Në shumë receta, veza është një nga përbërësit kryesorë sepse ndihmon në lidhjen e përbërësve, strukturën e brumit, lagështinë dhe fryrjen. Megjithatë, gjithnjë e më shumë njerëz po kërkojnë mënyra për ta zëvendësuar atë qoftë për arsye vegane, për shkak të alergjive ushqimore, apo për të ulur ndikimin mjedisor të dietës.
Kuzhina moderne ofron një sërë alternativash natyrale që mund ta kryejnë të njëjtin funksion në gatim dhe pjekje. Çelësi është të kuptohet roli që veza luan në recetë, sepse zëvendësuesi ndryshon në varësi të funksionit të saj.
Pse përdoret veza në receta?
Para se ta zëvendësojmë, është e rëndësishme të dimë pse përdoret veza në gatim. Në përgjithësi ajo ka katër funksione kryesore: lidh përbërësit dhe i mban bashkë në brumë, shton lagështi në receta, ndihmon në fryrje dhe structure, po ashtu ruan shijen dhe teksturën e ushqimit
Për këtë arsye, zëvendësuesit e vezës zakonisht imitojnë një ose më shumë nga këto funksione.
1. Fara chia dhe fara liri – për lidhje dhe strukturë
Një nga zëvendësuesit më të përdorur në kuzhinën vegane janë farat chia dhe farat e lirit.
Kur përzihen me ujë, ato krijojnë një masë xhelatinoze që vepron si lidhës në brumë, shumë e ngjashme me funksionin e vezës.
Si përdoren:
- 1 lugë fara chia ose fara liri të bluara
- 2–3 lugë ujë
- Lihet për 10 minuta derisa të krijohet një strukturë xhelatinoze
Kjo përzierje funksionon shumë mirë për: bukë, krepa, biskota dhe receta pa gluten
Përveç funksionit teknik, këto fara janë gjithashtu të pasura me fibra, omega-3 dhe antioksidantë.
2. Aquafaba – për receta të lehta dhe ajrore
Aquafaba, që është uji i zierjes së qiqrave ose lëngu nga konserva e qiqrave, është një nga zbulimet më interesante të kuzhinës vegane.
Ky lëng mund të rrihet si e bardha e vezës dhe krijon një strukturë të ajrosur. Përdoret për meringa vegane, mousse dhe majonezë vegan.
Rreth 3 lugë aquafaba zëvendëson një vezë në receta që kërkojnë teksturë të lehtë dhe ajrore.
3. Uthull molle dhe sodë buke për fryrje
Në shumë receta të ëmbëlsirave, veza ndihmon në fryrjen e brumit. Një kombinim shumë efektiv për këtë rol është: 1 lugë uthull molle dhe 1 lugë çaji sodë buke.
Ky reagim kimik krijon dioksid karboni që e bën brumin më të lehtë. Funksionon shumë mirë për: kekë, krepa dhe bukë soda.
4. Frutat dhe puretë për lagështi dhe strukturë
Në receta të ëmbla, frutat mund të zëvendësojnë vezën duke shtuar lagështi dhe strukturë natyrale.
Alternativat më të zakonshme janë:
Banane e pjekur – Ideale për koke, bukë bananeje dhe muffin
Pure molle – Përdoret shpesh për kekë dhe biskota
Kos vegan – I përshtatshëm për cupcake dhe brumëra të butë
Silken tofu – Shumë i mirë për cheesecake dhe quiche vegane
Zakonisht ¼ filxhani pure frutash ose tofu zëvendëson një vezë.
Përfitimet e zëvendësimit të vezës
Zëvendësuesit vegane të vezës sjellin disa përfitime shtesë: janë të pasur me fibra, shpesh janë më të lehtë për tretje dhe po ashtu kanë ndikim më të ulët mjedisor.
Sipas studimeve mbi sistemet ushqimore të qëndrueshme, dietat me bazë bimore mund të reduktojnë ndjeshëm emisionet e karbonit dhe përdorimin e burimeve natyrore krahasuar me produktet shtazore.
Kreativitet në kuzhinë
Zëvendësimi i vezës nuk është kufizim në gatim. Përkundrazi, ai hap mundësi për më shumë kreativitet dhe alternativa të shëndetshme.
Çdo recetë mund të kërkojë një zëvendësues të ndryshëm, prandaj është e rëndësishme të eksperimentoni dhe të zgjidhni përbërësin që përshtatet më mirë me strukturën dhe shijen që kërkon receta.
Në këtë mënyrë, gatimi bëhet jo vetëm më fleksibël, por edhe më i kujdesshëm ndaj shëndetit dhe planetit.


Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Mbështetje për Mediat e Vogla në Ballkanin Perëndimor, i zbatuar nga Kosovo Glocal / Kosovo 2.0. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet, opinionet ose vlerat e Bashkimit Evropian apo të Kosovo Glocal / Kosovo 2.0.



