Thirrje urgjente për veprim institucional · Nënshkruaj peticionin ›

Fjalori Klimatik

Moti
Prishtinë: —°

Komentar: Kur ambientalistët fillojnë të quhen “nacionalistë”

• July 2, 2026

Shkruan: Jeta Berisha

Në fillim, ambientalistët trajtohen si njerëz të padëmshëm, përderisa flasin për riciklim, mbjellje pemësh, edukim në shkolla apo “dashuri për natyrën”, sistemi i duron, madje nganjëherë i përdorë edhe si numra të gjelbër për konferenca, fushata e fotografi institucionale. Por, problemi nis në momentin kur mjedisi pushon së qeni temë e izoluar dhe bëhet çështje politike.

Mjedisi bëhet politikë kur qytetarët pyesin: kush e dha lejen?; kush përfiton nga ndërtimi?; kush po e ndot ajrin? Kush e shkatërron lumin?; pse nuk ka transparencë?; pse prona publike trajtohet si pronë private?; pse zhvillimi po matet me beton, por jo edhe me shëndet, biodiversitet, ujë, ajër dhe jetë?

Në atë moment, propaganda ndryshon gjuhë dhe aktivisti nuk quhet më “i ndjeshëm ndaj natyrës”, por “pengesë e zhvillimit”, nuk quhet më qytetar i angazhuar, por “i manipuluar”. Nuk quhet më mbrojtës i interesit publik, por “kundër investimeve”. Pra, kur kauza lidhet me territorin, lumin, malin, detin apo tokën, etiketa bëhet edhe më e rëndë: ambientalistët fillojnë të quhen “nacionalistë”.

Sigurisht, një fotografi e tillë nuk është rastësi semantike, por një teknikë politike e mirëmenduar.

Kur dikush e quan ambientalistin “nacionalist” vetëm pse mbron një zonë natyrore, qëllimi nuk është ta shpjegojë realitetin, por ta zhvendosë debatin. Në vend se të flitet për ligjin, lejet, ndikimin mjedisor, korrupsionin, dëmin ekologjik apo të drejtën e qytetarëve për pjesëmarrje, vëmendja bartet te identiteti i aktivistit. Pra, nuk është më e rëndësishme “a po shkatërrohet natyra?”, por “çfarë agjende ka ky njeri?”.

Kjo është pikërisht mënyra si funksionon propaganda, nuk e kundërshton domosdoshmërisht argumentin, por e ndot figurën e atij që e artikulon.

Sociologu Pierre Bourdieu e ka shpjeguar pushtetin simbolik si aftësinë për t’i imponuar shoqërisë kategoritë me të cilat ajo e kupton realitetin. Pra, pushteti nuk sundon vetëm duke marrë vendime, por edhe duke vendosur se kush quhet “modern”, kush “radikal”, kush “patriot”, kush “nacionalist” dhe kush “pengesë e zhvillimit”. Në këtë kuptim, kur ambientalisti etiketohet si “nacionalist”, nuk kemi vetëm fyerje politike, por një përpjekje për ta kontrolluar kuptimin publik të aktivizmit. Etiketa synon ta bëjë protestën të duket irracionale, emocionale dhe e rrezikshme, edhe kur ajo mbështetet në ligj, shkencë dhe interes publik. Ky është pushtet simbolik: aftësia për ta bërë një emërtim të duket si e vërtetë shoqërore.

Kjo bëhet edhe më e qartë kur e shohim mjedisin përmes ekologjisë politike. Studiuesi Joan Martínez-Alier, një nga autorët kryesorë të drejtësisë mjedisore, e ka quajtur këtë “environmentalism of the poor” (ambientalizimi i të varfërve): ambientalizmi i njerëzve që nuk e mbrojnë natyrën si luks estetik, por si kusht jetese. Sipas tij, komunitetet e varfra, indigjene dhe lokale janë shpesh në vijën e parë të konflikteve kundër minierave, hidrocentraleve, shpyllëzimit, rrëmbimit të tokës dhe industrive ndotëse. Pra, ambientalizmi nuk është hobi i klasave të privilegjuara, për shumë komunitete është luftë për mbijetesë, shëndet, ujë, tokë dhe dinjitet.

Prandaj propaganda tenton ta paraqesë aktivistin si njeri kundër zhvillimit sepse nëse qytetarët e kuptojnë se konflikti nuk është “ambientalistë kundër investimeve”, por “interes publik kundër privatizimit të natyrës”, atëherë bie e gjithë struktura e rrëfimit zyrtar. David Harvey këtë logjikë e ka përshkruar si “accumulation by dispossession”: mënyra se si kapitali rritet duke privatizuar, përvetësuar dhe nxjerrë profit nga pasuritë publike, toka, hapësirat e përbashkëta dhe resurset natyrore.

Jason W. Moore shkon edhe më tej kur thotë se kapitalizmi nuk duhet parë si sistem jashtë natyrës, por si mënyrë e organizimit të natyrës. Në librin Capitalism in the Web of Life, ai e përshkruan kapitalizmin si “world-ecology”, një sistem që kërkon vazhdimisht natyrë të lirë ose të liruar artificialisht: punë të lirë, energji të lirë, ushqim të lirë, tokë të lirë dhe ujë të lirë. Në këtë logjikë, mjedisi nuk shihet si jetë, por si ndërhyje ekonomike dhe kur dikush e kundërshton këtë përvetësim, ai nuk shihet më si qytetar, por si pengesë ndaj fitimit.

Kjo është arsyeja pse shumë konflikte mjedisore nuk janë konflikte për pemë, zogj apo lumenj, por konflikte për pushtet dhe për atë se kush ka të drejtë të vendosë mbi territorin, për atë se kush përfiton nga shkatërrimi dhe kush e paguan çmimin, për atë se kush ka zë në vendimmarrje dhe kush trajtohet si pengesë. Në shumë raste, shteti nuk qëndron neutral mes natyrës dhe kapitalit, pori bëhet instrument që e legalizon përvetësimin, e normalizon ndotjen dhe e quan “zhvillim” atë që për shumë komunitetet lokale është humbje jete, prone, shëndeti dhe historie.

Sociologu Ulrich Beck, me teorinë e “shoqërisë së riskut”, e ka shpjeguar modernitetin si një sistem që nuk prodhon vetëm progres, por edhe rreziqe të mëdha që vetë shoqëria i krijon: ndotje, katastrofa industriale, pasiguri shëndetësore dhe krizë ekologjike. Në këtë shoqëri, rreziku nuk është aksident i jashtëm; është produkt i mënyrës si organizohet zhvillimi industrial dhe ekonomik. Kjo e bën aktivizmin mjedisor jo çështje sentimentale, por formë të mbrojtjes demokratike kundër rreziqeve që prodhohen nga vetë sistemi.

Rob Nixon e quan këtë “dhunë e ngadaltë”: ndotje, shkatërrim, helmim dhe humbje jete që nuk ndodhin gjithmonë në një moment spektakolar, por që shtrihen në vite, në trupat e njerëzve, në mushkëri, në ujë, në tokë dhe në ekosisteme. Kjo dhunë shpesh nuk shihet si dhunë, sepse nuk ka gjithmonë një akt të menjëhershëm. Por, gjithmonë prodhon sëmundje, zhvendosje, varfëri dhe vdekje dhe pikërisht për këtë arsye ambientalistët janë të rrezikshëm për pushtetin, sepse e bëjnë të dukshme dhunën që sistemi mundohet ta mbajë të padukshme.

Sipas Global Witness, të paktën 2,253 mbrojtës të tokës dhe mjedisit janë vrarë ose zhdukur nga viti 2012 deri në vitin 2024. Vetëm në vitin 2024, të paktën 146 aktivistë u vranë ose u zhdukën gjatë mbrojtjes së tokës, komunitetit apo mjedisit. Në vitin 2023, numri ishte 196. Global Witness thekson se këto shifra ka shumë gjasa të jenë nënvlerësim sepse shumë raste nuk raportohen, sidomos në zona rurale, vende me media të kufizuara apo në shoqëri civile të shtypur.

Këto shifra e bëjnë të qartë se ambientalizmi nuk është romantikë, por një nga vijat më të rrezikshme të konfliktit mes jetës dhe profitit. Në shumë vende, ata që mbrojnë pyjet, lumenjtë, tokat bujqësore dhe komunitetet lokale përballen me kërcënime, padi, arrestime, shpifje, linçime, dhunë fizike dhe vrasje, prandaj kur në një shoqëri aktivistët fillojnë të quhen “nacionalistë”, “anti-zhvillim”, “të paguar”, “të huaj” apo “armiq të investimeve”, duhet kuptuar se kjo është shpesh faza e parë e represionit, pasi që fillimisht u merret legjitimiteti, pastaj u merret siguria.

Në raportet ndërkombëtare, ky model përshkruhet si kriminalizim dhe delegjitimim i mbrojtësve të mjedisit. Global Witness e përshkruan kriminalizimin si përdorim të ligjeve, kërcënimeve apo akuzave për t’i stigmatizuar, diskredituar dhe heshtur mbrojtësit e tokës dhe mjedisit. Raportuesja Speciale e OKB-së për Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut, Mary Lawlor, ka paralajmëruar për rritjen globale të represionit ndaj aktivistëve klimatikë dhe mjedisorë, duke theksuar se shtetet po i trajtojnë si kundërshtarë njerëzit me të cilët do të duhej të bashkëpunonin për një tranzicion të drejtë dhe të barabartë klimatik.

Le ta shohim thelbin sepse ambientalistët nuk janë problemi, por alarm i një lufte të re klasore.

Në Ballkan, kjo merr formë edhe më të ndjeshme sepse territori, natyra dhe identiteti janë të ngarkuara historikisht. Kur dikush thotë “mos e shkatërroni këtë lumë”, “mos e privatizoni këtë bregdet”, “mos e betonizoni këtë park”, propaganda shpesh mundohet ta paraqesë si njeri që po e përdorë natyrën për agjendë kombëtare. Por, ka një dallim thelbësor: të mbrosh një lumë, një lagunë, një pyll apo një park si të mirë publike nuk është nacionalizëm, por vetëdije qytetare. Nacionalizëm bëhet kur natyra përdoret për përjashtim, urrejtje apo superioritet, ndërsa mbrojtja e mjedisit, në kuptimin demokratik, kërkon të kundërtën, si: pjesëmarrje, transparencë, drejtësi dhe përgjegjësi publike.

Prandaj propaganda e ngatërron qëllimisht dashurinë për vendin me nacionalizëm sepse një shoqëri që e do vendin e vet në mënyrë qytetare nuk lejon që lumenjtë t’i shiten si truall, malet t’i trajtohen si gurë ndërtimi, plazhet si resorte private dhe ajri si kosto anësore e profitit.

Rasti i Vjosa-Nartës në Shqipëri e tregon qartë këtë tension. Aktivistë, ekologë dhe qytetarë kanë kundërshtuar ndërhyrjet në një zonë të mbrojtur, duke kërkuar ndalimin e punimeve, transparencë dhe zbatim të ligjit. Organizata mjedisore PPNEA ka paralajmëruar se ndërhyrjet në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë po e transformojnë në mënyrë të pakthyeshme një nga zonat më të rëndësishme të biodiversitetit në Shqipëri. Ndërkohë, mediat me4 të zëshme ndërkombëtare kanë raportuar se projekti i resortit luksoz ka nxitur protesta masive për shkak të rrezikut ndaj lagunës, flamingove, breshkave detare dhe habitateve të ndjeshme, përderisa mediat vendore e kanë heshtur komplet kronologjinë e protestave. Po ashtu, dhjetëra eurodeputetë kanë qenë fizikisht në protesta, e vazhdimisht po i përdorin platformat e tyre për t’ia kujtu qeverisë shqiptare obligimet karshi Bashkimit Evropian dhe se vendime të tilla e pengojnë anëtarësimin.

Kur aktivistët thonë “mos e shkatërroni Vjosa-Nartën”, ata nuk po thonë “natyra është vetëm e jona”, por po e shpjegojnë se natyra nuk është e askujt për t’u grabitur dhe se është trashëgimi ekologjike, publike dhe ndërbreznore. Sipas protestuestëve, natyra shqiptare është e sotmja dhe e ardhmja e njerëzve që jetojnë aty, por edhe pjesë e një ekosistemi më të gjerë që nuk njeh kufij politikë.

Raste si kjo është pika ku mjedisi bëhet kërcënues për pushtetin sepse kauzat mjedisore i lidh bashkë tema që zakonisht mbahen të ndara: korrupsioni, prona publike, shëndeti, demokracia, zhvillimi ekonomik, pabarazia dhe e drejta për qytet. Kur qytetarët e kuptojnë këtë lidhje, ata nuk kërkojnë më vetëm “më shumë gjelbërim” por edhe llogaridhënie.

Dhe pikërisht atëherë fillon paniku politik.

Një qytetar që e sheh ndotjen si aksident, kërkon pastrim, por një qytetar që e sheh ndotjen si rezultat të vendimeve politike, kërkon përgjegjësi. Një qytetar që e sheh betonizimin si zhvillim, hesht, por një qytetar që e kupton betonizimin si privatizim të hapësirës publike, kundërshton. Një qytetar që e sheh lumin si pamje të bukur, mërzitet kur shkatërrohet, por një qytetar që e sheh lumin si të drejtë publike, organizohet.

Kjo është arsyeja pse vetëdija mjedisore, kur rritet, bëhet e rrezikshme për sistemet që jetojnë nga heshtja publike dhe i mësojnë njerëzit ta lexojnë zhvillimin ndryshe.

Në këtë kuptim, etiketa “nacionalist” është përpjekje për ta kthyer dashurinë për vendin në faj. Për ta bërë mbrojtjen e natyrës të duket si prapambeturi. Për ta bërë qytetarin që kërkon transparencë të duket si armik i progresit. Por, e vërteta është më e thjeshtë dhe më e fortë sepse nuk ka zhvillim kur zhvillimi i shkatërron kushtet e jetës. Nuk ka modernitet kur ajri, uji bëhet mall privat dhe toka publike bëhet pasuri e pak njerëzve.

Kur ambientalistët quhen “nacionalistë”, kjo shpesh tregon se kauza e tyre ka kaluar një prag të rëndësishëm dhe përtej vetëdijes individuale duke u bërë vetëdije politike. Një shoqëri që fillon ta shohë mjedisin si çështje drejtësie, bëhet shumë më e vështirë për t’u manipuluar.

Prandaj, kur propaganda i quan ambientalistët “nacionalistë”, në fakt po e zbulon frikën e vet, frikën nga një shoqëri që më në fund po mëson ta dojë vendin e vet.