Thirrje urgjente për veprim institucional · Nënshkruaj peticionin ›

Fjalori Klimatik

Moti
Prishtinë: —°

IHMK lëshon paralajmërim portokalli: Stuhi, breshër dhe reshje intensive në gjithë Kosovën

• July 22, 2026

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka lëshuar paralajmërim të nivelit portokalli për tërë territorin e vendit, për shkak të rrezikut nga stuhi të fuqishme me bubullima, reshje intensive, breshër dhe erëra të forta. Në sistemin e paralajmërimeve meteorologjike, niveli i verdhë nënkupton kujdes të shtuar, niveli portokalli tregon mot të rrezikshëm dhe kërkon përgatitje e kufizim të aktiviteteve në natyrë, ndërsa niveli i kuq paralajmëron mot shumë të rrezikshëm dhe kërkon ndjekjen e udhëzimeve të autoriteteve dhe shmangien e daljeve të panevojshme.

Paralajmërimi është i vlefshëm gjatë gjithë ditës së 22 korrikut 2026, nga ora 00:00 deri në orën 23:59.

Sipas IHMK-së, gjatë ditës priten zhvillime të fuqishme konvektive, të cilat në disa rajone mund të shkaktojnë reshje të dendura shiu, përmbytje të shpejta lokale, breshër dhe erëra me karakter stuhish.

Instituti ka paralajmëruar se kushtet atmosferike mund të shkaktojnë dëme në kultura bujqësore, shtëpi, automjete dhe infrastrukturë. Rrezik paraqesin edhe goditjet e rrufesë, të cilat mund të kenë pasoja për njerëzit dhe kafshët, si dhe të shkaktojnë probleme në rrjetin elektroenergjetik dhe sistemet e telekomunikimit.

Era arriti shpejtësi stuhie në Istog dhe Suharekë

Matjet e Rrjetit Shtetëror Meteorologjik tregojnë se gjatë datave 20 dhe 21 korrik janë regjistruar erëra me intensitet të lartë.

Në Istog, më 20 korrik, shpejtësia e erës arriti në 22.3 metra për sekondë, ndërsa më 21 korrik u regjistrua shpejtësi prej 15.3 metrash për sekondë.

Në Suharekë, më 21 korrik, era arriti shpejtësinë prej 23.8 metrash për sekondë, ndërsa vetëm pak minuta më vonë u regjistrua shpejtësi prej 22 metrash për sekondë.

Sipas Shkallës Beaufort, shpejtësitë nga 20.8 deri në 24.4 metra për sekondë kategorizohen si stuhi. IHMK ka bërë të ditur se në vende dhe raste të caktuara, shpejtësia e erës mund të ketë qenë edhe më e lartë.

Qytetarët ftohen për kujdes të shtuar

IHMK rekomandon që qytetarët të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive dhe të mos strehohen nën pemë të vetmuara, pranë shtyllave elektrike apo objekteve metalike.

Qytetarëve u kërkohet gjithashtu të mbrojnë automjetet dhe pronën nga breshëri, të tregojnë kujdes në komunikacion dhe të ndjekin njoftimet e institucioneve kompetente.

Instituti ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e situatës meteorologjike dhe do të publikojë përditësime të tjera në varësi të zhvillimeve.