Karboni tash ka çmim: si po preken eksportet dhe industria nga janari 2026?

Shkruan: Jeta Berisha

Më hyrjen e vitit 2026-të nis një kapitull i ri në politikën klimatike globale, një moment që do të shënojë jo vetëm një përparim në instrumentet fiskale për mbrojtjen e mjedisit, por edhe një sfidë konkrete për bizneset që operojnë në tregjet ndërkombëtare. Taksa e karbonit, e konceptuar si një mënyrë për të vendosur një çmim mbi emetimet e gazrave serrë, është duke u integruar në mekanizma të ndryshëm ligjorë dhe tregtarë  dhe për Kosovën, ky zhvillim prek në mënyrë të drejtpërdrejtë aktorët ekonomikë dhe strategjinë kombëtare të zhvillimit.

Nga raportimi në pagesë reale: çfarë ndryshon në 2026?

Mekanizmi i Rregullimit të Kufirit të Karbonit (Carbon Border Adjustment Mechanism – CBAM), i themeluar me Rregulloren (BE) 2023/956 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, të 10 majit 2023, synon të korrigjojë dallimet në çmimin e karbonit mes produkteve të importuara dhe atyre të prodhuara brenda BE-së. Qëllimi është të vendoset një çmim i drejtë mbi emetimet e karbonit të përfshira në mallrat që hyjnë në tregun evropian, duke nxitur prodhim industrial më të pastër edhe në vendet jashtë BE-së dhe duke kontribuar në objektivin strategjik të Unionit për neutralitet klimatik.

Gjatë periudhës tranzitore (2023–2025), importuesit ishin të detyruar vetëm të raportonin: sasinë e mallrave, emetimet e ngulitura dhe nëse në vendin e origjinës ishte paguar ndonjë çmim për karbonin. Nga 1 janari i 2026-të, mekanizmi u funsionalizuar dhe tashmë kërkon përmbushjen e detyrimeve financiare dhe administrative.

Kjo do të thotë se importuesit nuk mjaftohen më me raportim, por duhet të blejnë dhe dorëzojnë certifikata CBAM, të lidhura drejtpërdrejt me çmimin e kuotave të karbonit në Sistemin e Tregtimit të Emetimet të BE-së (EU ETS), të shprehura në euro për ton CO₂. Në praktikë, CBAM funksionon shumë ngjashëm me një taksë karboni ose tarifë doganore mbi ndotjen, e bazuar në emetimet reale të përfshira në produkt.

Pse ky rregull hyn në fuqi tani dhe cilat objektiva synon?

Ky mekanizëm është pjesë e angazhimit më të gjerë të BE-së për të ulur emetimet e gazrave serrë me të paktën 55% deri në vitin 2030-të dhe për të eliminuar “shkeljen e karbonit”, praktikën ku prodhimet intensive ndaj karbonit transferohen drejt vendeve me standarde më të ulëta mjedisore. Me CBAM, çmimi i karbonit në importet drejt BE-së përllogaritet në mënyrë që produktet importuese të përballen me koston e njëjtë të karbonit që paguajnë prodhuesit brenda BE-së. Tashmë, kjo nuk është më një diskurs mjedisor; por një realitet ekonomik që mund të ndikojë fuqishëm në konkurrencën globale, sipas raportit Challenges and Opportunities of the EU Carbon Border Adjustment Mechanism (CBAM) for the Western Balkan Countries, Berlin Process Factsheet

Cilat biznese ngarkohen me taksën e karbonit?

Ndryshe nga një taksë kombëtare e karbonit që zbatohet brenda kufijve të një vendi, CBAM godet importuesit nga Evropa të mallrave me intensitet të lartë emetimi dhe eksportuesit kosovar drejt Bashkimit Evropian. Konkretisht, kompanitë që importojnë në BE: çimento, hekur dhe çelik, alumini, plehra, hidrogjen dhe elektricitet, do të duhet të regjistrohen si deklarues CBAM, të llogarisin emetimet e karbonit të mallrave të tyre sipas standardeve të rregullës dhe të blejnë certifikata për emetimet e tyre vjetore, në përputhje me çmimin mesatar të lejeve në Sistemin e Tregtimit të Emisioneve të BE (EU ETS). Kjo do të ndikojë sidomos sektorët e energjisë dhe industrisë së rëndë, të cilët historikisht janë ndër më intensivët në emetime serrë. 

Për kompanitë kosovare që eksportojnë drejt BE-së, kjo do të thotë një rishikim i detajuar i zinxhirit të furnizimit dhe metodave të llogaritjes së emetimeve, për të shmangur koston e “takës” së karbonit që vjen në formë të certificatave. Nëse këto biznese nuk demonstrojnë se produktet e tyre kanë emetime më të ulëta, kostoja e karbonit mund të “ngrihet” si një barrë tregtare në vend të një takse të thjeshtë fiskale kombëtare.

Sa ndikon kjo në Kosovë?

Institucionet strategjike të vendit, përfshirë Strategjinë e Energjisë 2022-2031 dhe draftet e planeve të saj kombëtare për energji dhe klimë, e kanë identifikuar sektorin e energjisë si një nga burimet kryesore të emetimeve dhe kanë rekomanduar futjen graduale të një çmimi të karbonit. Sipas këtyre dokumenteve, taksa e karbonit pritet të shtrihet fillimisht në sektorët më ndotës, me ambicien për ta zgjeruar ndikimin e saj në fusha të tjera në përputhje me objektivat e reduktimit të emetimeve dhe integrimit në tregjet ndërkombëtare. 

Kjo do të thotë se presioni për dekarbonizim nuk vjen vetëm nga kufijtë doganorë, por edhe nga nevoja e brendshme për reformë strukturore të sektorëve kyç ekonomikë. Për eksportuesit kosovarë, CBAM përkthehet në nevojë për: matje dhe verifikim të emetimeve; rishikim të burimeve të energjisë; investime në teknologji më efikase dhe transparencë në zinxhirët e furnizimit.

Kjo nismë sigurisht që nuk është veç fiskale, por një sinjal për orientimin strategjik drejt një ekonomie më të gjelbër dhe konkurruese, që nuk mund të injorojë trendet globale të çmimit të karbonit. Është një sfidë për kompanitë që duhet të investojnë në teknologji më të pastra dhe të rishikojnë zinxhirët e tyre të furnizimit, por edhe një mundësi për të riorientuar prodhimin ndaj standardeve më të larta të performancës mjedisore.

Një ekonomi ku ndotja nuk është më e lirë

CBAM nuk ndalon eksportet, por ndryshon rregullat e lojës: kush prodhon me teknologji të vjetra dhe energji të ndotur, paguan më shumë; kush investon në dekarbonizim, ruan pozicionin në treg. Ky është një ndryshim thelbësor në mënyrën si rregullohet konkurrenca industriale në Evropë.

Rreziku më i madh për ekonomitë e vogla nuk është vetëm kostoja financiare, por mungesa e kapaciteteve institucionale për matje, raportim dhe mbështetje të tranzicionit industrial. Pa politika aktive publike, taksa e karbonit nuk funksionon si nxitës zhvillimi, por si filtër që thellon pabarazitë strukturore.

Rëndësia e taksës së karbonit ndikon në mënyrën si bizneset planifikojnë investimet, menaxhojnë emetimet dhe konkurruan globalisht. Andaj kërkohet angazhim serioz politik, korporativ dhe qytetar.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Mbështetje për Mediat e Vogla në Ballkanin Perëndimor, i zbatuar nga Kosovo Glocal / Kosovo 2.0. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet, opinionet ose vlerat e Bashkimit Evropian apo të Kosovo Glocal / Kosovo 2.0.

Shpërndaje:

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Telegram
Email