Shkruan: Jeta Berisha
Transferimi i parë prej 61.8 milionë eurosh nga Komisioni Evropian drejt Kosovës shënon më shumë se një injeksion financiar sepse është sinjali i parë konkret i një mekanizmi të ri zhvillimor që e lidh drejtpërdrejt financimin me reformat strukturore. Sipas njoftimit zyrtar të Zyrës së BE-së në Kosovë, kjo shumë përfaqëson vetëm 7% të totalit prej 882.6 milionë eurosh që janë në dispozicion për Kosovën deri në vitin 2027-të, në formë grantesh dhe huash me kushte të favorshme.
Por përtej kësaj hyrjeje financiare, thelbi i këtij plani qëndron në mënyrën se si këto fonde shpërndahen dhe kushtëzohen. Në Agjendën e Reformave, që shërben si bazë për disbursimin e mjeteve, Kosova është zotuar të zbatojë 111 hapa reformash që përfshijnë fusha kyçe si sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik, tranzicioni digjital dhe, në mënyrë të veçantë, tranzicioni i gjelbër dhe energjia. Siç theksohet në dokumentet shoqëruese të planit, çdo hap reforme është i lidhur me një ndarje specifike financiare, që do të thotë se investimi nuk është automatik, por i kushtëzuar nga performanca institucionale.
Në këtë kontekst, sektori i energjisë dhe ai mjedisor nuk trajtohen si komponentë dytësorë, por si shtylla transformuese të ekonomisë. Duke u bazuar në strukturën e Planit të Rritjes dhe mënyrën se si Western Balkans Investment Framework kanalizon investimet në rajon, një pjesë e konsiderueshme e fondeve, është vlerësuar rreth 30% deri në 40%, lidhen drejtpërdrejt ose indirekt me energjinë, mjedisin dhe politikat socio-mjedisore. Kjo përfshin investime në infrastrukturë energjetike, rritjen e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme, përmirësimin e efikasitetit energjetik, si dhe projekte për menaxhimin e mbetjeve dhe ujërave, duke reflektuar prioritetet e politikave klimatike të Bashkimit Evropian.
Një pjesë kyçe e këtij financimi kanalizohet përmes WBIF-it, i cili historikisht ka financuar projekte strategjike infrastrukturore në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në sektorët e energjisë dhe transportit. Vetë fakti që nga 61.8 milionë eurot e para, mbi 33 milionë euro do të kalojnë përmes këtij mekanizmi, tregon qartë orientimin e investimeve drejt projekteve me ndikim afatgjatë, ku energjia dhe mjedisi zënë një vend qendror.
Megjithatë, ky financim mbetet i kushtëzuar. Sipas të dhënave zyrtare, një paketë prej 90.8 milionë eurosh lidhet me 13 hapa reformash që duhet të përmbushen deri më 30 qershor 2026, ndërsa 165.9 milionë euro të tjera varen nga realizimi i 27 hapave shtesë deri në fund të po atij viti. Në rast të mosrealizimit të këtyre reformave, fondet përkatëse nuk disbursohen, një mekanizëm që e kthen tranzicionin e gjelbër nga një aspiratë politike në një obligim financiar konkret.
Në këtë linjë, deklaratat institucionale e konfirmojnë qartë këtë drejtim strategjik. Ushtruesja e detyrës së shefes së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, theksoi se “Plani i Rritjes ofron një mundësi konkrete për të përshpejtuar reformat që lidhen me BE-në dhe për të avancuar tranzicionin e gjelbër dhe digjital,” duke e vendosur këtë tranzicion në qendër të procesit të integrimit. Ndërkohë, Kryeministri Albin Kurti ka pranuar se përmbushja e këtyre reformave është sfiduese, por e domosdoshme për shfrytëzimin e plotë të mundësive që ofron ky plan.
Në një analizë më të gjerë, kjo arkitekturë financiare reflekton një ndryshim paradigme në mënyrën se si Bashkimi Evropian mbështet vendet kandidate. Nuk bëhet më fjalë vetëm për asistencë financiare, por për një model ku fondet përdoren si instrument për transformim strukturor. Energjia dhe mjedisi, në këtë kuadër, nuk janë vetëm sektorë investimi, por indikatorë të drejtpërdrejtë të progresit drejt integrimit evropian.
Për Kosovën, kjo krijon një realitet të ri: zhvillimi ekonomik, siguria energjetike dhe mbrojtja e mjedisit janë tashmë të ndërthurura në një sistem të vetëm politikash dhe financimi. Nëse këto reforma zbatohen me sukses, Plani i Rritjes mund të shërbejë si katalizator për një transformim të thellë ekonomik dhe ekologjik. Në të kundërtën, ky plan mbetet një mundësi e humbur, jo për mungesë fondesh, por për mungesë kapaciteti për t’i kthyer ato në ndryshim vendor.



