Plastika: materiali që ndërtoi shekullin modern dhe njëkohësisht po e sëmur planetin

Plastika është një nga materialet më përcaktuese të epokës moderne. Ajo gjendet në pothuajse çdo aspekt të jetës sonë: në paketimin e ushqimit, në pajisjet elektronike, në tekstile, në mjekësi, në automjete, në ndërtim dhe në objektet më të zakonshme të shtëpisë. Pikërisht kjo shtrirje e jashtëzakonshme e ka bërë plastikën material praktik, të lirë dhe lehtësisht të prodhueshëm në masë. Por sot, e njëjta substancë po shihet gjithnjë e më shumë si një problem i thellë socio-mjedisor, me pasoja për klimën, shëndetin publik, biodiversitetin dhe ekonominë globale. Sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, njerëzimi prodhon më shumë se 400 milionë tonë plastikë çdo vit, ndërsa një pjesë e madhe e saj përfundon si mbetje në tokë, lumenj, dete dhe zinxhirin ushqimor.

Për ta kuptuar pse plastika është bërë kaq problematike, duhet të kuptohet fillimisht se çfarë është ajo. Në thelb, plastika është një material i përbërë nga polimere, pra zinxhirë të gjatë molekularë, të cilët krijohen përmes transformimit industrial të lëndëve të para petrokimike. Sipas UNEP, plastika prodhohet kryesisht nga lëndë djegëse fosile si nafta e papërpunuar dhe gazi, të cilat përpunohen me nxehtësi dhe aditivë të ndryshëm për t’u kthyer në polimere me veti specifike. OECD vlerëson se plastika tradicionale vazhdon të mbështetet kryesisht në lëndë fosile, ndërsa Agjencia Evropiane e Mjedisit thekson se mbi 99% e plastikës lidhet ende me këtë bazë materiale. Kjo do të thotë se plastika nuk është thjesht një çështje mbetjesh; ajo është e lidhur drejtpërdrejt me industrinë fosile dhe krizën klimatike.

Historia e plastikës është më e vjetër se sa mendohet zakonisht. Sipas Science Museum Group, një nga format e para të plastikës së krijuar nga njeriu ishte Parkesine, e prezantuar rreth vitit 1862 nga Alexander Parkes. Megjithatë, shkenca e materialeve e konsideron vitin 1907 si momentin vendimtar, kur Leo Baekeland krijoi Bakelitin, plastikën e parë plotësisht sintetike. Science History Institute dhe American Chemical Society e përshkruajnë Bakelitin si plastikën e parë plotësisht sintetike, e cila hapi rrugën për “epokën e polimereve” dhe për industrinë moderne të plastikës. Pra, nëse flasim për paraardhësen e parë të plastikës së prodhuar nga njeriu, duhet përmendur viti 1862; por nëse flasim për plastikën e parë plotësisht sintetike, pika e kthesës mbetet viti 1907.

Ajo që e bëri plastikën revolucionare ishte kombinimi i rrallë mes kostos së ulët, peshës së lehtë, qëndrueshmërisë dhe fleksibilitetit industrial. Në mesin e shekullit XX, prodhimi i saj u rrit me ritme të shpejta dhe u kthye në simbol të modernitetit, konsumit dhe prodhimit masiv. Por pikërisht kjo logjikë e prodhimit të pakufizuar e ktheu plastikën në një krizë globale. Sipas OECD, prodhimi vjetor i plastikës në botë u dyfishua nga 234 milionë tonë në vitin 2000 në 460 milionë tonë në vitin 2019. Po sipas OECD, mbetjet plastike u rritën nga 156 milionë tonë në 353 milionë tonë në të njëjtën periudhë, dhe vetëm 9% e tyre u ricikluan realisht pas humbjeve gjatë procesit. Kjo do të thotë se sistemi global i plastikës mbetet thellësisht linear: prodho, përdor, hidhe.

Rrezikshmëria e plastikës nuk lidhet vetëm me faktin se ajo grumbullohet si mbetje. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreziqet për shëndetin ekzistojnë në të gjitha fazat e ciklit të jetës së plastikës: nga prodhimi, përdorimi, riciklimi dhe djegia, deri te ndotja e trashëguar në mjedis. WHO ka paralajmëruar se konsumimi dhe thithja e mikro- dhe nanoplastikës, si dhe ekspozimi ndaj kimikateve dhe aditivëve që i japin plastikës vetitë e saj, po bëhen gjithnjë e më qendrore në diskutimet e shëndetit publik. Kjo është veçanërisht shqetësuese sepse plastika nuk është vetëm “një material”; ajo është shpesh një përzierje komplekse polimerësh, plastifikuesish, stabilizatorësh, retarduesish flake dhe substancash të tjera që mund të lirohen gjatë përdorimit ose degradimit.

Në vitet e fundit, shqetësimi më i madh shkencor lidhet me mikroplastikën, pra copëzat shumë të vogla të plastikës që krijohen nga degradimi i materialeve më të mëdha ose prodhohen drejtpërdrejt në forma mikroskopike. Sipas WHO, ekspozimi ndaj mikroplastikës ndodh përmes ujit, ushqimit dhe ajrit, ndërsa Agjencia Evropiane e Mjedisit thekson se mikroplastika është një ndotës në rritje, me potencial për të dëmtuar shëndetin përmes kimikateve që ajo mbart dhe vetë grimcave plastike. Shkenca ende po zhvillon vlerësime më të sakta mbi gjithë gamën e efekteve biologjike, por evidenca po forcohet rreth lidhjeve të mundshme me inflamacionin, çrregullimet endokrine dhe dëmtimet qelizore. Kjo do të thotë se plastika nuk mbetet vetëm në landfille ose në oqean; ajo futet në trupat tanë.

Problemi i plastikës është gjithashtu klimatik. Sipas OECD, në vitin 2019 plastika gjeneroi 1.8 miliardë tonë emetime të gazeve serrë, ose rreth 3.4% të totalit global, dhe 90% e këtyre emetimeve erdhën nga prodhimi dhe transformimi i saj nga lëndët fosile. UNEP po ashtu e përshkruan prodhimin e plastikës si një nga proceset më intensive në energji në industrinë prodhuese. Kjo do të thotë se çdo qese, shishe apo paketim njëpërdorimësh nuk është vetëm një objekt i përditshëm, por edhe një produkt me gjurmë të konsiderueshme karboni. Kur kjo lidhet me rritjen e vazhdueshme të prodhimit, plastika bëhet një hallkë strategjike mes krizës së ndotjes dhe krizës klimatike.

Nga pikëpamja socio-mjedisore, plastika është bërë problem sepse prek në të njëjtën kohë sistemin e prodhimit, sistemin e konsumit dhe sistemin e menaxhimit të mbetjeve. UNEP vlerëson se çdo vit 19 deri në 23 milionë tonë mbetje plastike rrjedhin në ekosistemet ujore, duke ndotur lumenj, liqene dhe dete. OECD ndërkohë thekson se një pjesë e konsiderueshme e mbetjeve plastike nuk menaxhohet siç duhet, por përfundon në djegie të hapur, në deponi të pakontrolluara ose direkt në mjedis. Kjo e bën plastikën jo vetëm problem estetik apo komunal, por problem të drejtësisë mjedisore: komunitetet me infrastrukturë më të dobët, me më pak mbrojtje shëndetësore dhe me menaxhim më të brishtë institucional paguajnë zakonisht koston më të lartë të ndotjes.

Në këtë kuptim, plastika është një material që mishëron paradoksin e zhvillimit modern, pasi që u krijua si zgjidhje industriale, u përhap si simbol përparimi dhe sot po rikthehet si një prej krizave më të dukshme të shekullit XXI. Sipas UNEP, zgjidhja nuk mund të kufizohet vetëm te riciklimi, por kërkon ndryshim sistemi: ulje të plastikës problematike dhe të panevojshme, ridizajnim të produkteve, sisteme ripërdorimi dhe qarkullimi më të mençur të materialeve. Me fjalë të tjera, plastika është edhe çështje e modelit ekonomik që kemi ndërtuar.

Shpërndaje:

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Telegram
Email

Thirrje urgjente për veprim institucional dhe përgjegjësi publike