Ekocidi po kërcënon sigurinë globale!

Shkruan: Jeta Berisha

Ky artikull trajton shqipërimin e fajlës EKOCID – kur natyra lëndohet qëllimisht nga njeriu.


Termi ekocid u shfaq për herë të parë në fund të viteve 1960-të dhe fillim të viteve 1970-të, në kontekstin e shkatërrimit masiv të mjedisit gjatë Luftës së Vietnamit. Ndërsa shkencëtarë si Arthur Galston ngritën alarmin etik mbi përdorimin e herbicideve si Agent Orange, termi u politizua për herë të parë në nivel ndërkombëtar në vitin 1972, kur Olof Palme, Kryeministër i Suedisë, e përdori atë në Konferencën e OKB-së në Stokholm për të përshkruar shkatërrimin e qëllimshëm të natyrës si krim moral ndaj njerëzimit.

Na ky moment u zhvendos termi nga diskursi shkencor në atë politik dhe juridik, duke hapur rrugën për debatet e sotme mbi njohjen e tij si krim ndërkombëtar.

Në diskursin bashkëkohor të së drejtës ndërkombëtare, ekocidi po vlerësohet gjithnjë e më seriozisht, si krimi i 5-të ndërkombëtar, përkrah gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimit të agresionit. Kjo qasje bazohet në faktin se shkatërrimi i rëndë dhe sistematik i mjedisit cenon drejtpërdrejt paqen, sigurinë dhe mbijetesën e popullsive, duke prodhuar pasoja të krahasueshme me krimet më të rënda globale. Për këtë arsye, juristë dhe ekspertë ndërkombëtarë kanë propozuar përfshirjen e ekocidit në Statutin e Romës, që do t’i mundësonte Gjykata Penale Ndërkombëtare ndjekjen penale të individëve përgjegjës për dëme mjedisore ekstreme. Njohja e ekocidit në këtë nivel do të shënonte një kthesë historike: për herë të parë, mbrojtja e natyrës do të trajtohej jo si çështje dytësore politike, por si element thelbësor i paqes dhe sigurisë globale.

Sot, më shumë se pesë dekada më vonë, ekocidi nuk është më vetëm koncept moral apo akademik, por po rikthehet si nevojë politike, ligjore dhe strategjike. “Shkatërrimi i natyrës është bërë kërcënimi më i madh i sigurisë së shekullit XXI”, një vlerësim që tashmë nuk vjen vetëm nga shkencëtarët e klimës, por edhe nga shërbimet e inteligjencës dhe institucionet e sigurisë kombëtare.

Në një analizë të fundit “Stop Ecocide International” përmes autorit Rodrigo Lledó, paralajmërohet se degradimi i ekosistemeve po përkthehet drejtpërdrejt në rreziqe gjeopolitike. Sipas këtyre vlerësimeve, deri në vitin 2030-të ose edhe më herët, gjashtë ekosisteme kritike globale mund të hyjnë në një fazë kolapsi, përfshi këtu pyjet e Amazonës dhe Basenit të Kongos, rifet koralore dhe mangrovat e Azisë Juglindore, Himalajet dhe pyjet boreale.

Kolapsi i këtyre sistemeve jetike është një fenomen vetëshkatërrues që prodhon pasoja zinxhir, si: pasiguri ushqimore dhe hidrike, migrim masiv të popullsisë, rritje të konflikteve për burime natyrore, dobësim të shteteve dhe destabilizim politik rajonal. Në këtë kuptim, ekocidi është katalizator krizash sociale, ekonomike dhe të sigurisë.

Pikërisht këtu lind pyetja thelbësore: “Si mund të planifikohet adresimi i ekocidit si pjesë e politikave strategjike socio-mjedisore?”

Së pari, ekocidi duhet të integrohet në politikat kombëtare të sigurisë, zhvillimit dhe planifikimit territorial. Kjo do të thotë që projektet industriale, energjetike, infrastrukturore dhe bujqësore të mos vlerësohen vetëm mbi bazë të përfitimit ekonomik afatshkurtër, por edhe mbi rrezikun sistemik që paraqesin për ekosistemet dhe stabilitetin social. Ekocidi, në këtë kuptim, duhet trajtuar njësoj si rreziku financiar, rreziku shëndetësor dhe si rreziku i sigurisë kombëtare.

Së dyti, ligji për Ekocidin ofron një mekanizëm parandalues, jo vetëm ndëshkues. Duke vendosur përgjegjësi individuale penale për dëmin e rëndë, të përhapur ose afatgjatë ndaj mjedisit, ai ndryshon mënyrën se si merren vendimet në nivelet më të larta politike dhe korporative. Ky rrezik nuk i takon më vetëm një entiteti juridik, por individit që firmos, autorizon apo përfiton, përfshi kalkuliimeve politike dhe ekonomike.

Ekocidi nuk mund të shihet si ide e politikave radikale pasi që është përgjigjja më racionale ndaj një realiteti ku shkatërrimi i natyrës s’duhet pa si “kosto zhvillimi”, por rrezik ekzistencial. Nëse shekulli XXI do të mbahet mend si epoka e kolapsit apo e përgjegjësisë kolektive, kjo do të varet nga gatishmëria jonë për ta trajtuar natyrën përtej “burim i pafund”, në kontekstin etik, si themel të sigurisë, jetës dhe drejtësisë globale.

Në nivel global, debati për ekocidin po zhvendoset gradualisht nga periferia aktiviste drejt qendrës së politikëbërjes. Disa shtete tashmë kanë filluar ta integrojnë konceptin e ekocidit në legjislacionin kombëtar ose në doktrinat e sigurisë, duke e trajtuar dëmin ekstrem mjedisor si faktor destabilizues të barabartë me kërcënimet ushtarake apo ekonomike. Kjo tregon një ndryshim paradigme se natyra nuk po shihet më veç si “sektor”, por edhe si infrastrukturë kritike e shtetit. Sepse pa ekosisteme funksionale, nuk ka ushqim, energji, mirëqenie dhe as sovranitet.

Funksionalizimi i ekocidit kërkon integrim të qartë në politikat fiskale, energjetike, bujqësore dhe industriale, si dhe mekanizma të fortë mbikëqyrës. Në praktikë, kjo do të thotë vlerësime të detyrueshme të rrezikut ekologjik për çdo projekt madhor, transparencë të plotë mbi zinxhirët e furnizimit dhe ndarje të qartë të përgjegjësive individuale në vendimmarrje. Pa këto elemente, ekocidi mbetet term dhe jo instrument politik siç është.

Nëse këto zhvillime po formësojnë agjendën globale të sigurisë dhe ligjit, atëherë vendet e vogla dhe në tranzicion, si Kosova, nuk janë jashtë këtij realiteti, por shpesh më të ekspozuara ndaj tij.

Kosova ndodhet në një pozicion delikat, por edhe strategjik në kohë, si vend i vogël, me ekonomi në zhvillim dhe me presion të vazhdueshëm për investime, rrezikon të bëhet hapësirë e kompromisit mjedisor në emër të “zhvillimit”. Shfrytëzimi i burimeve natyrore, ndotja e ajrit, degradimi i tokës dhe menaxhimi i dobët i mbetjeve nuk janë çështje të stabilitetit social.

Funksionalizimi i parimit të ekocidit nuk duhet vlere4suar si bllokim i taznicionit industrial, por më shumë orientim. Kjo nënkupton forcim të institucioneve rregullatore, ndarje reale mes interesit publik dhe atij privat dhe ndërtim të kapaciteteve profesionale për vlerësim mjedisor të pavarur. Pa këtë, çdo strategji zhvillimore rrezikon të prodhojë kosto sociale dhe ekonomike shumë më të mëdha në afatmesëm dhe afatgjatë.

Po ashtu, Kosova ka nevojë që ekocidin ta trajtojë si pjesë të politikës së saj të sigurisë dhe integrimit evropian. Në një realitet ku Bashkimi Evropian po e lidhë gjithnjë e më shumë qasjen në treg, financimin dhe partneritetet me performancën mjedisore, mosveprimi nuk duhet konsideru vetëm disavantazh, në këtë drejtim, vendet që nuk arrijnë të mbrojnë ekosistemet e tyre, do të penalizohen jo vetëm ekologjikisht, por edhe ekonomikisht dhe politikisht.

Për Republikën tonë, adresimi serioz i ekocidit kërkon masa konkrete dhe të matshme. Së pari, duhet përditësuar kuadri penal dhe administrativ për krimet mjedisore, duke saktësuar përgjegjësinë individuale për dëme të rënda ekologjike dhe duke forcuar mekanizmat e zbatimit. Së dyti, rreziku ekologjik duhet të përfshihet në strategjinë kombëtare të sigurisë dhe në politikat ekonomike, në mënyrë që projektet energjetike, industriale dhe infrastrukturore të kalojnë përmes vlerësimeve të detyrueshme të ndikimit afatgjatë. Së treti, duhet investuar në monitorim transparent, digjitalizim të të dhënave mjedisore dhe kapacitete të pavarura profesionale për mbikëqyrje. Nuk mund të garantohet mospjesëmarrja në ekocid pa raporte të qëndrueshme dhe gjurmim të ndikimit në klimë.

Një sistem i qartë dhe i fortë kundër dëmit ekologjik e rrit besimin e investitorëve serioz ndërkombëtarë, ulë rrezikun reputacional të vendit dhe pozicionon Kosovën si treg i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm për ekosistemin e biznesit. Investimet e huaja të qëndrueshme kërkojnë stabilitet ligjor, transparencë dhe menaxhim racional të burimeve natyrore. Sa më i fortë vetëmenaxhimi i burimeve me vlerë, si: energjia, uji, toka, aq më e qëndrueshme bëhet ekonomia dhe aq më i sigurt zhvillimi afatgjatë.

Në fund, pyetja nuk është nëse Kosova apo bota “janë gati” për ekocidin si koncept juridik. Pyetja është: “a jemi gati të përballemi me pasojat e mosnjohjes?”, sepse në një shekull të shënuar nga kriza klimatike, kolapsi ekologjik dhe tensionet gjeopolitike, ekocidi nuk guxon të trajtohet si krim kundër natyrës pa e trajtuar edhe aspektin shoqëror, dëmin që vie si shkak/pasojë.

Prandaj, njohja dhe funksionalizimi i ekocidit është domosdoshmëri strategjike për çdo shoqëri që synon stabilitet politik e ekonomik, drejtësi dhe më e rëndësishmja të ardhme funksionale.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Mbështetje për Mediat e Vogla në Ballkanin Perëndimor, i zbatuar nga Kosovo Glocal / Kosovo 2.0. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet, opinionet ose vlerat e Bashkimit Evropian apo të Kosovo Glocal / Kosovo 2.0.

Shpërndaje:

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Telegram
Email