Gjatë periudhës 05–06 janar 2026, Kosova është përballur me reshje intensive shiu, të cilat kanë shkaktuar ngritje të shpejtë të niveleve të lumenjve dhe vërshime lokale, veçanërisht në pjesën perëndimore dhe qendrore të vendit, sipas njoftimit zyrtar të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.
Reshje mbi mesataren
Sipas të dhënave të përpunuara nga modelet evropiane të parashikimit (ECMWF, Copernicus EFAS, ICON, DWD), mesatarja e reshjeve në nivel vendi ka arritur rreth 43 mm për m², ndërsa në disa pellgje lumore vlerat kanë qenë dukshëm më të larta:
- Drini i Bardhë: 76.2 mm
- Lepenci: 47.9 mm
- Ibri: 27.8 mm
- Morava e Binçës: 19.9 mm
Në disa zona, si Radoniq, Gjakovë, Gllogjan, Junik dhe Kramovik, reshjet kanë tejkaluar edhe 100 mm brenda 24 orëve, çka përbën ngarkesë serioze për sistemet natyrore dhe infrastrukturore.
Lumenjtë më të rrezikuar
Situata më e rënduar është regjistruar në lumenjtë:
Drini i Bardhë, Ereniku, Bistrica e Deçanit, Toplluha, Klina, Mirusha, Lumi Drenica dhe Lumi i Istogut, veçanërisht në degët malore, ku janë shënuar dalje nga shtrati dhe përmbytje lokale.
Në disa stacione hidrologjike është evidentuar tejkalim i kuotave normale dhe në raste të caktuara edhe i kuotave maksimale, ndërsa në pjesën lindore dhe jugore të vendit (Ibri, Sitnica, Morava e Binçës, Lepenci, Nerodimja) rritjet janë më të moderuara dhe aktualisht pa rrezik të menjëhershëm.


Parashikimi: Rreziku vazhdon
IHMK paralajmëron se reshjet pritet të vazhdojnë edhe gjatë natës dhe ditës në vijim, duke rritur mundësinë për përkeqësim të situatës, vërshime të reja lokale, probleme në komunikacion dhe ngarkesë në sistemet e kanalizimit.
Çfarë tregon kjo për Kosovën?
Ky episod vërshimesh konfirmon edhe një herë se Kosova është gjithnjë e më e ekspozuar ndaj ngjarjeve ekstreme klimatike, ndërsa mungesa e menaxhimit të integruar të lumenjve, urbanizimi i pakontrolluar dhe degradimi i ekosistemeve e rrisin ndjeshmërinë ndaj përmbytjeve.
Platforma360 do të vazhdojë të ndjekë situatën dhe të raportojë mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike në sigurinë mjedisore dhe jetën e përditshme të qytetarëve.



