Emetimet e luftës: ndotja që nuk raportohet

Luftërat gjithmonë kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një ndikim të madh dhe shpesh të nënvlerësuar në ndryshimet klimatike. Luftërat globale gjenerojnë sasi të mëdha të emetimeve të gazeve serrë (GHG), në disa raste më shumë se emetimet vjetore të shumë shteteve të zhvilluara. Megjithatë, sipas Marrëveshjes së Parisit, shtetet nuk janë të detyruara të raportojnë emetimet që vijnë nga aktivitetet ushtarake, çka bën që pasqyrat kombëtare të emetimeve të jenë të paplota dhe të nënvlerësojnë realitetin.

Në thelb, kjo do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e ndotjes globale mbetet jashtë llogaritjeve zyrtare. Studimet e fundit sipas raportit “Estimating the Military’s Global Greenhouse Gas Emissions” të Scientists for Global Responsibility (2022) dhe Conflict and Environment Observatory, tregohet se aktivitetet ushtarake mund të përbëjnë rreth 5.5% të emetimeve globale të gazeve serrë, një nivel i krahasueshëm me industrinë e aviacionit dhe potencialisht edhe më i lartë për shkak të mungesës së të dhënave.

Përtej emetimeve direkte nga përdorimi i karburanteve në tanke, avionë dhe anije, luftërat shkaktojnë edhe pasoja të tjera klimatike: shkatërrim të ekosistemeve, prerje masive të pyjeve, ndotje të tokës dhe ujit, si dhe rindërtim të infrastrukturës që kërkon sasi të mëdha materiali si çeliku dhe çimentoja, të gjitha procese me intensitet të lartë karboni.

Problem thelbësor mbetet mungesa e transparencës dhe si rezultat, ndikimi klimatik i luftërave mbetet kryesisht i fshehur në sistemin global të llogaritjes së karbonit.

Në zona konflikti, situata bëhet edhe më komplekse dhe shpesh çojnë në shfrytëzim të pakontrolluar të burimeve natyrore, zhvendosjes të popullsisë dhe dobësim të institucioneve mjedisore, duke përshpejtuar degradimin mjedisor dhe duke krijuar emetime shtesë që nuk regjistrohen.

Mbi këtë kontekst, ekspertët botëror po argumentojnë se pa përfshirjen e plotë të sektorit ushtarak në politikat klimatike dhe në sistemet e raportimit, përpjekjet globale për të parandaluar ndryshimet klimatike do të mbeten të paplota. Lufta, në këtë kuptim, nuk është më vetëm krizë humanitare dhe politike, por edhe një faktor i rëndësishëm në përshpejtimin e krizës klimatike.

Kostoja e fshehur e karbonit nga lufta

Ndryshe nga shumica e sektorëve ekonomik, sektori i mbrojtjes nuk ka detyrim të qartë për raportimin e emetimeve të gazeve serrë. Kjo situatë buron nga Protokolli i Kiotos, një marrëveshje ndërkombëtare e vitit 1997 në kuadër të Konventa Kuadër e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), e cila për herë të parë vendosi objektiva të detyrueshme për reduktimin e emetimeve për vendet e industrializuara. Megjithatë, në atë kohë, emetimet nga sektori ushtarak u përjashtuan qëllimisht nga raportimi, kryesisht nën presionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me argumentin e sigurisë kombëtare.

Sipas analizave të publikuara në Scientific American dhe studimeve të klimës, ky përjashtim krijoi një precedent institucional që vazhdon të ndikojë edhe sot në mënyrën se si maten dhe raportohen emetimet globale.

Edhe pse Marrëveshja e Parisit e hoqi këtë përjashtim formal dhe e bëri raportimin më gjithëpërfshirës në teori, në praktikë raportimi i emetimeve ushtarake mbetet vullnetar. Duke u bazuar në raportet e Conflict and Environment Observatory, shumë pak shtete publikojnë të dhëna të plota dhe të standardizuara mbi ndikimin e sektorit të tyre të mbrojtjes.

Si rezultat, ndikimi klimatik i operacioneve ushtarake dhe konflikteve globale mbetet në hije, duke krijuar boshllëqe serioze në inventarët kombëtarë dhe global të karbonit.

Si gjurmohen dhe llogariten emetimet ushtarake

Për të kuptuar realisht ndikimin e luftës në klimë, përdoret një sistem i ndarjes së emetimeve në tre kategori:

Scope 1: Përfshin emetimet direkte nga aktivitetet ushtarake, si djegia e karburantit në tanke, avionë luftarakë, anije dhe mjete të tjera gjatë operacioneve. Këto janë zakonisht të vetmet emetime që raportohen pjesërisht nga disa shtete.

Scope 2: Përfshin emetimet indirekte nga energjia e blerë dhe e konsumuar nga bazat ushtarake, instalimet dhe infrastruktura mbështetëse (energji elektrike, ngrohje, ftohje).

Scope 3: Përfshin të gjitha emetimet e tjera indirekte përgjatë zinxhirit të plotë të aktivitetit ushtarak, si prodhimi i armëve, transporti global i pajisjeve, furnizimet logjistike, ndërtimi i bazave, shkatërrimi i pyjeve nga bombardimet, si dhe rindërtimi pas luftës që kërkon industri me intensitet të lartë karboni si çeliku dhe çimentoja .

Problemi thelbësor qëndron në faktin se shumica e raportimeve (aty ku ekzistojnë) fokusohen vetëm në Scope 1 dhe 2, duke lënë jashtë Scope 3, i cili, sipas analizave të organizatave si Conflict and Environment Observatory, përbën pjesën dërrmuese të gjurmës së karbonit të sektorit ushtarak.

Problemi kryesor është se shumica e raportimeve (aty ku ekzistojnë) fokusohen vetëm në Scope 1 dhe 2, duke lënë jashtë Scope 3, i cili në realitet përbën pjesën më të madhe të gjurmës së karbonit të sektorit ushtarak.

Kjo krijon një shtrembërim të madh në të dhëna. Për shembull, duke u bazuar në studime të fundit klimatike, nëse përfshihen të gjitha kategoritë e emetimeve (sidomos Scope 3), ndikimi total i sektorit ushtarak shpesh nuk reflektohet në inventarët zyrtarë.

Një tjetër sfidë është mungesa e transparencës në zonat e konfliktit aktiv. Në vende si Sudani apo Somalia, ku institucionet janë të dobëta ose të kolapsuara, aktivitetet ushtarake dhe shfrytëzimi i pakontrolluar i burimeve natyrore gjenerojnë emetime të konsiderueshme që nuk maten dhe nuk raportohen fare.

Për më tepër, shumë nga emetimet më të mëdha ndodhin jashtë vetë zonës së luftës, në fabrikat e prodhimit të armëve, në transportin ndërkombëtar dhe në fazën e rindërtimit pas konfliktit. Këto emetime shpesh klasifikohen si “ekonomike” dhe jo “ushtarake”, duke e bërë edhe më të vështirë identifikimin e përgjegjësisë reale.

Si rezultat, sistemi aktual i matjes së emetimeve në kontekstin e luftës mbetet i fragmentuar dhe jo gjithëpërfshirës. Pa përfshirjen e plotë të Scope 3 dhe pa standarde të detyrueshme raportimi në nivel global, ndikimi real klimatik i luftërave vazhdon të jetë i nënvlerësuar dhe i padukshëm në politikat ndërkombëtare.

Studimet në zona lufte: nga Gaza në Ukrainë

Studimet e fundit po fillojnë të mbushin boshllëkun e madh informativ mbi ndikimin klimatik të luftërave, duke ofruar vlerësime gjithnjë e më të sakta mbi koston reale të karbonit.

Sipas një studimi të publikuar nga Queen Mary University of London në vitin 2024, vetëm 120 ditët e para të luftës në Gaza kanë gjeneruar mes 420,000 dhe 650,000 ton CO₂, më shumë se emetimet vjetore të 26 shteteve së bashku. Kjo shifër përfshin kryesisht emetimet direkte nga operacionet ushtarake dhe shkatërrimi i menjëhershëm i infrastrukturës.

Bazuar në të njëjtin studim, kur përfshihen edhe emetimet nga ndërtimet para luftës dhe rindërtimi pas saj, ndikimi total rritet në mbi 47 milionë ton CO₂, një nivel që tejkalon emetimet vjetore të më shumë se 135 shteteve.

Një pjesë e madhe e këtyre emetimeve lidhet me industrinë e ndërtimit. Sipas raportit të International Energy Agency, sektori i çimentos kontribuon me rreth 7–8% të emetimeve globale të CO₂, çka e bën rindërtimin pas luftës një proces me ndikim të lartë klimatik.

Në mënyrë të ngjashme, sipas analizave të publikuara nga Reuters dhe studimeve mbi ndikimin klimatik të konfliktit, pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka prodhuar të paktën 175 milionë ton CO₂ gjatë dy viteve të para të luftës, një nivel i krahasueshëm me emetimet vjetore të Holanda.

Sipas këtyre vlerësimeve, duke u bazuar në analizat e Conflict and Environment Observatory dhe institucioneve kërkimore, përfshijnë jo vetëm përdorimin e karburanteve në operacione ushtarake, por edhe zjarret masive, shpërthimet industriale dhe materialet e përdorura për rindërtim .

Për më tepër, sipas raporteve mjedisore ndërkombëtare, lufta në Ukrainë ka shkaktuar ndotje të konsiderueshme të tokës dhe ujit përmes dëmtimit të impianteve industriale dhe derdhjes së kimikateve, duke ndikuar në degradimin afatgjatë të ekosistemeve.

Një tjetër faktor i rëndësishëm janë zjarret e shkaktuara nga bombardimet. Duke u bazuar në analizat klimatike të publikuara nga organizata kërkimore, këto zjarre, sidomos në depo nafte, fabrika dhe zona pyjore, çlirojnë sasi të mëdha karboni në një periudhë shumë të shkurtër kohe, duke rritur ndjeshëm intensitetin e emetimeve gjatë konfliktit.

Këto të dhëna tregojnë qartë se ndikimi klimatik i luftës është edhe i menjëhershëm, por edhe afatgjatë, nga shkatërrimi fillestar deri tek rindërtimi, çdo fazë e konfliktit gjeneron emetime dhe dëme që zgjasin për dekada.

Sipas analizave të studiuesve të klimës, luftërat mund të konsiderohen si “super-emetues” të përkohshëm, ngjarje që në pak muaj apo vite prodhojnë një gjurmë karboni të krahasueshme me atë të shteteve të tëra.

A mund të reduktohen emetimet ushtarake?

Kërkesat për transparencë dhe ndryshim po rriten ndjeshëm në nivel global. Organizatat mjedisore, studiues dhe institucione ndërkombëtare po kërkojnë që Kombet e Bashkuara të vendosin raportimin e detyrueshëm të emetimeve ushtarake në kuadër të mekanizmave të UNFCCC, duke e trajtuar sektorin e mbrojtjes si çdo sektor tjetër me ndikim të lartë në klimë.

Një nga problemet kryesore mbetet mungesa e standardizimit. Aktualisht, nuk ekziston një metodologji e detyrueshme globale për matjen e emetimeve ushtarake, çka krijon mospërputhje të mëdha mes shteteve. Iniciativa si “Military Emissions Gap” po përpiqen të mbushin këtë boshllëk, duke krahasuar të dhënat e raportuara me vlerësimet reale dhe duke evidentuar nënraportimin sistematik.

Në aspektin praktik, reduktimi i emetimeve ushtarake kërkon ndërhyrje në disa nivele:

Së pari, dekarbonizimi i operacioneve ushtarake. Ushtritë janë ndër konsumatorët më të mëdhenj të karburanteve fosile në botë. Për shembull, vetëm Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së është një nga konsumatorët më të mëdhenj institucional të naftës globalisht. Kalimi drejt energjive alternative, elektrifikimi i flotave dhe përdorimi i biokarburanteve janë disa nga drejtimet që po eksplorohen, megjithëse me sfida të mëdha teknike dhe logjistike.

Së dyti, zinxhirët e furnizimit dhe industria e mbrojtjes. Prodhimi i armëve, pajisjeve dhe infrastrukturës ushtarake përfshin industri me intensitet të lartë karboni si çeliku dhe çimentoja. Pa transformimin e këtyre industrive, reduktimi i emetimeve mbetet i kufizuar.

Së treti, integrimi i klimës në doktrinat e sigurisë kombëtare. Gjithnjë e më shumë institucione po e njohin ndryshimin klimatik si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë globale, duke përfshirë rritjen e konflikteve për burime, migracionin klimatik dhe destabilizimin ekonomik.

Disa shtete tashmë kanë filluar të ndërmarrin hapa konkretë. Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës publikojnë raporte mbi emetimet ushtarake dhe kanë filluar të integrojnë objektiva reduktimi në strategjitë e tyre. Për më tepër, vende si Kanadaja, Japonia dhe Holanda kanë nisur të përfshijnë sektorin e mbrojtjes në planet e tyre net-zero.

Një shembull pozitiv është Zelanda e Re, e cila ka vendosur objektiva specifike për reduktimin e emetimeve në ushtri, ndërsa Parlamenti Evropian ka bërë thirrje për raportim transparent dhe përfshirje të plotë të emetimeve ushtarake në objektivat klimatike të shteteve anëtare.

Megjithatë, këto përpjekje mbeten të paplota dhe jo të detyrueshme, pa u bazuar në ndonjë kornizë globale të standardizuar dhe pa presion politik për zbatim, shumica e emetimeve ushtarake vazhdojnë të mbeten jashtë radarit të politikave klimatike.

Reduktimi i emetimeve ushtarake kërkon rishikim të prioriteteve globale, nga një model sigurie i bazuar në armatim dhe konflikt, drejt një modeli që e konsideron stabilitetin klimatik si themel të sigurisë afatgjate.

Kur siguria ushtarake sfidon sigurinë klimatike

Megjithatë, ky progres i kufizuar drejt transparencës dhe reduktimit të emetimeve po vihet seriozisht në pikëpyetje nga një trend i kundërt, si rritja e shpejtë dhe e paprecedentë e shpenzimeve ushtarake, veçanërisht në Evropë.

Bashkimi Evropian ka shpallur plane ambicioze për të forcuar kapacitetet e mbrojtjes, duke synuar dyfishimin e buxhetit ushtarak deri në vitin 2035 dhe mobilizimin e deri në 800 miliardë eurove për sektorin e mbrojtjes në vitet e ardhshme. Ky orientim strategjik vjen si përgjigje ndaj pasigurive gjeopolitike, por njëkohësisht krijon një tension të drejtpërdrejtë me objektivat klimatike të kontinentit.

Në nivel global, sipas të dhënave të SIPRI-së, shpenzimet ushtarake arritën mbi 2.4 trilionë dollarë në vitin 2024-të, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Vetëm vendet e NATO-së përbëjnë mbi gjysmën e kësaj shume, duke reflektuar një orientim të fortë drejt militarizimit të ekonomive moderne.

Kjo rritje ka pasoja direkte klimatike. Analizat tregojnë se zgjerimi i aktiviteteve ushtarake dhe prodhimit të pajisjeve të mbrojtjes mund të shtojë deri në 200 milionë ton CO₂ në vit, një nivel i krahasueshëm me emetimet vjetore të vendeve të tëra industriale. Këtu përfshihen jo vetëm operacionet ushtarake, por edhe prodhimi i armëve, zinxhirët e furnizimit, infrastruktura dhe mirëmbajtja e bazave.

Një dimension tjetër kritik është zhvendosja e investimeve. Fondet publike që mund të kanalizoheshin drejt energjisë së rinovueshme, efikasitetit energjetik, transportit të qëndrueshëm apo adaptimit klimatik, po ridrejtohen drejt industrisë së mbrojtjes. Kjo krijon një “kosto oportuniteti” të lartë për tranzicionin e gjelbër.

Për shembull, Suedia ka paralajmëruar rritjen e buxhetit ushtarak në rreth 3% të PBB-së (Produkti i Brendshëm Bruto) deri në vitin 2030-të, ndërsa shumë shtete të tjera evropiane po ndjekin të njëjtin model. Këto zhvillime sinjalizojnë një zhvendosje në prioritetet ekonomike dhe politike.

Ekspertët e klimës theksojnë se pa integrimin e plotë të emetimeve ushtarake në politikat klimatike, duke përfshirë raportimin e detyrueshëm, objektivat e reduktimit dhe përfshirjen në strategjitë Net-Zero, do të jetë e pamundur të arrihen objektivat globale të Marrëveshjes së Parisit.

Në këtë kontekst, lind një paradoks i qartë, se si përpjekjet për të rritur sigurinë kombëtare përmes militarizimit mund të kontribuojnë në destabilizimin afatgjatë global përmes përshpejtimit të krizës klimatike.

Nëse klima konsiderohet si një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë në shekullin XXI, ashtu siç e kanë pranuar vetë shumë institucione ndërkombëtare, atëherë përjashtimi i sektorit ushtarak nga përgjegjësia klimatike nuk është vetëm një boshllëk politik, por një kontradiktë strategjike.

Përtej emetimeve, kapitali njerëzor

Ndikimi klimatik i luftës nuk mund të analizohet jashtë kontekstit të pasojave të saj njerëzore, të cilat janë të menjëhershme, të matshme dhe shpesh të pakthyeshme.

Në Gaza, sipas analizave të publikuara dhe studimeve të rishikuara shkencërisht, mbi 75,000 njerëz kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 50% e ndërtesave janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë, duke krijuar një krizë të thellë humanitare dhe infrastrukturore. Përtej kësaj, mbi 1.7 milionë njerëz janë zhvendosur brenda territorit, një nga nivelet më të larta të zhvendosjes për kapital në botë, duke rritur presionin mbi burimet natyrore, ujin dhe sistemet sanitare.

Në Ukrainë, duke u bazuar në raportet ndërkombëtare dhe analizat e institucioneve si Banka Botërore dhe OKB, mbi 10 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i luftës, ndërsa dhjetëra mijëra civilë janë vrarë. Dëmet infrastrukturore vlerësohen në mbi 400 miliardë dollarë, duke përfshirë energjinë, transportin dhe banesat, një proces rindërtimi që do të kërkojë sasi masive çeliku dhe çimentoje, dhe rrjedhimisht do të gjenerojë miliona ton emetime shtesë CO₂.

Në të njëjtën kohë, konfliktet në vende si Sudani dhe rajoni i Liqenit Çad kanë shkaktuar humbje të mëdha të biodiversitetit dhe degradim të tokës. Sipas raporteve mjedisore, vetëm në një shtet të Sudanit janë humbur mbi 6,000 hektarë vegjetacion natyror për shkak të aktiviteteve ushtarake dhe zhvendosjes së popullsisë, duke përshpejtuar ciklin e varfërisë dhe krizave klimatike.

Këto shifra përveç që janë indikatorë të humbjes njerëzore, flasin edhe për një presioni të shumëfishtë mbi sistemet ekologjike. Sepse lufta nuk shkatërron vetëm jetët dhe komunitetet, por edhe kapacitetin e natyrës për t’u rigjeneruar.

Siç thekson studiuesi Patrick Bigger, “Emetimet e karbonit të gjeneruara nga lufta nuk janë arsyeja kryesore pse duhet kërkuar armëpushim, çdo jetë njerëzore në rrezik është arsye e mjaftueshme”. Por, këto të dhëna na tregojnë ndikimet afatgjata sociale dhe mjedisore të konfliktit.

Luftërat funksionojnë si një “përshpejtues i krizave”, duke kombinuar në të njëjtën kohë kolapsin social, krizën humanitare dhe përshpejtimin e ndryshimeve klimatike. Zhvendosja masive e popullsisë e rrit kërkesën për burime, ndërsa shkatërrimi i infrastrukturës krijon cikle të reja prodhimi dhe ndërtimi me intensitet të lartë karboni.

Në nivel global, sipas analizave të institucioneve klimatike, nëse përfshihen të gjitha efektet direkte dhe indirekte të luftërave, ndikimi i tyre mund të rivalizojë ose edhe tejkalojë emetimet e disa ekonomive të mesme, duke e bërë sektorin e konfliktit një nga kontribuuesit më të nënraportuar në krizën klimatike.

Pa transparencë, pa matje të plotë dhe pa integrim të emetimeve ushtarake në politikat globale klimatike, një pjesë e madhe e problemit mbetet e padukshme dhe pikërisht për këtë arsye, ende është e pazgjidhur.

Lufta është edhe krizë klimatike

Luftërat nuk vrasin vetëm njerëz, por edhe i përshpejtojnë ndryshimet klimatike.

Në një shekull botë që po përballet njëkohësisht me pasiguri gjeopolitike dhe krizë klimatike, ndarja mes sigurisë ushtarake dhe asaj klimatike nuk është më e qëndrueshme. Klima është siguri dhe çdo vendim për luftë është njëkohësisht edhe një vendim për pasoja klimatike afatgjate.

Shtetet duhet të rishqyrtojnë thellësisht arsyet për konflikt dhe kostot e padukshme që ato prodhojnë për shoqëritë e së ardhmes, nga shkatërrimi i infrastrukturës dhe ekosistemeve, te ciklet e pafundme të rindërtimit që rrisin emetimet dhe përshpejtojnë krizën globale.

Në këtë trajtë, dilema publike se a është e pranueshme që me taksat e qytetarëve të financohen aktivitete që kontribuojnë në ndotje dhe shkatërrim mjedisor dhe më pas po ata qytetarë të taksohen sërish për të përballuar kostot e shëndetit dhe të ndryshimeve klimatike, mbetet e paadresuar si në raporte ashtu edhe në narrativën mediale.

Zërat që lidhin luftën me krizën klimatike po bëhen gjithnjë e më të fortë, aktiviste si Greta Thunberg kanë theksuar vazhdimisht se krizat globale, qoftë klimatike apo humanitare nuk janë të ndara, por burojnë nga të njëjtat modele politike dhe ekonomike që vendosin fitimin dhe pushtetin mbi qëndrueshmërinë dhe jetën.

Nëse e trajtojmë klimën si një çështje dytësore, ndërkohë që përshkallëzhen konfliktet, atëherë po e ndërtojmë një të ardhme të paqëndrueshme në çdo dimension. Siguria nuk mund të arrihet pa stabilitet klimatik.

Prandaj, përceptimi s’duhet të jetë më nëse luftërat ndikojnë në klimë, por nëse jemi të gatshëm të përballemi me këtë realitet dhe të kërkojmë përgjegjësi për të.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Mbështetje për Mediat e Vogla në Ballkanin Perëndimor, i zbatuar nga Kosovo Glocal / Kosovo 2.0. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet, opinionet ose vlerat e Bashkimit Evropian apo të Kosovo Glocal / Kosovo 2.0.

Shpërndaje:

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Telegram
Email

Thirrje urgjente për veprim institucional dhe përgjegjësi publike