Sipas Indeksit të Mbetjeve Ushqimore të Programit të OKB-së për Mjedisin, 17% e të gjithë ushqimeve të disponueshme për konsumatorët në mbarë botën hidhen çdo vit.

Mbetjet ushqimore – një katastrofë mjedisore dhe sociale

Sipas Indeksit të Mbetjeve Ushqimore të Programit të OKB-së për Mjedisin, 17% e të gjithë ushqimeve të disponueshme për konsumatorët në mbarë botën hidhen çdo vit. Kjo sasi mund të mbushë 23 milionë kamionë, duke përfaqësuar një humbje të madhe burimesh dhe një kontribues të rëndësishëm në emetimet e gazrave serrë. 

Ndikimi mjedisor i mbetjeve ushqimore është i shumë anshëm, duke prekur gjithçka, nga ndryshimi i klimës deri tek varfërimi i burimeve. Mbetjet e ushqimit dekompozohen në deponi, duke çliruar metan, një gaz serrë 25 herë më i fuqishëm se dioksidi i karbonit në kapjen e nxehtësisë në atmosferë. Kjo kontribuon ndjeshëm në ngrohjen globale, duke ndryshuar modelet e motit dhe duke prishur ekosistemet. 

Çdo kafshatë e hedhur do të thotë një shpërdorim i burimeve të çmuara që mund të përdoren për të ushqyer një botë të uritur. Ushqimi që shpërdorojmë nuk është vetëm pjesa e ngrënshme. Ai përfaqëson sasinë e madhe të burimeve të investuara në prodhimin e tij – ujë për ujitje, tokë për kultivim, plehra dhe pesticide për rritje dhe energji për transport dhe ruajtje. 

Këtu janë disa të dhëna shqetësuese rreth mbetjeve ushqimore: 

– Deponitë janë të stërmbushura me mbetje ushqimore 

– Ushqimi i dekompozuar lëshon lëng toksik që mund të kontaminoj tokën dhe burimet e ujit 

-Përdorimi i tepërt i tokës dhe i burimeve për prodhimin e ushqimit  kontribuon në shpyllëzimin dhe humbjen e habitatit, duke kërcënuar biodiversitetin dhe ndikuar nga pjalmuesit tek popullatat e kafshëve të egra. 

Mbetjet e ushqimit ekzistojnë në kontrast të plotë me urinë globale. Ndërsa miliona janë të uritur, një pjesë e konsiderueshme e furnizimit me ushqim në botë nuk hahet. Kjo ngre shqetësime etike për shpërndarjen e burimeve dhe nevojën për një sistem ushqimor më të qëndrueshëm. 

Ne kemi fuqi për të ndryshuar. Duke planifikuar vaktet dhe krijuar lista blerjesh, mund të shmangim blerjet impulsive dhe të blejmë vetëm çfarë na nevojitet. Mbetjet mund t’i përdorim për pjata të reja ose t’i ngrijmë për më vonë. Kuptimi i etiketave ushqimore na ndihmon të dallojmë datat “përdorimi deri” dhe “më së miri përpara”, dhe të përdorim shqisat tona për të kontrolluar ushqimin. Ruajtja e duhur zgjat jetëgjatësinë e ushqimeve dhe kompostimi i mbetjeve kthehet në burim të vlefshëm për kopshtin. 

Duke ndërmarrë këto hapa të thjeshtë, ne mund të zvogëlojmë gjurmën tonë personale të mbetjeve ushqimore dhe të kontribuojmë në një planet më të shëndetshëm.  

Shpërndaje:

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Telegram
Email