Nesër, duke filluar nga ora 10:00, pranë Lakeside në Vërmicë, mbahet konferenca tradicionale DRINI DAY, e organizuar nga organizata jo-qeveritare Rilindja Gjelbër.
Në një kohë kur burimet ujore po përballen me presione gjithnjë e më të mëdha nga ndotja, zhvillimi i pakontrolluar, shpyllëzimi, ndryshimet klimatike dhe përdorimi i paqëndrueshëm, DRINI DAY synon të hapë diskutim publik për mbrojtjen e ujit si pasuri e përbashkët.
Pellgu i Drinit nuk është vetëm një çështje mjedisore, por lidhet drejtpërdrejt me ujin e pijshëm, bujqësinë, sigurinë ushqimore, biodiversitetin, ekonominë lokale dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. Për shumë komunitete, lumenjtë dhe burimet ujore që lidhen me këtë pellg janë pjesë e përditshmërisë, e jetesës dhe e së ardhmes.
Konferenca do të shërbejë si hapësirë diskutimi për sfidat kryesore që e rrezikojnë Pellgun e Drinit, përfshirë ndotjen e ujërave, menaxhimin e dobët të mbeturinave, ndërhyrjet në rrjedhat natyrore të lumenjve dhe presionin e aktiviteteve ekonomike mbi ekosistemet ujore.
Një nga mesazhet kryesore të DRINI DAY është se mbrojtja e Drinit kërkon bashkëpunim. Meqenëse pellgu ndahet nga disa shtete, zgjidhjet nuk mund të jenë të izoluara, por kërkojnë politika të bazuara në shkencë, menaxhim të integruar të ujërave dhe bashkëpunim ndërkufitar mes institucioneve, ekspertëve, komuniteteve dhe organizatave mjedisore.
Në thelb, DRINI DAY është thirrje për të parë ujin jo vetëm si burim natyror, por si përgjegjësi publike. Sepse kur mbrohet uji, mbrohet shëndeti publik, ekonomia lokale, biodiversiteti dhe e ardhmja e rajonit.
Pjesëmarrësit mund të regjistrohen për konferencën këtu: https://short.do/nC4nss
Ky aktivitet mbështetet nga The Drin II Project dhe Global Water Partnership – Mediterranean (GWP-Med).