22 miliardë euro në 44 ditë, i kushtoi Evropës varësia nga nafta

Burimi: Komisioni Evropian

Sipas deklaratës zyrtare të Komisioni Evropian, përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka pasur një ndikim të menjëhershëm dhe të matshëm në ekonominë evropiane. Brenda vetëm 44 ditëve nga fillimi i konfliktit, fatura e importit të lëndëve djegëse fosile për Bashkimin Evropian është rritur me mbi 22 miliardë euro, pa shtuar asnjë njësi të re energjie në treg.

Ky zhvillim e konfirmon një realitet tashmë të njohur në politikën energjetike evropiane: varësia nga tregjet globale të energjisë fosile e ekspozon kontinentin ndaj krizave të jashtme dhe luhatjeve të papritura të çmimeve. Siç theksohet nga Komisioni, edhe në rast të përfundimit të menjëhershëm të konfliktit, ndërprerjet në furnizim dhe pasojat ekonomike do të vazhdojnë të ndihen për një periudhë të gjatë.

Në këtë kontekst, Komisioni Evropian ka artikuluar një qasje të dyfishtë: masa emergjente për stabilizimin e tregut dhe masa strukturore për transformimin e sistemit energjetik.

Në planin afatshkurtër, fokusi është në koordinimin më të fortë mes shteteve anëtare, gjë që përfshin menaxhimin e përbashkët të rezervave të gazit dhe koordinimin e lirimit të rezervave të naftës, me qëllim shmangien e konkurrencës së brendshme që rrit çmimet. Po ashtu, janë parashikuar masa të targetuara për mbrojtjen e familjeve dhe sektorëve më të prekur, të cilat duhet të jenë të përkohshme dhe të dizajnuara me kujdes për të mos deformuar tregun e përbashkët.

Megjithatë, dimensioni më kritik i strategjisë mbetet ai afatgjatë. Komisioni e konsideron këtë krizë si një provë të qartë se energjia fosile do të mbetet opsioni më i shtrenjtë dhe më i pasigurt për Evropën në vitet në vijim.

Për këtë arsye, drejtimi strategjik është i qartë: përshpejtimi i tranzicionit drejt energjisë së pastër dhe prodhimit vendor. Aktualisht, mbi 70% e energjisë elektrike në BE prodhohet nga burime të pastra, përfshirë energjinë e rinovueshme dhe atë bërthamore, duke reflektuar një transformim të rëndësishëm të miksit energjetik evropian.

Megjithatë, sfida kryesore nuk qëndron vetëm në prodhim, por në integrimin e kësaj energjie në sistem. Kufizimet në rrjetet energjetike dhe mungesa e kapaciteteve të ruajtjes bëjnë që një pjesë e energjisë së pastër të mos shfrytëzohet plotësisht. Si përgjigje, Komisioni po përshpejton investimet në infrastrukturë, duke synuar zgjerimin e rrjeteve dhe zhvillimin e teknologjive të avancuara të ruajtjes së energjisë.

Një nga shtyllat kryesore të kësaj qasjeje është strategjia e re e elektrifikimit, e cila pritet të prezantohet para verës dhe të diskutohet në Samitin Joformal në Qipro. Kjo strategji synon të rrisë përdorimin e energjisë elektrike në sektorë si transporti, industria dhe ngrohja, duke reduktuar ndjeshëm varësinë nga karburantet fosile dhe duke rritur autonominë energjetike të Evropës.

Në thelb, mesazhi i Komisionit është i qartë: krizat energjetike nuk janë vetëm sfida ekonomike, por edhe katalizatorë për transformim. Evropa po e përdorë këtë moment për të përshpejtuar një tranzicion që tashmë ishte në zhvillim, drejt një sistemi energjetik të bazuar në burime të brendshme, të qëndrueshme dhe më pak të ekspozuara ndaj krizave globale.

Ky transformim është një projekt strategjik për sigurinë, ekonominë dhe të ardhmen klimatike të kontinentit.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Mbështetje për Mediat e Vogla në Ballkanin Perëndimor, i zbatuar nga Kosovo Glocal / Kosovo 2.0. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet, opinionet ose vlerat e Bashkimit Evropian apo të Kosovo Glocal / Kosovo 2.0.

Shpërndaje:

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Telegram
Email

Thirrje urgjente për veprim institucional dhe përgjegjësi publike