Arti si formë ndërgjegjësimi për ndryshimet klimatike

Shkruan: Fisnik Dajakaj

Nëpër programet televizive të RTV 21, gjatë viteve 2010, na servohej një dyvargësh kënge që ngelet në mend për thjeshtësinë e ndërtimit dhe mesazhin e fuqishëm që ka: “Më fal moj shoqe që nuk të njoh, nga bërlloku nuk po të shoh”.

Kjo këngë, që ishte pjesë hyrëse e një emisioni, kishte doza të thella parodie e shpotie dhe lidhte një qark interesant mendimi në lidhje me rolin e artit mbi ndërgjegjësimin mjedisor. Kënga, çudi, nuk ngjallë doza nostalgjie, pasi problemi të cilin e rrok ishte ironikisht shumë aktual. Në vend të një kureshtjeje të thjeshtë për të kërkuar në Youtube, ishte një nevojë për ta parë se sa të pranishme janë problemet që rroken në ato vargje dhe sa komunikuese janë ato për publikun. Me pak fjalë: çka bën arti për çështje të mëdha si ndryshimet klimatike?

Përveç rolit hedonistik, arti e ka forcën edhe të bashkojë njerëz rreth kauzave të mëdha e të rëndësishme. Duke qenë se përthithja e informacionit dhe vetëdijesimi për çështje të caktuara me interes global vjen më natyrshëm përmes argëtimit, arti konsiderohet element krucial në përshpejtimin e përçimit të mesazhit. Përkitazi me ndryshimet klimatike që janë çdo herë më prezente, rrokja e audiencave më të gjëra e kërkon çdo herë e më shumë dikë që në komunikimin masiv njihet si lider i opinionit.

Këngëtarja e njohur me famë botërore, Bilie Eilish, ka organizuar iniciativa si “Overheated” gjatë turneve të saj nëpër botë. Ndër të tjera, ajo insistonte që në turnetë e saj të reduktohet përdorimi i plastikës duke kërkuar kështu taksativisht “turne më ekologjikë”. Nismë për qëllim të njëjtë bëri edhe grupi Coldplay, ku në turnetë e tyre përdoren energji të ripërtritshme dhe teknologji për shmangien e emetimeve të karbonit.

Për të kaluar në rrafsh më konkret, artistë të shumtë botërorë kushtuan edhe projekte specifike në raport me ndryshimet klimatike. Ndër shembujt e shumtë është edhe legjenda e rokut, Bob Dylan, në këngën “Before the flood” ku adreson shqetësime për katastrofa mjedisore. Në këtë këngë, veçanërisht në rreshtin “We need a peaceful way to change this before the flood”(Na duhet një mënyrë paqësore për ta ndryshuar këtë gjendje para përmbytjeve), shpreh një nevojë të thellë njerëzore për ruajtjen e ekosistemit ndaj ndryshimeve klimatike. Ose, më saktë, kërkon një veprim të shpejtë, paqësor për ndryshim të gjendjes, pasi situata ka marrë tatëpjetën.

Një tjetër shembull është edhe kënga “It feels like summer” nga Childish Gambino, që futet në shtjellën e pasojave të ndryshimeve klimatike, ku për rrjedhojë çdo stinë ngjan me verën. Rreshtat: “I’m hoping this world will change, but it just feels the same”(Shpresoj kjo botë të ndryshojë por gjithçka po duket njëjtë), flet për një përpjekje dëshpëruese vetëdijesimi, me shoqërinë e cila – sipas tij – është e palëkundur të ndryshojë. Kjo këngë përcillet me nuanca më përshkallëzuese në vargjet: Everyday gets hotter that the one before, running out of water – it’s about to go down (Çdo ditë është më nxehtë se dita paraprake, po mbesim pa ujë – është duke përfunduar.), thirrje kjo gati me dënesë, e cila paraqet një panoramë të errët për të ardhmen e njerëzimit.

Mesazhe të fuqishme janë përçuar edhe më anë të pikturës nga artistë botërorë, të cilët artin pamor e kanë kthyer në një mjet të fuqishëm komunikimi e ndërgjegjësimi. Në duzinën e shumë artistëve që janë preokupuar për çështjen e ndryshimeve klimatike është edhe piktori Olafur Eliason i cili me veprën e tij Ice Watch solli blloqe akulli nga Grenlanda në një shesh të Londrës për t’i përshkruar vizualisht efektet e shkrirjes së akullit dhe për të nxitur debat publik për këtë.

Në anën tjetër, Eve Mosher (artiste dhe aktiviste e mjedisit) krijoi instalacionin HighWaterLine, duke bërë që komunitetet të reflektojnë mbi rritjen e nivelit të ujit për shkak të ngrohjes globale.

E kontaktuar nga Platforma 360, piktorja Alsea Ymeri, e ka një shpjegim të veçantë në lidhje se si arti komunikon me natyrën dhe se si kjo e para mund të shquajë tema me interes siç është ajo e ndryshimeve klimatike. Sipas saj, arti vizual komunikon më fuqishëm me publikun brumos në vete komunikimin joverbal, duke depërtuar më lehtë te publiku. Ajo thekson se simbolika dhe kompozimi e bëjnë shumë më të kuptueshëm edhe një çështje abstrakte dhe të largët, kësisoj ndikimi përmes kësaj forme komunikimi mund të jetë shumë i madh.

“Arti vizual luan një rol të rëndësishëm në rritjen e vetëdijes për çështjet mjedisore, sepse komunikon përtej gjuhës verbale dhe prek drejtpërdrejt dimensionin emocional të publikut. Përmes imazhit, simbolikës dhe kompozimit, arti e bën të prekshme dhe të kuptueshme një problem që shpesh perceptohet si abstrakt apo i largët, siç janë ngrohja globale dhe ndryshimet klimatike. Arti nuk e zgjidh drejtpërdrejt problemin, por e nxit reflektimin, diskutimin dhe përgjegjësinë personale.

Ai e kthen një statistikë në ndjenjë, dhe një problem global në përvojë personale…dmth nuk është zgjidhje teknike e krizës klimatike, por është një mjet i fuqishëm sensibilizimi që mund të ndikojë në mënyrën se si njerëzit e perceptojnë dhe e trajtojnë këtë realitet”, u shpreh ndër të tjera ajo.

Ndonëse, siç thotë, arti pamor është një “derë” shumë e rëndësishme komunikimi, ekspozita të kësaj natyre nuk hasim shpesh. Për këtë mund të luajnë rol shumë faktorë, e ndër ta është edhe ai subjektiv pasi arti nuk duhet përmbajtur doza imponuese, duhet rrjedhur natyrshëm për të qenë ai që është.

Se arti mbërthen elementë të fuqishëm komunikativ e thotë edhe poeti Bleard Meha, për të cilin lidhja njeri-natyrë është përtej një raporti të thjeshtë shkëmbimi. Sipas tij, çdo dëm ndaj natyrës është një rreth i mbyllur që kthehet në dëm ndaj vetes, teksa poezia është një formë e mirë për një marrëdhënie më të afërt ne mes të dy faktorëve.

“Poezia na afron me natyrën, si asnjë studim shkencor. Ajo, natyrën, na e bën pjesë të ndjesive tona. Eventualisht, duke e ndotur aty, ne humbasim diçka nga vetja jonë. Poezia na bën pjesë organike të natyrës vet. Kur ajo e himnizon natyrën, ne futemi në rrugët e frymëmarrjes së saj, dhe shohim përtej ndërtimit biologjik të drurit, pemës, gjethes a lules. Dihet se poezia prek të ndjeshmen, atë që na dhemb dhe mund të na dhemb, pastaj na bën neve të vetëdijshëm për veten tonë, po edhe botën përreth. Për të, çdo gjë rreth njeriut dhe brenda tij, bëhet fushëveprim. Në fund të fundit, me poezinë bëhemi njerëz me të mirë. Dhe njeriu që mendon të mirën, mendon dy herë nëse do ta dëmtojë natyrën”, theksoi ai.

Edhe pse në shumë krijime natyra mund të mos jetë boshti tematik, ajo sipas Mehës duhet të kuptohet si e brendashkruar, pra, në mos si trajtim, ajo është frymëzimi. Gjithsesi ai pajtohet se krijimet poetike që adresojnë tematika të tilla si ndotja globale nuk janë shumë të dendura dhe këto kauza për të mirën e përgjithshme meritojnë dhe duhet të shtyhen.

Në vlugun e ndryshimeve klimatike veprimtaritë e tilla si arti në përgjithësi përbën një aspekt shumë të rëndësishëm për të çuar kauza të mëdha, kësisoj një shkëmbim i tillë, i ndihmuar nga e bukura e përgjithshme që arti brumos, është shumë më i thjeshtë dhe i natyrshëm.

Prononcimi i Edina Pllana (profesoreshë e muzikës) për Platforma 360:
Arti ka një rol të rëndësishëm në rritjen e vetëdijes për çështjet klimatike, sepse ai arrin të prekë
emocionet e njerëzve dhe i bën temat më të afërta dhe më të kuptueshme për publikun. Përmes vizualitetit, muzikës, performancave dhe formave të tjera artistike, mesazhet mbi ndryshimet klimatike mund të përcillen në mënyrë më kreative dhe më të fuqishme. Në një botë ku informacioni shpesh humbet mes shumë lajmesh, arti ka fuqinë të ndikojë drejtpërdrejt te njerëzit dhe t’i bëjë ata të reflektojnë mbi natyrën dhe rolin që secili prej nesh ka në mbrojtjen e saj.

Shpërndaje:

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Telegram
Email

Thirrje urgjente për veprim institucional dhe përgjegjësi publike