Në kuadër të shënimit të Ditës së Tokës me 22 prill, do të mbahet premiera e dokumentarit “Ujërat e Kosovës – një dokumentar nxënësish mbi ndërgjegjësimin për ujërat e ëmbla”, një iniciativë që bashkon edukimin, aktivizmin mjedisor dhe angazhimin e të rinjve në Kosovë.
Ky dokumentar është realizuar nga nxënësit e ShFMU “Mihal Grameno” – Aneksi 2 në Fushë Kosovë, në kuadër të projektit “Waters of Kosovo”, pjesë e programit evropian ProBleu – EU Blue Schools Initiative. Projekti synon të rrisë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e ujërave të ëmbla, duke përfshirë drejtpërdrejt nxënësit në aktivitete hulumtuese, analiza në terren dhe intervista me ekspertë, duke përdorur mjete bashkëkohore për dokumentim dhe prezantim .
Premiera do të mbahet më: 22 Prill 2026, në ora 18:00, në hapësirën e Teatrit “Faruk Begolli”, Kolegji AAB – Fushë Kosovë.
Pritja e mysafirëve do të fillojë nga ora 17:40, ndërsa programi zyrtar përfshin fjalë rasti nga përfaqësues institucional dhe aktorë të projektit, përfshirë drejtues të shkollës, përfaqësues të komunës dhe institucioneve të arsimit, si dhe koordinuesin e projektit .
Dokumentari paraqet në mënyrë autentike gjendjen aktuale të burimeve ujore në Kosovë, duke kombinuar perspektivën e nxënësve me analizën profesionale. Përveç dimensionit edukativ, projekti ka ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e aftësive të nxënësve dhe në ndërtimin e përgjegjësisë së tyre qytetare ndaj mjedisit .
Si rezultat i këtij angazhimi, shkolla është certifikuar si pjesë e rrjetit evropian “European Blue Schools”, duke u pozicionuar si një institucion aktiv në edukimin mjedisor dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Premiera mbështetet nga Zyra e Kryetarit të Komunës së Fushë Kosovës dhe zhvillohet si pjesë e një agjende më të gjerë aktivitetesh për Ditën e Tokës, e cila përfshin ligjërata tematike, ekspozita dhe aktivitete komunitare për pastrimin e mjedisit .
Kjo ngjarje synon të shërbejë si platformë për bashkëpunim ndërmjet institucioneve, komunitetit dhe profesionistëve, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në çështjet e qëndrueshmërisë dhe mbrojtjes së mjedisit.
Në një kohë kur sfidat mjedisore janë gjithnjë e më të pranishme, “Ujërat e Kosovës” vjen si një dëshmi se ndryshimi mund të nisë nga arsimi dhe angazhimi i gjeneratave të reja.



