Ajri i ndotur në Kosovë: Kriza e padukshme që po na sëmur

Prishtinë, prill 2025 – Ndotja e ajrit në Kosovë është një krizë shëndetësore e përkeqësuar nga mungesa e masave të qëndrueshme dhe ndërhyrjeve sistematike. Sipas një studimi të vitit 2023 të realizuar nga GIZ dhe Ministria e Mjedisit, 38% e popullatës në Kosovë e lidhin drejtpërdrejt cilësinë e dobët të ajrit me përkeqësimin e shëndetit të tyre. Kjo përqindje pasqyron një vetëdije në rritje mbi pasojat e ajrit të ndotur, por njëkohësisht edhe një realitet të rëndë që nuk po trajtohet në mënyrë të duhur nga institucionet përgjegjëse.

Duke u bazuar në të dhënat e raportit të fundit të Bankës Botërore për vitin 2024, ndotja e ajrit në Kosovë shkakton mbi 700 vdekje të parakohshme çdo vit, humbjen e rreth 11,000 viteve jetë dhe një kosto ekonomike që i kalon 100 milionë euro në vit për shkak të mungesave në punë dhe dëmeve shëndetësore. Kjo barrë e rëndë ekonomike dhe sociale prek në mënyrë të drejtpërdrejtë mirëqenien e qytetarëve dhe kapacitetin zhvillimor të vendit.

Sipas raportit vjetor për cilësinë e ajrit të publikuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, gjatë dimrit të vitit 2023 në Prishtinë u regjistruan përqendrime të grimcave të imëta PM2.5 që arrinin mbi 150 µg/m³ në disa ditë, ndërkohë që kufiri i rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është vetëm 5 µg/m³ si mesatare vjetore. Duke cituar në këtë raport, vlerat e regjistruara në Kosovë jo vetëm që tejkalojnë kufijtë e BE-së, por përfaqësojnë një nga nivelet më të larta të ndotjes në Ballkanin Perëndimor.

Termocentralet e vjetruara me thëngjill – Kosova A dhe Kosova B – përbëjnë burimin kryesor të ndotjes, së bashku me trafikun urban të pakontrolluar dhe ngrohjen me dru dhe qymyr në amvisëri. Duke u bazuar në një analizë të publikuar nga Zyra e Bankës Botërore në Kosovë në vitin 2024, këto burime llogariten të gjenerojnë mijëra tonë ndotës në atmosferë çdo vit, duke rritur ndjeshëm rrezikun për sëmundje kronike tek popullata.

Grupet më të ndjeshme ndaj ndotjes janë fëmijët dhe të moshuarit. Sipas raportit të OBSH-së mbi ndikimin e PM2.5, ndotja e ajrit është e lidhur me shtimin e rasteve të astmës, infeksioneve respiratore, sëmundjeve kardiovaskulare, si dhe çrregullimeve në zhvillimin neurologjik tek fëmijët. Rreziku është më i madh në zonat urbane, ku ndotja e ajrit mbetet e përqendruar dhe e vazhdueshme, veçanërisht gjatë muajve të ftohtë.

Ndonëse këto të dhëna janë të njohura për institucionet dhe janë të përfshira në dokumente strategjike, zbatimi i politikave të menaxhimit të cilësisë së ajrit mbetet minimal. Masat si ndalimi i automjeteve të vjetra, subvencionimi i ngrohjes alternative dhe reduktimi i varësisë nga thëngjilli janë diskutuar për vite me radhë, por nuk kanë kaluar përtej planeve të shkruara.

Duke cituar në analizën e fundit të publikuar nga Platforma360, ajri i ndotur nuk është më vetëm një statistikë teknike, por një urgjencë kombëtare për shëndetin publik. Nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme për të investuar në energji të pastër, për të përmirësuar infrastrukturën publike dhe për të fuqizuar kontrollin mjedisor, qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të jetojnë e të sëmuren në një atmosferë që po bëhet çdo ditë e më e papërballueshme.

Share

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Telegram
Email