Shkruan: Jeta Berisha
Nëse e shohim botën përmes lenteve tradicionale, teknologjia dhe natyra duken si dy realitete të ndara. Njëra është “progres”, tjetra “burim”. Por, kjo ndarje është komplet artificiale. Në realitet, sistemet digjitale që përdorim çdo ditë janë të ndërtuara mbi të njëjtat logjika që kanë formësuar historikisht marrëdhënien tonë me tokën dhe me trupin, mbi qëllimet: nxjerrje, shfrytëzim dhe kontroll.
Kjo është pika ku ndërhyn Cyber-Ekofeminizmi.
Nga toka te të dhënat: Një logjikë e përbashkët e nxjerrjes
Për dekada, Ekofeminizmi ka argumentuar se ekziston një lidhje strukturore midis mënyrës si trajtohet natyra dhe mënyrës si trajtohen gratë. Të dyja janë parë si “burime”, si diçka për t’u përdorur, menaxhuar dhe shfrytëzuar.
Sot, kjo logjikë është zgjeruar në një dimension të ri, të dhënat.
Të dhënat tona mblidhen, analizohen dhe monetizohen në një shkallë globale, shpesh pa pëlqim të qartë, pa transparencë dhe pa reciprocitet. Ashtu si mineralet nxirren nga toka, ashtu edhe informacioni nxirret nga jeta jonë e përditshme.
Cyber-Ekofeminizmi e artikulon këtë paralele, se si nuk kemi të bëjmë me dy sisteme të ndara, por me të njëjtën logjikë vetëm të shtrirë në forma të ndryshme.
Interneti nuk është i padukshëm
Një nga keqkuptimet më të mëdha për botën digjitale është ideja se interneti është i “padukshëm”, “i lehtë” dhe pa ndikim fizik. Në diskursin publik, interneti shpesh përfytyrohet si një hapësirë abstrakte dhe i shkëputur nga realiteti material. Në të vërtetë, infrastruktura digjitale është ndër sistemet më intensive në burime në shkallë globale.
Çdo klikim aktivizon një zinxhir kompleks procesesh që mbështeten në energji, materiale dhe punë njerëzore. Qendrat e të dhënave, të cilat përbëjnë shtyllën e internetit, konsumojnë rreth 1–1.5% të energjisë elektrike globale, ndërsa sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT) kontribuon me afërsisht 2–4% të emetimeve globale të CO₂, një nivel i krahasueshëm me industrinë e aviacionit, duke u bazuar në raportet e International Energy Agency dhe studime të fundit mbi ndikimin klimatik të teknologjisë.
Përtej energjisë, dimensioni material është po aq kritik. Pajisjet digjitale dhe infrastruktura e tyre mbështeten në nxjerrjen e mineraleve si litiumi, kobalti dhe metalet e rralla, procese që shpesh zhvillohen në kushte të rënda pune dhe me ndikime të konsiderueshme mjedisore. Kjo lidh drejtpërdrejt ekonominë digjitale me zinxhirët globalë të nxjerrjes dhe prodhimit.
Në Kosovë, kjo ndërlidhje bëhet veçanërisht e dukshme kur analizohet struktura energjetike. Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe raporteve të sektorit energjetik, mbi 90% e prodhimit të energjisë elektrike vazhdon të vijë nga termocentralet me linjit. Kjo do të thotë se çdo aktivitet digjital, nga përdorimi i rrjeteve sociale deri te operimi i serverëve lokal, mbart gjurmë të drejtpërdrejta karboni. Mbi këtë kontekst, transformimi digjital nuk është më neutral, por i ndërthurur ngushtë me sfidat klimatike dhe energjetike të vendit.
Një tjetër dimension i shpesh i padukshëm është puna njerëzore që e mban funksional këtë sistem. Nga punëtorët në zinxhirët e furnizimit me minerale, te moderatorët e përmbajtjes dhe punonjësit e mirëmbajtjes së infrastrukturës digjitale, një pjesë e madhe e kësaj pune mbetet e paidentifikuar dhe e nënvlerësuar në analizat ekonomike tradicionale.
Pikërisht për këto arsye, Cyber-ekofeminizmi refuzon idenë e teknologjisë si një sistem neutral, duke e zhvendos analizën drejt marrëdhënieve të pushtetit se kush e zotëron dhe kontrollon këtë infrastrukturë globale; kush përfiton nga prodhimi dhe monetizimi i të dhënave; dhe më e rëndësishmja: kush e paguan koston, në mjedis, në punë dhe në jetë?
Nga Cyber-feminizmi te Cyber-ekofeminizmi
Për të kuptuar këtë qasje, duhet të kthehemi te rrënjët e saj.
Mindy Seu, përmes projektit të saj Cyberfeminism Index, ndërton një arkivë kritike të Cyber-feminizmit, duke dokumentuar dekada të praktikave, teorive dhe ndërhyrjeve që eksplorojnë mënyrën se si gjinia, identiteti dhe pushteti ndërveprojnë brenda hapësirave digjitale. Ky projekt e zhvendos narrativën dominante për internetin nga një hapësirë e supozuar neutrale, drejt një terreni të kontestuar, ku gratë dhe komunitetet e margjinalizuara jo vetëm kanë rezistuar, por kanë prodhuar forma të reja njohje dhe imagjinimi teknologjik.
Kjo linjë mendimi ndërthuret fuqishëm me teorinë e Donna Haraway dhe tekstin e saj themelor “A Cyborg Manifesto”, ku kufijtë tradicional mes njeriut, natyrës dhe makinës shpërbëhen. Haraway propozon figurën e “ciborgut” si një metaforë për të kuptuar subjektin modern, të ndërthurur, hibrid dhe të çliruar nga dualizmat klasikë. Në këtë kuptim, teknologjia nuk paraqitet si një armik i jashtëm, por si një hapësirë e potencialit politik dhe epistemologjik, nëse rikonceptohet përtej strukturave dominuese të pushtetit.
Në një dimension paralel, Vandana Shiva, përmes veprës së saj Staying Alive, ofron një kritikë të thellë ndaj modelit ekonomik global, duke argumentuar se si është ndërtuar mbi shkatërrimin sistematik të biodiversitetit dhe mbi margjinalizimin e grave, veçanërisht në kontekste rurale dhe në ekonomitë e Jugut Global. Për Shivan, kriza ekologjike nuk mund të kuptohet e ndarë nga padrejtësia sociale, sepse janë produkte të së njëjtës logjikë zhvillimi, që vlerëson nxjerrjen dhe dominimin mbi jetën.
Në këtë ndërthurje, Cyber-ekofeminizmi shfaqet si një kornizë që lidh këto dimensione: e vendos teknologjinë brenda të njëjtave struktura që kanë formësuar marrëdhëniet tona me natyrën dhe trupin, duke kërkuar jo vetëm analizë kritike, por edhe riimagjinim të mënyrës se si këto sisteme mund të ekzistojnë ndryshe.
Të dhënat nuk janë kurrë neutrale
Në dekadën e fundit, një nga zhvendosjet më të rëndësishme në studimet mbi teknologjinë ka ardhur nga koncepti i “data feminism”, një qasje që sfidon idenë se të dhënat janë treflektim objektiv i realitetit.
Në librin Data Feminism, Catherine D’Ignazio dhe Lauren F. Klein argumentojnë se të dhënat nuk janë vetëm numra apo evidencë empirike, por produkte të proceseve sociale, politike dhe ekonomike. Ato krijohen, filtrohen dhe interpretohen brenda strukturave të pushtetit.
Kjo do të thotë se çdo dataset bart me vete një histori të padukshme vendimmarrje, se çfarë konsiderohet e rëndësishme për t’u matur, çfarë lihet jashtë dhe pse, po ashtu, kush e ka kapacitetin për t’i mbledhur dhe analizuar këto të dhëna
Në këtë kuptim, vetë akti i grumbillimit dhe matjes së të dhënave është politik.
Në praktikë, kjo reflektohet në mënyra shumë konkrete. Sistemet algoritmike që përdoren për vendimmarrje nga punësimi te kreditimi, nga siguria publike te shëndetësia, janë ndërtuar mbi të dhëna historike. Nëse këto të dhëna përmbajnë pabarazi, algoritmet jo vetëm që i reflektojnë ato, por shpesh i përforcojnë.
Kjo kritikë thellohet nga Safiya Umoja Noble në librin Algorithms of Oppression, ku ajo demonstron se si motorët e kërkimit dhe platformat digjitale mund të riprodhojnë stereotipe racore dhe gjinore. Kërkimet e saj tregojnë se rezultatet e algoritmeve nuk janë neutral, pasi janë të ndikuara nga logjika komerciale, prioritetet e platformave dhe strukturat ekzistuese të pushtetit në shoqëri.
Në nivel global, kjo problematikë është bërë gjithnjë e më kritike me rritjen e përdorimit të inteligjencës artificiale. Sipas analizave të fundit në fushën e AI Governance, një pjesë e konsiderueshme e dataseteve që trajnojnë modelet algoritmike dominohen nga perspektiva të kufizuara gjeografike dhe kulturore, duke krijuar sisteme që nuk përfaqësojnë realitetin global në mënyrë të barabartë.
Në kontekstin e Kosovës dhe rajonit, kjo çështje merr një dimension shtesë. Mungesa e të dhënave të strukturuara, transparenca e kufizuar institucionale dhe digitalizimi i pjesshëm krijojnë boshllëqe që ndikojnë drejtpërdrejt në politikëbërje dhe zhvillim. Kur të dhënat mungojnë, komunitetet bëhen të padukshme, kur ato janë të pjesshme edhe realiteti deformohet.
Prandaj, të kuptuarit e të dhënave si një çështje pushteti është një domosdoshmëri për drejtësi sociale dhe digjitale.
Në thelb, “Data feminism” dhe Cyber-ekofeminizmi na kërkojnë të bëjmë një kthesë të rëndësishme: të mos i shohim të dhënat si të vërteta absolute, por si struktura që duhet të analizohen, sfidohen dhe riimagjinohen.
Nëse të dhënat ndërtojnë realitetin tonë digjital, atëherë kush ka fuqinë për t’i ndërtuar ato dhe për kë funksionojnë.
Nga grumbullimi drejt kujdesit
Cyber-ekofeminizmi nuk qëndron si kritikë ndaj sistemeve ekzistuese, por e artikulon edhe një alternativë. Një mënyrë tjetër e të menduarit dhe ndërtimit, që sfidon logjikën dominuese të grumbullimit dhe akumulimit të të dhënave, e cila e ka formësuar si ekonominë globale, ashtu edhe arkitekturën e teknologjisë digjitale.
Për dekada, zhvillimi teknologjik është udhëhequr nga një parim, më shumë të dhëna, më shumë efikasitet, më shumë rritje. Kjo logjikë ka prodhuar sisteme që optimizojnë performancën, por shpesh në kurriz të transparencës, privatësisë dhe mirëqenies sociale. Modelet e biznesit të ekonomisë digjitale, veçanërisht ato të bazuara në platforma, janë ndërtuar mbi grumbullimin masiv të të dhënave dhe monetizimin e tyre, një formë e re e “grumbullimit”, që nuk ndodh më vetëm mbi tokën, por edhe mbi jetën tonë digjitale.
Në këtë kontekst, Cyber-ekofeminizmi propozon zhvendosje nga një ekonomi e grumbullimit drejt një etike të kujdesit.
Kjo nënkupton një rikonceptim të mënyrës se si ndërtohen sistemet digjitale që respektojnë kufijtë ekologjik dhe dinjitetin njerëzor. Në vend të përdorimit të të dhënave pa pëlqim të qartë, theksi zhvendoset drejt praktikave të bazuara në transparencë dhe marrëdhënie reciproke. Në vend të individualizmit të theksuar që karakterizon ekonominë digjitale aktuale, promovohet një qasje e përqendruar në komunitet dhe bashkëpunim.
Kjo është veçanërisht relevante në një kohë kur zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe sistemeve të automatizuara po riformëson strukturat ekonomike dhe sociale. Sipas analizave të fundit mbi ekonominë digjitale, një pjesë e konsiderueshme e vlerës globale sot gjenerohet nga të dhënat, por përfitimet e kësaj vlere mbeten të përqendruara në një numër të vogël aktorësh global.
Në Kosovë dhe rajon, ku proceset e digjitalizimit janë ende në zhvillim, kjo qasje ofron një mundësi për të mos përsëritur modelet ekzistuese, por për të ndërtuar sisteme më të drejta që në fazat e hershme. Kjo nënkupton integrimin e parimeve të etikës, transparencës dhe përfshirjes në vetë dizajnin e platformave dhe politikave digjitale.
Cyber-ekofeminizmi duhet të shndërrohet në një kornizë konkrete për të menduar të ardhmen, ku teknologjia nuk matet vetëm me shpejtësi dhe efikasitet, por me aftësinë e saj për të prodhuar mirëqenie kolektive, për të respektuar kufijtë e planetit dhe për të ndërtuar marrëdhënie më të drejta mes njerëzve dhe sistemeve që i rrethojnë.


Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Mbështetje për Mediat e Vogla në Ballkanin Perëndimor, i zbatuar nga Kosovo Glocal / Kosovo 2.0. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet, opinionet ose vlerat e Bashkimit Evropian apo të Kosovo Glocal / Kosovo 2.0.