Thirrje urgjente për veprim institucional · Nënshkruaj peticionin ›

Fjalori Klimatik

Moti
Prishtinë: —°

Edicioni i 16-të i GREEN FEST vjen në MITROVICË: 5 ditë për të reflektu

• August 5, 2026

Green Fest rikthehet në Mitrovicë nga 12 deri më 16 gusht 2026 me edicionin e tij të 16-të. Festivali, i organizuar nga 7 ARTE, këtë vit mbahet nën temën “REFLEKTO!”, duke bashkuar artin, muzikën, filmin, natyrën dhe komunitetin, me biodiversitetin dhe raportin e njeriut me natyrën në qendër të vëmendjes.

Për pesë ditë, Mitrovica do të shndërrohet në një hapësirë takimi mes kulturës, natyrës dhe komunitetit, ndërsa edicioni i sivjetmë synon të nxisë publikun të ndalet dhe të reflektojë mbi ndryshimet që po ndodhin rreth nesh.

Tema “REFLEKTO!” vjen si një ftesë për të menduar mbi një realitet ku ritmi i jetës dhe zhvillimit është gjithnjë e më i shpejtë, ndërkohë që pyjet po tkurren, lumenjtë po shterren dhe shumë specie po humbin habitatet e tyre.

Organizatorët e festivalit e shtrojnë këtë përmes një pyetjeje të drejtpërdrejtë: “Çka po humbim?”

Biodiversiteti në qendër të edicionit të 16-të

Një prej temave qendrore të Green Fest këtë vit është biodiversiteti dhe rëndësia e tij për funksionimin e ekosistemeve.

Bletët, fluturat, xixëllonjat, shpendët dhe shumë forma të tjera të jetës, edhe pse shpesh kalojnë pa u vërejtur, luajnë rol të rëndësishëm në ekuilibrin natyror.

Përmes temës së këtij viti, festivali synon të rikujtojë se njeriu nuk qëndron jashtë këtij sistemi, por është pjesë e tij dhe varet drejtpërdrejt nga shëndeti i natyrës.

Green Fest e përshkruan biodiversitetin si “rrjetin e padukshëm që e mban jetën gjallë”.

Koncepti shtrihet edhe përtej natyrës. Organizatorët e lidhin larminë biologjike me larminë kulturore dhe shoqërore, duke theksuar rëndësinë e bashkëjetesës, respektit për dallimet dhe veçantinë që sjell secili individ dhe komunitet.

Art, muzikë, film, natyrë dhe komunitet

Nga 12 deri më 16 gusht, Green Fest do të krijojë në Mitrovicë një hapësirë ku do të takohen arti, muzika, filmi, natyra dhe komuniteti.

Ideja e festivalit është që kultura të përdoret edhe si mjet për të afruar njerëzit me natyrën, për të hapur diskutime rreth problemeve mjedisore dhe për të nxitur veprim.

Përmes edicionit të 16-të, Green Fest synon që publiku, përtej pjesëmarrjes në aktivitetet kulturore, të reflektojë edhe mbi mënyrën se si ndryshimet në mjedis ndikojnë në jetën e përditshme dhe në të ardhmen e komuniteteve.

Green Fest – Edicioni XVI do të mbahet në Mitrovicë, nga 12 deri më 16 gusht 2026, nën moton:

“REFLEKTO!”