Dita Botërore e Tokës nisi si protestë e viteve 70-të, ndërsa sot u kthye në lëvizjen më të madhe globale

Nëse do ta shohim historinë e Ditës së Tokës me saktësi analitike, nuk kemi të bëjmë me një datë ceremoniale, por me një pikë kthese në marrëdhënien midis shoqërisë moderne dhe natyrës, e cila u iniciua më 22 prill 1970-të, si rezultat i një krize të akumuluar ekologjike dhe politike që kishte arritur një pikë të pakthyeshme.

Në fundin e viteve 60-ta, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvillimi industrial kishte tejkaluar çdo standard mjedisor. Benzina me plumb përdorej masivisht, fabrikat lironin emetime pa asnjë filtër, lumenjtë shndërroheshin në kanale mbetjesh, dhe ideja e mbrojtjes së mjedisit ishte pothuajse e panjohur në diskursin publik. Ndotja ishte e dukshme, por më e rrezikshmja ishte fakti që ajo ishte normalizuar dhe se nuk kishte ndonjë standard për kufijt dhe limitet.

Një nga momentet që e bëri këtë krizë të pamohueshme ishte derdhja e naftës në Santa Barbara në vitin 1969-të. Imazhet e zogjve të mbuluar me naftë dhe brigjeve të shkatërruara u përhapën në media dhe krijuan një tronditje kolektive. Papritur, ndotja nuk ishte më vetëm statistikë, pormishte pamje, emocion dhe përgjegjësi. Pikërisht në këtë kontekst, senatori amerikan Gaylord Nelson vendosi ta trajtojë krizën mjedisore si një çështje politike dhe qytetare njëkohësisht. I frymëzuar nga protestat studentore të kohës, ai propozoi një “teach-in” kombëtar për mjedisin, një ditë ku edukimi dhe aktivizmi do të bashkoheshin në një akt të vetëm publik.

Për ta bërë këtë ide realitet, ai angazhoi Denis Hayes, i cili ndërtoi një rrjet organizimi në të gjithë vendin. Ajo që ndodhi më 22 prill 1970-të ishte e paprecedentë, rreth 20 milionë njerëz dolën në rrugë, nga universitete, shkolla dhe komunitete lokale, një mobilizim që përfshiu mbi 2,000 institucione akademike dhe mijëra shkolla, duke e kthyer çështjen e mjedisit nga një temë periferike në një prioritet kombëtar. Një protestë dhe një rikonfigurim i ndërgjegjes kolektive.

Ndikimi i kësaj dite nuk mbeti në nivel simbolik, brenda një periudhe të shkurtër, në Shtetet e Bashkuara u krijua Environmental Protection Agency, një institucion që do të vendoste standarde të reja për mbrojtjen e ajrit, ujit dhe tokës. Ligje si Clean Air Act, Clean Water Act dhe Endangered Species Act u miratuan si përgjigje direkte ndaj presionit publik, ndërsa Dita e Tokës dëshmoi se kur mobilizimi qytetar arrin një masë kritike, mund të përkthehet në politikë dhe qytetari aktive.

Dy dekada më vonë, në vitin 1990-të, kjo lëvizje kaloi kufijtë amerikanë dhe u shndërrua në një platformë globale. Mbi 140 vende u përfshinë në organizimin e aktiviteteve, duke e transformuar Ditën e Tokës në një fenomen ndërkombëtar. Sot, sipas Earth Day Network, më shumë se një miliard njerëz në mbi 190 vende marrin pjesë çdo vit në aktivitete që lidhen me këtë ditë, si një nga mobilizimet më të mëdha qytetare në botë, një strukturë e decentralizuar që funksionon përmes ndërgjegjësimit, edukimit dhe presionit publik.

Megjithatë, ndërsa lëvizja është rritur, edhe kompleksiteti i krizës është thelluar. Nëse në vitin 1970-të ndotja ishte kryesisht e dukshme dhe lokale, sot ajo është globale dhe sistemike. Sipas United Nations Environment Programme, trajektorja aktuale e emetimeve globale na çon drejt një rritjeje të temperaturës mbi 2.5°C deri në fund të shekullit. Intergovernmental Panel on Climate Change thekson se për të kufizuar ngrohjen në 1.5°C, emetimet duhet të reduktohen me rreth 43% deri në vitin 2030-të krahasuar me nivelet e vitit 2019-të.

Ndërkohë, World Wildlife Fund raporton se popullatat globale të vertebrorëve janë ulur mesatarisht me rreth 69% që nga viti 1970-të, një tregues i drejtpërdrejtë i degradimit të biodiversitetit. Prodhimi global i plastikës ka kaluar 400 milionë tonë në vit, duke krijuar një krizë të re që prek oqeanet, tokën dhe zinxhirin ushqimor.

Në këtë realitet të ri, Dita e Tokës përballet edhe me një sfidë tjetër, rrezikun e reduktimit në simbolikë. Ajo që nisi si kritikë ndaj sistemit industrial dhe politik, sot shpesh përdoret si instrument komunikimi nga të njëjtat struktura që kontribuojnë në krizë. Kjo quhet “Greenwashing” dhe është bërë pjesë e diskursit, duke e zbehur dallimin midis angazhimit real dhe marketingut të gjelbër. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm rikthimin tek thelbi i saj: presioni publik, transparenca dhe matja e ndikimit përmes inventarizimit të të dhënave.

Dita e Tokës, në thelb, është një test. Një test për institucionet, nëse politikat e tyre janë në përputhje me shkencën. Një test për ekonominë, nëse rritja mund të shkëputet nga degradimi mjedisor. Dhe një test për individin, nëse është i gatshëm të ndryshojë mënyrën si konsumon, prodhon dhe jeton. Në vitin 1970-të, njerëzit dolën në rrugë sepse ndotja ishte e dukshme dhe e prekshme. Në vitin 2026-të, sfida është më e ndërlikuar, sepse shumë nga krizat janë të padukshme, të shpërndara dhe të integruara në sistemet që i konsiderojmë normale dhe njerëzit kanë frikë të dalin në rrugë, e të kërkojnë drejtësi.

Prandaj, 22 prilli nuk mund të mbetet një datë e izoluar sepse është një kujtesë se ndryshimi nuk fillon nga deklaratat në tryeza të rrumbullakta, por nga presioni i vazhdueshëm dhe nga vendimet që merren çdo ditë.

Dita e Tokës është reflektim mbi planetin dhe për mënyrën se si kemi zgjedhur të jetojmë në të.

Shpërndaje:

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Telegram
Email

Thirrje urgjente për veprim institucional dhe përgjegjësi publike