i drejtë është program ekonomik e politik, ku synon të maksimizojë përfitimet sociale dhe ekonomike të tranzicionit ekologjik, duke krijuar vende të reja pune të denja, mbështetur ndërmarrjet e qëndrueshme, përmirësuar sigurinë në vendin e punës dhe duke garantuar mbrojtje sociale. Në të njëjtën kohë, ky tranzicion kërkon të minimizojë kostot sociale të këtij transformimi, duke siguruar që askush të mos mbetet prapa apo të përjashtohet.

Koncepti i tranzicionit të drejtë (just transition) ka origjinë në lëvizjet sindikale dhe është formalizuar në politikat ndërkombëtare gjatë dekadës së fundit, veçanërisht përmes kornizave të International Labour Organization dhe marrëveshjeve klimatike globale. Dhe parasheh një transformim të strukturuar të ekonomisë drejt modeleve me karbon të ulët, duke përfshirë rikualifikimin e fuqisë punëtore, krijimin e vendeve të reja të punës në sektorë të gjelbër, investime në industri të qëndrueshme dhe forcimin e sistemeve të mbrojtjes sociale. Në praktikë, tranzicioni i drejtë kërkon dialog social të vazhdueshëm ndërmjet qeverive, punëtorëve dhe bizneseve, si dhe politika publike që adresojnë pabarazitë ekzistuese. Në vitet në vijim, pritet që ky koncept të jetë kyç në përcaktimin e politikave ekonomike dhe klimatike, duke ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si organizohet puna, si shpërndahet pasuria dhe si ndërtohen ekonomitë në përputhje me kufijtë planetarë.

Kjo qasje kërkon një riformësim të thellë të marrëdhënies ndërmjet ekonomisë, mjedisit dhe shoqërisë. Qëndrueshmëria nuk mund të reduktohet në indikatorë mjedisorë; ajo duhet të përfshijë cilësinë e jetës dhe të punës. Tri shtyllat e saj: shoqëria, mjedisi dhe ekonomia, janë të pandashme. Një politikë që redukton emetimet e karbonit, por toleron kushte të pasigurta pune nuk është e qëndrueshme. Një ekonomi që rritet duke ekspozuar punëtorët ndaj rreziqeve mjedisore prodhon kosto të fshehura që më vonë manifestohen si krizë shëndetësore dhe sociale.

Në shumë kontekste, përfshirë edhe Kosovën, realiteti i tregut të punës tregon për një hendek të thellë mes aspiratave për zhvillim dhe kushteve që ekzistojnë. Pagat e ulëta, informalja, mungesa e sigurisë në punë dhe ekspozimi ndaj ndotjes krijojnë një cikël ku punëtori mbetet i fokusuar në mbijetesë. Në këtë gjendje, kërkesa që individi të adoptojë praktika të qëndrueshme shpesh tingëllon si luks.

Në Kosovë, këto tensione janë të prekshme, pjesëmarrja në tregun e punës mbetet e ulët, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, pjesëmarrja në fuqinë punëtore vazhdon të jetë e ulët, rreth 40–45%, çka tregon për një potencial të madh të pashfrytëzuar ekonomik. Në të njëjtën kohë, një pjesë e konsiderueshme e të punësuarve operojnë në sektorë si ndërtimi, tregtia dhe shërbimet, shpesh në kushte jo të standardizuara. Ekonomia joformale mbetet një sfidë strukturore. Vlerësimet tregojnë se rreth 30% e ekonomisë në Kosovë operon në informalitet, ndërsa mijëra punëtorë punojnë pa kontrata formale, pa sigurime shëndetësore dhe pa mbrojtje ligjore, duke u paguar shpesh “në dorë”. Kjo nënkupton jo vetëm mungesë sigurie për punëtorët, por edhe humbje të të ardhurave publike dhe dobësim të sistemit social. Pagat minimale, të cilat për shumë punëtorë mbeten realitet i përditshëm, nuk përkojnë me rritjen e kostos së jetesës, duke e zhvendosur fokusin e individit nga zhvillimi drejt mbijetesës.

Në të njëjtën kohë, sipas të dhënave të viteve të fundit nga World Health Organization dhe mekanizma monitorues të cilësisë së ajrit në Kosovë, ndotja urbane mbetet një kërcënim serioz për shëndetin publik. Punëtorët në ndërtim, industri dhe sektorë të ekspozuar janë në vijën e parë të këtij rreziku. Kjo krijon një paradoks, ku ekonomia prodhon vlerë, por njëkohësisht prodhon edhe sëmundje. Dhe kjo kosto nuk reflektohet në bilancet financiare, por në trupat e njerëzve.

Në planin global, International Labour Organization vlerëson se miliona punëtorë çdo vit humbin jetën ose shëndetin për shkak të kushteve të pasigurta të punës. Paralelisht, ekonomia e gjelbër po promovon sektorë të rinj, por pa një kornizë të drejtë tranzicioni, ekziston rreziku që pabarazitë ekzistuese vetëm të riprodhohen në forma të reja, andaj “green jobs” që nuk janë domosdoshmërisht “decent jobs”.

Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian e ka vendosur konceptin e “Just transition” në qendër të Agjendës së Gjelbër Evropiane. Nuk bëhet fjalë vetëm për dekarbonizim, por për ristrukturim të drejtë ekonomik, ku punëtorët nuk janë viktima të tranzicionit, por aktorë të tij. Në të njëjtën linjë, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të United Nations e lidhin drejtpërdrejt dinjitetin në punë (SDG 8) me veprimin klimatik (SDG 13), duke e bërë të qartë se njëra pa tjetrën është e paplotë.

Çfarë vlere ka një ekonomi që rritet, por e konsumon njeriun? Çfarë kuptimi ka një tranzicion i gjelbër që nuk e përfshin drejtësinë sociale? Nëse qëndrueshmëria nuk përfshin dinjitetin njerëzor, atëherë ajo mbetet një politikë e zbrazët.

Ekonomia moderne ka operuar për dekada mbi logjikën e efikasitetit maksimal dhe kostos minimale, shpesh duke e trajtuar punëtorin si një variabël të zëvendësueshëm. Por, tranzicioni ekologjik kërkon një paradigmë tjetër, një ekonomi që e sheh njeriun jo si kapital social. Një punëtor i trajtuar me dinjitet është më produktiv, më inovativ dhe më i prirur të kontribuojë në zgjidhje që janë të qëndrueshme në afatgjatë.

Në këtë kuptim, tranzicioni i drejtë është edhe një proces demokratik që kërkon dialog social, përfshirje të sindikatave, bashkëpunim ndërmjet qeverive, bizneseve dhe komuniteteve. Nuk mund të jetë një proces i imponuar nga lart-poshtë, por duhet të ndërtohet përmes pjesëmarrjes dhe negocimit të interesave.

Ekziston një alternativë, një ekonomi që krijon miliona vende pune të denja përmes investimeve në energji të pastër, efikasitet energjetik, bujqësi të qëndrueshme dhe ekonomi qarkore. Një ekonomi që redukton ndotjen, por edhe përmirëson cilësinë e jetës. Një ekonomi që nuk e ndan zhvillimin nga drejtësia.

Por, kjo alternativë kërkon guxim politik dhe riformësim të prioriteteve ekonomike. Kërkon që politikat publike të mos matin suksesin vetëm me rritjen e GDP-së, por edhe me mirëqenien e qytetarëve. Kërkon që bizneset të shohin përtej fitimit afatshkurtër dhe të investojnë në modele që janë të qëndrueshme në aspektin socio-mjedisor.

Por, për kë po ndërtojmë të ardhmen? Nëse përgjigjja është për njerëzit, atëherë dinjiteti në punë duhet të jetë pika e nisjes. Sepse një ekonomi e pastër nuk fillon me teknologji, por me drejtësi dhe barazi. Dhe pa drejtësi, çdo tranzicion mbetet i paplotë.

Fjala e redaksisë: Kërko të drejtën tënde, sepse është e jotja. Pa zërin tënd, problemet mbeten të padukshme dhe padrejtësitë normalizohen. Pjesëmarrja në jetën publike nuk është vetëm e drejtë, por përgjegjësi kolektive për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe të punës. Drejtësia klimatike fillon kur ti flet, kur kërkon llogari dhe kur bëhesh pjesë e ndryshimit, sepse vetëm duke u dëgjuar, mund të ndërtohet një sistem që të përfaqëson.

Shpërndaje:

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Telegram
Email

Thirrje urgjente për veprim institucional dhe përgjegjësi publike