Organizohet peticion kombëtar për mbrojtjen e bimëve dhe njohjen e Ekocidit

Një koalicion i gjerë i organizatave të shoqërisë civile, profesionistëve, aktivistëve dhe qytetarëve ka nisur një peticion kombëtar që kërkon mbrojtje më të fortë ligjore për bimët dhe hapësirat e gjelbra, si dhe njohjen e ekocidit si vepër penale në Republikën e Kosovës. Nisma vjen si reagim ndaj prerjeve sistematike dhe të pakontrolluara të bimëve në zona urbane dhe rurale, të cilat po konsiderohen rrezik serioz për shëndetin publik, biodiversitetin dhe të ardhmen mjedisore të vendit.

Rrezik për shëndetin dhe cilësinë e jetës

Nënshkruesit e peticionit theksojnë se reduktimi i vazhdueshëm i hapësirave të gjelbra po ndikon drejtpërdrejt në:

  • Përkeqësimin e shëndetit publik,
  • Dëmtimin e ekosistemeve natyrore,
  • Rritjen e temperaturave urbane dhe efektin e ishujve të nxehtësisë,
  • Uljen e cilësisë së jetesës dhe mirëqenies sociale,
  • Cenimin e sigurisë mjedisore për brezat e ardhshëm.

Sipas tyre, bimët përbëjnë një infrastrukturë jetike ekologjike: ato pastrojnë ajrin, ulin temperaturat, parandalojnë përmbytjet dhe erozionin, mbrojnë biodiversitetin dhe ndikojnë pozitivisht në shëndetin fizik e mendor të qytetarëve. Prerja e tyre pa analiza profesionale, pa konsultim publik dhe pa masa kompensuese përbën dëm të pakthyeshëm ndaj interesit publik.

Kërkesat kryesore të peticionit

1. Kriminalizimi i prerjes së paligjshme të bimëve

Nënshkruesit kërkojnë forcim të dispozitave penale dhe vendosje të dënimeve më të ashpra për individë, kompani dhe institucione që dëmtojnë gjelbërimin. Po ashtu, kërkohet transparencë e plotë për çdo vendim administrativ që përfshin prerjen e bimëve, si dhe krijimi i një regjistri publik për prerjet dhe zëvendësimet në nivel lokal dhe qendror.

2. Rishikimi dhe përforcimi i legjislacionit mjedisor

Peticioni kërkon rishikim urgjent të ligjeve dhe rregulloreve për mbrojtjen e hapësirave të gjelbra, vendosjen e standardeve të detyrueshme për ruajtjen dhe zëvendësimin e bimëve dhe integrimin e kritereve ekologjike në çdo projekt ndërtimor. Një ndër kërkesat kryesore është vendosja e objektivave minimale për hapësira të gjelbra për kokë banori, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

3. Përfshirja e ekocidit si kategori ligjore

Ndonëse Kodi Penal i Kosovës parasheh vepra kundër mjedisit, nënshkruesit vlerësojnë se ato trajtohen si dëme të fragmentuara dhe me sanksione të pamjaftueshme për të reflektuar shkallën reale të shkatërrimit mjedisor.

Për këtë arsye, kërkohet:

  • Përfshirja e ekocidit si nen i veçantë në Kodin Penal,
  • Përkufizimi i tij sipas standardeve ndërkombëtare si veprime të paligjshme ose të shkujdesura që Shkaktojnë dëme të rënda, të gjera ose afatgjata në mjedis,
  • Ashpërsimi i sanksioneve penale dhe vendosja e përgjegjësisë direkte për vendimmarrësit, zyrtarët publikë dhe korporatat përgjegjëse,
  • Harmonizimi i legjislacionit vendor me direktivat e Bashkimit Evropian për krimet mjedisore.

4. Angazhimi i komunave për mbrojtjen e gjelbërimit

Nga komunat kërkohet integrimi i mbrojtjes së gjelbërimit në strategjitë urbane, ndalimi i prerjeve pa analiza ekologjike dhe konsultime publike, si dhe vendosja e objektivave të matshme për zgjerimin e hapësirave të gjelbra.

Pse kjo nismë konsiderohet urgjente

Nisma vjen në një kohë kur Kosova po përballet me urbanizim të pakontrolluar, reduktim drastik të hapësirave të gjelbra, rritje të temperaturave urbane dhe përkeqësim të cilësisë së ajrit. Sipas iniciatorëve, mungesa e reagimit institucional do të prodhonte pasoja afatgjata ekonomike, sociale dhe mjedisore.

Thirrje për veprim institucional dhe solidaritet qytetar

Peticioni u bën thirrje institucioneve shtetërore të ndërmarrin masa të menjëhershme për mbrojtjen ligjore të bimëve, ndalimin e degradimit të ekosistemeve dhe vendosjen e drejtësisë ekologjike si parim themelor të qeverisjes.

Njëkohësisht, qytetarët, profesionistët, aktivistët dhe organizatat ftohen t’i bashkohen nismës, duke theksuar se mbrojtja e bimëve është mbrojtje e jetës dhe se ruajtja e natyrës është investim për të ardhmen.

Mbështetje e gjerë nga qytetaria aktive

Nisma është mbështetur nga dhjetëra organizata dhe institucione të njohura të shoqërisë civile, përfshi aktivistë dhe qytetarë, lista përfshin:


Platforma360

Habitat

Rilindja Gjelbër

7Arte

EC MA NDRYSHE

Ndërmarrja Sociale – Serec

Fondacioni Lumbardhi

SHL-Kosova

OJQ Pishtarët

EcoKosWomen – EKW

Women4Women

Environmentally Responsible Action (ERA)

The Foundation House

Shoqata Profesionale e Informaticientëve të Kosovës – SHPIK

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve

Partners Kosova Center for Conflict Management

ARDA – Association of Regional Development Agencies

KRCT – Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims 

Feride Rushiti – Aktiviste për të drejtat e njeriut

Arta Ibishi Çitaku – Aktiviste

Vlerë Gjakova – Ekepserte e energjisë dhe aktiviste

Lavdi Zymberi – Kosovo Gril Travel

Altina Nika – Aktiviste

Adelina Qarri – Aktiviste

Fjollë Caka – Planere Urbane

Granit Gashi – Aktivist

Blerinda Veliu – Eksperte e Qëndrueshmërisë

Rita Nitaj – Drejtore Ekzekutive, Solarit Academy

Mentor Dida – Aktivist

Uran Haxha – Gazetar

Vullnet Sanaja – Aktivist

Xhejlane Tërbunja – Artiste

Rudinë Jakupi – Aktiviste

Alush Gashi – Aktivist

Shkumbin Shala – Ekspert i Cilësisë së Ajrit

Ardora Bilibani – Aktiviste

Korab Krasniqi – Aktivist

Blerina Reçica – Aktiviste Mjedisore

Linda Cana – Aktiviste

Tinka Kurti – Aktiviste

Vjosa Çerkini

Së bashku me mbi 100 qytetarë të Republikës së Kosovës.

Peticioni mbetet i hapur

Organizatorët bëjnë të ditur se peticioni mbetet i hapur për nënshkrime të mëtejshme dhe do të dorëzohet zyrtarisht në institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, si një kërkesë qytetare për drejtësi mjedisore dhe mbrojtje të së mirës së përbashkët.

Linku për nënshkrim të peticionit: https://c.org/zQSLdhzr5R

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Mbështetje për Mediat e Vogla në Ballkanin Perëndimor, i zbatuar nga Kosovo Glocal / Kosovo 2.0. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet, opinionet ose vlerat e Bashkimit Evropian apo të Kosovo Glocal / Kosovo 2.0.

Shpërndaje:

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Telegram
Email

Thirrje urgjente për veprim institucional dhe përgjegjësi publike