Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ka ngritur një nga alarmet më serioze në historinë e ndryshimeve klimatike. Në një intervistë për gazetën britanike The Guardian, ai ka pranuar publikisht se njerëzimi ka dështuar ta përmbushë objektivin për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius, siç parashihej në Marrëveshjen e Parisit.
Sipas Guterres, tashmë është e pashmangshme që temperatura mesatare globale të tejkalojë këtë prag në vitet e ardhshme, duke sjellë pasoja “shkatërruese dhe të pakthyeshme” për planetin. Ai paralajmëroi se po afrohemi me shpejtësi drejt pikave të kthimit, momente kritike në sistemin klimatik që mund të shkaktojnë ndryshime të pariparueshme, si zhdukja e pyjeve të Amazonës, shkrirja e akullit në Arktik dhe acidifikimi i oqeaneve.
Deklarata e tij vjen në prag të samitit të ardhshëm klimatik COP30, që do të mbahet në qytetin brazilian të Belém, një zonë e rrethuar nga pyjet tropikale të Amazonës. Ky vend është zgjedhur simbolikisht, për të rikujtuar se “mushkëritë e botës” janë nën kërcënim direkt nga mungesa e veprimit të qeverive. Guterres u bëri thirrje liderëve botërorë që do të marrin pjesë në këtë samit të ndalojnë së shtyri angazhimet dhe të pranojnë realitetin: “Le ta pranojmë dështimin tonë,” – tha ai. “E vërteta është se ne kemi dështuar ta shmangim cakun prej 1.5°C. Dhe ai 1.5°C do të ketë pasoja shkatërrimtare”.
Dhjetëvjeçari i fundit është regjistruar si periudha më e nxehtë në historinë moderne, sipas Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO). Të dhënat tregojnë se ka mbi 70% mundësi që mesatarja pesëvjeçare e periudhës 2025–2029 të jetë më e lartë se 1.5°C krahasuar me periudhën paraindustrialë 1850–1900. Raportet e fundit të World Resources Institute (WRI) po ashtu paralajmërojnë se asnjë sektor global nuk është “në rrugën e duhur” për ta arritur objektivin e vitit 2030-të. Përkundrazi, shumica e planeve të vendeve (NDC) janë të pamjaftueshme: reduktimet e premtuara të emetimeve arrijnë vetëm rreth 10%, ndërsa do të duhej të ishin të paktën 60%.
Në këtë situatë, Guterres e përshkroi veprimin klimatik global si “të kapur peng” nga interesat e industrisë së lëndëve djegëse: nafta, qymyri dhe gazi, të cilat vazhdojnë të dominojnë politikat ekonomike. Ai kërkoi pjesëmarrje më të madhe të shoqërisë civile dhe komuniteteve indigjene në proceset vendimmarrëse, duke paralajmëruar se dominimi i lobistëve të industrisë fosile po minon qëllimet e Marrëveshjes së Parisit.
“Koha për justifikime ka përfunduar. Shkenca është e qartë. Teknologjia ekziston. Ajo që mungon është vullneti politik dhe përgjegjësia morale”, u shpreh ai, duke theksuar se është koha për të ndryshuar qasjen globale dhe për të reduktuar urgjentisht emetimet.
Ndërsa bota përgatitet për COP30, shumë shtete ende nuk kanë përditësuar objektivat e tyre për vitin 2030, megjithëse temperatura mesatare globale tashmë ka arritur një rritje të përhershme prej 1.58°C gjatë 12 muajve të fundit, sipas një raporti të Financial Times dhe të dhënave të NASA-s. Ky nivel, nëse konsolidohet, do të nënkuptojë kalimin zyrtar të kufirit të 1.5°C para vitit 2030-të.
Në një raport tjetër të Reuters, Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se, nëse nuk ndërmerren veprime të menjëhershme, bota mund të ngrohet deri në 3.1°C deri në fund të shekullit, një skenar që do të çonte në zhvendosje masive të popullsisë, humbje të ekosistemeve dhe krizë ushqimore globale.
Për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit, ky është moment reflektimi dhe përgjegjësie. Edhe pse kontributi në emetime globale është minimal, pasojat janë të ndjeshme: thatësira më të gjata, reshje ekstreme, ndotje ajri, ulje të prodhimit bujqësor dhe rritje e ndjeshme e çmimeve të ushqimit dhe energjisë. Ekspertët e mjedisit në vend theksojnë se kjo është periudha kur duhet të kalojmë nga fjalët në veprim, duke integruar qëndrueshmërinë në çdo politikë zhvillimore – nga energjia e gjelbër, te menaxhimi i mbeturinave dhe planifikimi urban.
Dështimi për të arritur cakun 1.5°C nuk është fundi i luftës për klimën, por një kthesë e dhimbshme që tregon se bota duhet të reagojë më shpejt dhe më drejt. Për herë të parë, edhe vetë Organizata e Kombeve të Bashkuara po e pranon publikisht atë që shumë shkencëtarë e kanë paralajmëruar prej vitesh: rruga e deritanishme nuk është e mjaftueshme.
Por në këtë pranim ka edhe një dritë shprese, sepse vetëm pasi pranohet dështimi, mund të fillojë ndryshimi i vërtetë. Dhe ky ndryshim, siç thekson Guterres, duhet të ndodhë tani, jo nesër.
Burimet:
The Guardian (28 tetor 2025)
Reuters, Financial Times, World Meteorological Organization, World Resources Institute, United Nations Climate Reports.



