Shkruan: Jeta Berisha
Me hyrjen në fuqi të Mekanizmit të Rregullimit të Kufirit të Karbonit të Bashkimit Evropian (CBAM) nga 1 janari 2026, tranzicioni i gjelbër ka kaluar nga faza e strategjive në fazën e zbatimit të detyrueshëm. Për herë të parë, qasja në tregun evropian kushtëzohet për nga gjurma e karbonit. Në këtë realitet të ri, Kosova duhet përgatitur institucionalisht për ta menaxhuar këtë presion tregtar.
Doganat janë pika e parë e kontaktit me CBAM
Edhe pse CBAM juridikisht zbatohet nga autoritetet e shteteve anëtare të BE-së, doganat e vendeve eksportuese luajnë rol kyç në dokumentacion, origjinë, klasifikim të mallrave dhe verifikim të zinxhirit të furnizimit. Për eksportuesit kosovarë, kjo do të thotë, çdo pasaktësi në deklarim, klasifikim tarifor apo dokumentim teknik rrezikon në: refuzim të mallrave në kufi, kërkesa shtesë për verifikim të emetimeve dhe vonesa në kontrata dhe pagesa.
Aktualisht, kapacitetet teknike për të asistuar bizneset në klasifikim sipas skemave CBAM, si dhe për orientim mbi dokumentacionin klimatik, janë ende të hershme dhe të kufizuara. Pra, pa një koordinim të fortë ndërinstitucional mes doganave, ministrive dhe agjencive ekonomike, barra praktike bie mbi vetë bizneset, shumë prej të cilave nuk kanë kapacitete për matje të emetimeve apo ende nuk e kuptojnë se çfarë është.
Statistikat dhe mungesa e të dhënave të karbonit
Një nga kërkesat themelore të CBAM është raportimi dhe verifikimi i emetimeve të prodhura nga produktet, kjo formë kërkon të dhëna për energjinë e përdorur, faktorët e emetimeve të standardizuar dhe metodologji të certifikuara për llogaritje.
Në Kosovë, mungesa e inventarëve të detajuar sektorialë të emetimeve dhe bazat e të dhënave, e vështirësojnë llogaritjen e saktë të gjurmës së karbonit në nivel produkti, e lëre në total. Pa këto mekanizma, eksportuesit rrezikojnë të penalizohen me faktorë standard shumë më të lartë të emetimeve, e që ndikon në rritjen artificiale të kostove e certifikatave CBAM. Kjo situatë krijon penalizim për ekonomitë që nuk kanë ende sisteme të zhvilluara të monitorimit të karbonit, pavarësisht përpjekjeve për efikasitet energjetik.
Energjia si thembra e Akilit në konkurrueshmëri
Pjesa dërrmuese e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga qymyri, edhe kur një produkt nuk është drejtpërdrejt pjesë e sektorëve të mbuluar nga CBAM, energjia e përdorur në prodhim reflektohet në emetimet e nxjerra nga prejardhja e produktit. Kjo do të thotë se një numër sektorësh si: industria përpunuese, ndërtimtaria, metalurgjia dhe një pjesë e prodhimit ndustrial e ushqimore do të bartin kosto indirekte të karbonit për shkak të miksit energjetik.
Pa diversifikim drejt burimeve të ripërtëritshme dhe pa mekanizma për furnizim industrial me energji më të pastër, konkurrueshmëria e eksporteve do të bazohet gjithnjë e më pak në koston e punës dhe gjithnjë e më shumë në performancën dhe ndikimin klimatik.
Politikat industriale: hallka që mungon
CBAM është politikë industriale në formë fiskale. Vendet që po përballen më mirë me këtë tranzicion janë ato që kanë kombinuar dhe zhvendous vëmnejdne në: subvencione për teknologji të pastra, kredi të gjelbra për industri dhe skema mbështetëse për auditim energjetik dhe raportim të karbonit.
Në Kosovë, politikat industriale dhe klimatike vazhdojnë të trajtohen si dy fusha të ndara, gjë që ndikon në krijimin e një boshllëku strategjik sepse bizneset ballafaqohen me kërkesa të reja tregtare, por pa mekanizma, instrumente financiare dhe teknike për t’u përshtatur.
Në këtë kontekst, rreziku nuk ka të bëjë vetëm me humbje të tregjeve, por edhe me frenimin e investimeve të reja industriale, për shkak të pasigurisë rregullatore dhe kostove të paparashikueshme të ardhura nga taksa dhe gjurma e karbonit.
Paratë e karbonit që nuk mbesin në Kosovë
Megjithatë, një paradoks i rëndësishëm mbetet, Kosova ende nuk ka vendosur një mekanizëm kombëtar të çmimit të karbonit, as përmes taksës së karbonit e as përmes një sistemi tregtimi të emetimeve, por bizneset kosovare do ta paguajnë gjithsesi çmimin e karbonit në kufijtë e Bashkimit Evropian përmes CBAM. Kjo do të thotë se kostoja financiare e emetimeve nuk mblidhet në buxhetin e Kosovës për t’u riinvestuar në tranzicion
energjetik, teknologji të pastra apo mbështetje për industri, por derdhet drejtpërdrejt në arkën e BE-së, në Bruksel. Në mungesë të një politike të brendshme të karbonit, Kosova jo vetëm që humb instrumentin për ta orientuar vetë tranzicionin e saj industrial, por rrezikon të mbetet konsumuese pasive e rregullave evropiane, pa përfituar nga të ardhurat që mund të përdoren për të ndihmuar bizneset të përshtaten me ekonominë me karbon të ulët.
Koordinimi institucional duhet, por kush mban përgjegjësi?
CBAM prek njëkohësisht: tregtinë, energjinë, industrinë, mjedisin, doganat dhe financat publike.
Pa një strukturë të qartë koordinuese, rreziku është që secili institucion ta sheh CBAM-in si çështje “të dikujt tjetër”. Në mungesë të një strategjie kombëtare për përgatitje ndaj mekanizmave të çmimit të karbonit, reagimi mbetet pasiv dhe reaktiv.
Ndërkohë, bizneset kërkojnë udhëzim praktike si të llogarisin emetimet, si të certifikohen, cilat investime janë prioritet dhe cilat politika mbështetëse ekzistojnë, institucionet dhe zinxhiri informativ janë të papërgatitura për të kontribuar në sferën tregtare.
Nga integrimi formal te integrimi në treg
CBAM po e zhvendos fokusin e integrimit evropian nga harmonizimi ligjor drejt harmonizimit të performancës industriale dhe energjetike. Por, nuk mjafton më përafrimi i rregulloreve sepse po kërkohet përafrim i kapaciteteve prodhuese me standardet klimatike të BE-së dhe ulje e ndikimit në klimë. Masa rigoroze janë të aryeshme, seose bizneset duhet të investojnë në kapacitetet dhe operacionet e tyre të qëndrueshme. Koha dhe kostot më të ulëta janë tani.
Për Kosovën, kjo nënkuptohet si: politikat klimatike nuk janë më vetëm pjesë e kapitujve të negociatave, por faktorë që ndikojnë tek eksportet, punësimi, investimet e huaja, eksporti dhe stabiliteti ekonomik afatmesëm.
Rreziku i mbetjes pas në një treg që po ndryshon
CBAM nuk është një masë e përkohshme që do të hiqet pas një periudhe, por është pjesë e arkitekturës së re të ekonomisë evropiane, ku ndotja ka çmim dhe performanca klimatike është kriter kyç i konkurrueshmërisë. Në këtë kontekst, sfida për Kosovën nuk është vetëm sa do të paguhet për karbon, por sa shpejt dhe sa seriozisht do të ndërtohen kapacitete për të prodhuar më pak karbon, pa ndikuar dhe dëmtuar zhvillimin ekonomik.
Pa reforma në energji, pa investime financiare në industri të pastër dhe pa sisteme të besueshme për matje dhe raportim të emetimeve, rreziku është që bizneset kosovare të përballen me barriera të reja tregtare që janë tarifore dhe klimatike.
Në një ekonomi ku karboni tashmë ka çmim, mosveprimi institucional bëhet kosto ekonomike dhe dëmtim i tregut vendor.


Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Mbështetje për Mediat e Vogla në Ballkanin Perëndimor, i zbatuar nga Kosovo Glocal / Kosovo 2.0. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet, opinionet ose vlerat e Bashkimit Evropian apo të Kosovo Glocal / Kosovo 2.0.



