Ndryshimi klimatik është seksist!

Shkruan: Jeta Berisha

Një krizë që ekspozon pabarazinë më të vjetër në botë

Ndryshimet klimatike shpesh trajtohen si “kriza të natyrës”, të reduktuara në shifra emetimesh, objektiva energjetike dhe standarde teknike. Por në thelb, janë kriza shoqërore. Ato zbulojnë mënyrën se si pushteti, puna dhe burimet shpërndahen në shoqëri dhe çarjet që kjo shpërndarje ka prodhuar historikisht. Një nga këto çarje, më e thella dhe më e qëndrueshmja, është pabarazia gjinore.

Sigurisht, natyra nuk favorizon një gjini ndaj tjetrës, por strukturat shoqërore, politikat publike dhe ekonomia globale e vendosin barrën më të madhe të krizës mbi vajzat dhe gratë, duke i lënë me më pak mjete për t’u mbrojtur dhe me më pak pushtet për të vendosur, sidomos ato nga komunitetet rurale, të varfra dhe të margjinalizuara.

Sipas UN Women dhe raportit të IPCC (2022), 80% të të ekspozuarve direkt nga ndryshimet klimatike globalisht janë gra dhe vajza.

Arsyet sigurisht nuk lidhen veç me biologjinë, por edhe me angazhimin shoqëror. Gratë shumë më shpesh janë kujdestare të të tjerëve, gjë që ndikon në një mobilitet më të kufizuar gjatë krizave; me më pak qasje në burime financiare, tokë, kredi dhe pronësi; më pak përfaqësim si në politika socio-mjedisore, po ashtu edhe në planifikim urban; ndërsa punojnë më shpesh në sektorë të pambrojtur (bujqësi, kujdes, treg i zi).

Kjo e bën çdo goditje klimatike nga përmbytjet tek thatësirat disproporcionale për gratë.

Sipas Blerinda Veliu, eksperte e qëndrueshmërisë, pranimi i këtij disproporcioni është thelbësor. Trajtimi i ndryshimeve klimatike duhet të përfshijë fuqizimin e zërit të grave, zgjerimin e aksesit të tyre në burime dhe sigurimin që ato të jenë lidere aktive në zgjidhjet klimatike. Ajo ka deklaruar:

“Gratë, sidomos ato në varfëri ose nga komunitete të margjinalizuara, mbajnë barrën më të rëndë: humbin më lehtë strehimin, qasjen në shëndetësi dhe mbështetjen financiare, ndërsa rolet e tyre të kujdesit i ekspozojnë edhe më shumë në krizë. Zhvendosjet i rrisin rreziqet e dhunës dhe ulin mundësinë e rimëkëmbjes, për shkak të mungesës së barazisë në tokë, burime dhe vendimmarrje”.

Kush punon më shumë dhe paguhet më pak?

Pabarazia gjinore në kontekst të ndryshimit klimatik nuk ka lindur sot, por sot mund të shihet si riprodhim modern i një modeli historik që e ka bërë punën e grave të padukshme dhe të pavlerësuar. Që nga shoqëritë bujqësore, revolucioni industrial e deri tek ekonomitë neoliberale të shekullit XXI, gratë gjithmonë kanë qenë shtylla e “përballjes me krizën”, ndërsa burrat shtylla e “prodhimit të vlerës”. Të dyja janë të domosdoshme, por vetëm njëra është njohur dhe shpërblyer financiarisht.

Kur thatësirat ndodhnin pesëqind vjet më parë, gratë ishin ato që duhej të siguronin ujë nga distanca më të gjata. Kur pati rënie të prodhimit në periudhën e Mesjetës, gratë ishin ato që u sakrifikuan për të ushqyer familjen para vetes. Edhe gjatë luftërave të shekullit XX, gratë morën barrën e jetës së përditshme: rritjen e fëmijëve, menaxhimin e shtëpisë, kujdesin e të moshuarve, gjetjen e ushqimit në kushte të pamundura. Historia vetëm ka ndërruar kontekstin, por jo strukturën: sa herë ka krizë, puna e grave vlerësohet më pak, por kërkohet më shumë.

Kjo shihet si një vazhdimësi e rendit patriarkal që e ndan punën në “prodhim” dhe “riprodhim social”. Prodhimi paguhet e glorifikohet, ndërsa riprodhimi social (kujdesi, përgatitja e ushqimit, menaxhimi i shtëpisë, mirëmbajtja e komunitetit) merret si i mirëqenë dhe zakonisht bie mbi gratë. Kjo i bën ato të cenueshme në mënyrë strukturore, sidomos gjatë krizës klimatike, kur nevojat për kujdes shtohen, ndërsa përkrahja institucionale bie.

Ndryshimet klimatike e thellojnë pabarazinë. Sa më shumë rriten çmimet e ushqimeve, aq më shumë gravitet u bie grave që të gatuajnë në kushte më të vështira. Sa më e madhe bëhet mungesa e ujit, aq më shumë orë të ditës humbasin duke siguruar ujë për familjen. Sa më të shpeshta bëhen ngjarjet ekstreme, aq më shumë rritet barra e kujdesit për fëmijët, të moshuarit, e të sëmurët. Në këtë mënyrë, klima krijon një “spirale të dyfishtë shtypëse”: gratë kanë më shumë punë, më shumë kosto, më shumë përgjegjësi, por jo më shumë të ardhura apo vendimmarrje.

Sipas ekspertes gjinore, Shqipe Gjocaj, pabarazia gjinore dhe kriza klimatike janë të ndërlidhura thellë dhe pasojat e kësaj të fundit për gratë, e veçanërisht për grupet e margjinalizuara, shfaqen në disa nivele.  Ajo e vë fokusin te gratë shtatëzëna, cilësia e ujit, ajrit dhe ekspozimi në kimikate të përditshme:

Ka një arsye se pse krizat klimatike nuk mund të analizohen kurrë në vakum. Ato ndërthuren me strukturat e dhunës politike, të dhunës me bazë gjinore dhe shkeljes së të drejtave të njeriut. Një grua shtatzënë apo një me fëmijë të vegjël që varen nga kujdesi i saj, apo edhe gratë në përgjithësi pa dallim moshe që nuk kanë qasje në shërbime shëndetësore, që i ekspozohen mjedisit toksik kimikat, e po ashtu dhunës dhe krimit, na tregon se gratë janë gjithnjë të rrezik të shumëfishtë sepse diskriminimi ndaj tyre është i shumëfishtë”.

Në Kosovë, kjo spirale ka një dimension edhe më të thellë për shkak të strukturës sociale dhe ekonomike. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe Agjencisë për Barazi Gjinore, vetëm 5.9% e ekonomive bujqësore menaxhohen nga gratë, ndërsa analizat e FAO dhe UN Women tregojnë se vetëm rreth 10–15% e tokës bujqësore në Kosovë është e regjistruar në emër të grave. Kjo do të thotë se ato kryejnë punën, por nuk kanë kontroll mbi të ardhurat, investimet apo vendimet strategjike. Kur ndryshimet klimatike dëmtojnë prodhimin, humbjet i përjetojnë ato të parat, qoftë përmes rënies së të ardhurave, qoftë përmes humbjes së ushqimit në familje. Për më tepër, në familjet ku burrat migrojnë për punë, gratë mbeten menaxhere të ekonomisë shtëpiake në kushte të paqëndrueshme klimatike, shpesh pa mbështetje institucionale dhe pa fuqi vendimmarrëse.

Në thelb, ndryshimi klimatik nuk e prodhon pabarazinë, ai e zbulon, e thellon dhe e bën të pamundur për t’u injoruar. Gratë nuk janë viktima të rastit të kësaj krize; ato janë viktima të një sistemi që historikisht e ka marrë punën e tyre si të dhënë dhe që edhe sot e trajton vlerën e tyre përmes filtrit të një ekonomie të padrejtë. Për aq kohë sa punët që mbajnë shoqërinë gjallë nuk paguhen dhe nuk njihen, klima do të vazhdojë të jetë seksiste, jo sepse natyra është e padrejtë, por sepse shoqëria është.

A do të përkeqësohet pabarazia gjinore në vitet e ardhshme?

Përgjigjja është po, nëse strukturat mbeten të pandryshuara, pabarazia gjinore pritet të përkeqësohet në vitet e ardhshme. Shkaqet janë thellësisht strukturore: urbanizim i shpejtë pa planifikim të ndjeshëm ndaj gjinisë, rritje e vazhdueshme e çmimeve të ushqimit dhe energjisë, degradim i tokës bujqësore, mungesë e ujit dhe varësi ekonomike nga sektorë ndotës. Sipas World Bank, ndryshimet klimatike mund të shtyjnë deri në 132 milionë njerëz në varfëri ekstreme deri në vitin 2030-të dhe shumica e tyre janë gra. Në Kosovë, ky realitet pritet të përkthehet në më shumë migrim ekonomik, rritje të numrit të grave kryefamiljare pa mbështetje institucionale, presion më të madh mbi bujqësinë (ku rreth 70% e punës kryhet nga gratë rurale) dhe kosto familjare më të larta për shkak të mungesës së investimeve në energji të pastër dhe efikasitet.

Në këtë sfond, aktivistja e barazisë, Tinka Kurti, thekson se zgjidhja afatgjatë nis me vetëdijen dhe ajo duhet të ndërtohet herët.

Edukimi mjedisor që në fëmijërinë e hershme, përmes librave dhe përmbajtjeve të dedikuara, krijon bazën për një shoqëri më të informuar dhe më të drejtë. Rritja globale e botimeve mjedisore dhe aktivizmi i të rinjve dëshmojnë se ndërgjegjësimi funksionon”.

Sipas Kurtit, shembulli i Greta Thunberg, e cila u angazhua që në moshë shumë të hershme dhe frymëzoi protesta edhe në Kosovë në vitin 2019-të, tregon se edukimi i hershëm mund të prodhojë specialistë, aktivistë dhe qytetarë të përgjegjshëm. Pa këtë investim në vetëdije dhe pa reforma strukturore, pabarazia gjinore do të ngulitet edhe më thellë; me të, hapet mundësia për një të ardhme më reziliente dhe më të drejtë.

Ku qëndrojnë gratë në sektorin e tranizionit energjetik?

Ndryshimi klimatik po krijon presione të reja sociale: Nga migrimi rural në zona urbane, humbje vendesh pune në sektorët e ulët të teknologjisë, rritje të varfërisë energjetike.

Jeta urbane nuk është më e butë ndaj grave. Rritja e çmimeve të energjisë në qytete ndikon kryesisht te gratë që jetojnë në familje të drejtuara nga gra ose gratë që punojnë në punë të pasiguruara dhe të ulëta në paga. Ndërsa, politika e klimës në Kosovë ende nuk e adreson qartë dimensionin gjinor, duke e lënë këtë pabarazi të padukshme në planifikimin urban, në sistemet e mbrojtjes sociale dhe në strategjitë e adaptimit.

Realiteti në Kosovë tregon një pabarazi të thellë gjinore në sektorin e energjisë: gratë përbëjnë vetëm rreth 10% të fuqisë punëtore, sipas ASK-së dhe pjesa më e madhe e këtij numri gjendet jashtë niveleve ku merren vendimet. Edhe në nënsektorët më të rinj, si energjitë e rinovueshme, ku teorikisht pritej hapësirë më e madhe për diversitet, gratë mbeten kryesisht në role administrative, ndërsa në shumë ndërmarrje publike përfaqësimi bie edhe nën 10%, sidomos në ekipet teknike dhe operacionale.

Pabarazia bëhet edhe më e theksuar kur flasim për profesione inxhinierike dhe teknike: në gjenerim, mirëmbajtje dhe menaxhim të sistemeve elektrike, gratë rrallë arrijnë 3–5% të punësimit. Sektori teknik mbetet pothuajse ekskluzivisht i dominuar nga burrat. Në nivelet e larta (si: bordet, menaxhmenti i lartë dhe rolet strategjike), prania e grave është përjashtim, jo normë, duke krijuar një cikël të mbyllur. Mungesa e grave në vendimmarrje prodhon politika dhe struktura që e riprodhojnë të njëjtën mungesë.

Edhe të dhënat për përfshirjen gjinore në tranzicionin e gjelbër janë të paplota megjithatë disa indikatorë janë të qartë: në energjitë e rinovueshme – gratë përbëjnë 30–32% të punësimit total; në sektorët tradicionalë të energjisë kjo bie në 20–22%; ndërsa në rolet plotësisht teknike prania e tyre është vetëm 5%. Në ndërmarrjet publike të energjisë, gratë zënë rreth 15% të ekipit, por vetëm një pjesë shumë e vogël e këtyre pozicioneve lidhen me menaxhim apo vendimmarrje.

Në tërësi, fotografia tregon një pabarazi të thellë strukturore: sa më i rëndësishëm dhe teknik të jetë roli, aq më pak gjasa ka të jetë i qasshëm për gratë.

Shqipe Neziri, eksperte e energjisë, ka vlerësuar se në këtë sektor barrierat për gratë fillojnë që në perceptimet shoqërore

“Energjia, inxhinieria dhe teknologjia vazhdojnë të shihen si fusha ‘për burra’. Ky fenomen nis që në fazën e edukimit, ku shumë pak vajza orientohen drejt STEM-it, duke vazhduar më tutje në fazën e punësimit e të avancimit profesional. Mungesa e shembujve inspirues dhe e mentorimit e thellon problemin: kur vajzat nuk shohin gra në pozita të larta, bëhet më e vështirë të projektojnë veten në role udhëheqëse. Kjo është një pengesë strukturore që e ngushton rrugën drejt karrierave teknike dhe vendimmarrëse”, shprehet ajo.

Neziri ka theksuar më tej se një tjetër problem madhor është mungesa e të dhënave të detajuara sipas gjinisë:

Institucionet publike kanë filluar së fundi të vendosin objektiva gjinore, duke synuar të arrijnë 25% përfaqësim të grave në sektor deri në vitin 2031, sipas Strategjisë për Energji 2022–2031. Megjithatë, zbatimi i këtij objektivi mbetet sfidues. Për më tepër, mungojnë të dhënat e ndara sipas gjinisë për rolet strategjike, proceset e vendimmarrjes dhe përfshirjen në projektet e tranzicionit të gjelbër, duke bërë që edhe aty ku gratë kontribuojnë, prezenca e tyre të mos jetë e dukshme apo transparente”, ka përfunduar ajo.

Ndërsa mbi pyetjen tonë se a e dëmton pabarazia gjinore tranzicionin e gjelbër? Ajo u përgjigj: “PO dhe në mënyrë të rëndësishme”. Ekspertja e energjisë theksoi se përjashtimi i grave sjell humbje të talentit dhe diversitetit profesional, prodhon politika më pak gjithëpërfshirëse dhe rrit rrezikun e varfërisë energjetike, pasi nevojat reale të grave dhe familjeve të cenueshme mbeten të nënadresuara. Një tranzicion që nuk përfshin të gjitha grupet humbet edhe besimin publik, ndaj përfshirja e grave nuk është çështje formale, por parakusht për suksesin e politikave klimatike në Kosovë.

Në Kosovë, varfëria energjetike prek veçanërisht familjet e udhëhequra nga gra të vetme, të divorcuara ose të margjinalizuara ekonomikisht. Në shumë raste, gratë “amplifikojnë” krizën përmes barrës së kujdesit, por ato janë edhe forca më e madhe rezistente: organizojnë komunitetin, kujdesen për fëmijët, menaxhojnë burimet natyrore, edukojnë.

Por kjo rezistencë nuk duhet romantizuar. Ajo është rezultat i mungesës së mbështetjes institucionale, jo zgjedhje apo zgjidhje.

Dimensioni politik dhe siguria – Kush vendos për planetin?

Megjithëse gratë preken më shumë, ato nuk janë aty ku merren vendimet.

Në Kosovë, përfaqësimi i grave në pozita të larta në sektorët kyç, si: energji, bujqësi, planifikim hapësinor dhe ekonomi mbetet minimal. Ky boshllëk i kalon kufijtë dhe në nivel global. Vetëm rreth 15% e ministreve të mjedisit janë gra dhe vetëm 22% e negociatorëve të klimës në samitet COP janë gra. Kur gratë nuk janë në tavolinë, politikat ndërtohen mbi “standardin” e jetës, punës dhe trupit të burrave, duke lënë jashtë çështje thelbësore që prekin gratë.

Pasojat janë konkrete. Politikat klimatike shpesh dështojnë të adresojnë sigurinë gjatë zhvendosjeve, qasjen në shërbime shëndetësore, higjienën menstruale dhe rritjen e dhunës me bazë gjinore gjatë krizave. Sipas UNFPA, dhuna ndaj grave rritet me 20–30% pas çdo fatkeqësie natyrore, një tregues i qartë se klima është edhe çështje e sigurisë gjinore.

Këtë dimension e shpjegon qartë Rudinë Jakupi, njohëse e çështjeve të sigurisë.

“Nga perspektiva e sigurisë, ndikimi i ndryshimeve klimatike mbi gratë është kompleks dhe shumëdimensional. Zhvendosjet e detyruara nga humbja e tokës bujqësore, mungesa e ujit apo fatkeqësitë natyrore i ekspozojnë gratë më shumë ndaj dhunës, shfrytëzimit dhe humbjes së qasjes në shërbime bazike. Migrimi shpesh nënkupton humbje të mbështetjes komunitare dhe të autonomisë, duke rritur pasigurinë ekonomike dhe sociale”, shprehet ajo.

Raportet ndërkombëtare e konfirmojnë këtë tablo. Në Afrikën Lindore thatësirat kanë shoqëruar rritje të dhunës seksuale gjatë zhvendosjeve dhe në kampet e përkohshme (CARE International 2020; International Rescue Committee 2019; UNHCR & UNFPA 2016). Në Filipine, pas tajfunëve është rritur rreziku i trafikimit të grave dhe vajzave (Human Rights Watch 2014; International Organization for Migration 2014; UNFPA Philippines 2015). Këto raste tregojnë se migrimi klimatik nuk është thjesht lëvizje demografike, por çështje e thellë e sigurisë gjinore.

“Në Ballkan, ndikimi është më pak spektakolar, por po aq real. Në zonat rurale të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, degradimi i tokës, thatësirat sezonale dhe mungesa e ujit nxisin migrimin ekonomik, duke i lënë gratë më të ekspozuara ndaj pasigurisë ekonomike, rritjes së punës së papaguar dhe dhunës në familje. Një dimension tjetër kritik është qasja në burime natyrore dhe energji: kur sigurimi i ujit, druve apo ushqimit bëhet më i vështirë, barra bie kryesisht mbi gratë, duke i futur në cikle varësie ekonomike që kufizojnë autonominë e sigurinë e tyre personale dhe aftësinë për të marrë vendime për veten dhe familjen”, ka shpjeguar ekspertja Jakupi.

Pyetja kyçe mbetet: kush vendos për planetin? Nëse politikat klimatike vazhdojnë të hartohen pa gratë, ato do të vazhdojnë të dështojnë në adresimin e rreziqeve reale. Ndryshimi klimatik është edhe çështje sigurie dhe siguria pa barazi gjinore është e paplotë. Për ta bërë tranzicionin e gjelbër efektiv dhe të drejtë, gratë duhet të jenë jo vetëm të mbrojtura nga pasojat, por të pranishme në vendimmarrje. Vetëm atëherë politika, klima dhe siguria mund të ecin në të njëjtin drejtim.

Vetëdija për klimën në Kosovë: e rritur, por ende pa peshë politike

Vetëdija kolektive për ndryshimet klimatike në Kosovë ka nisur të rritet, kryesisht falë fushatave të shoqërisë civile dhe angazhimit të disa organizatave joqeveritare. Megjithatë, ky ndërgjegjësim mbetet gjysmak dhe ende i kufizuar, pa u shndërruar plotësisht në kuptim të thellë publik apo në presion të qëndrueshëm ndaj institucioneve për veprim sistemik.

Anita Vllahiu – menaxhere e projekteve në organizatën QIKA, ka theksuar se shoqëria civile në Kosovë ka nisur të adresojë dimensionin gjinor të klimës, edhe pse ende jo në shkallën që e kërkon kriza. Sipas saj, shumë organizata kanë ndërmarrë iniciativa dhe aktivitete për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e integrimit të perspektivës gjinore në politikat mjedisore dhe në proceset e adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike. Megjithatë, ajo ka thënë se shumica e iniciativave mbeten të fragmentuara dhe të varura nga fonde afatshkurtra, çka e kufizon ndikimin e tyre afatgjatë dhe se ende mungon një strategji e koordinuar kombëtare që garanton vendosjen e grave dhe vajzave në qendër të qasjes së Kosovës ndaj krizës klimatike.

“Urgjenca e parë është që institucionet të integrojnë perspektivën gjinore në çdo politikë klimatike nga energjia tek bujqësia dhe menaxhimi i fatkeqësive natyrore. Kjo nënkupton mbledhjen e të dhënave të ndara sipas gjinisë, përfshirjen e grave në të gjitha strukturat vendimmarrëse dhe hartimin e buxheteve që adresojnë nevojat specifike të vajzave dhe grave. Po ashtu, shteti duhet të investojë në shëndetësi, transport publik dhe infrastrukturë të qëndrueshme, që e bëjnë jetën e grave më të sigurt dhe më pak të varur nga kushtet klimatike”, nënvizoi Vllahiu.

Ajo ka theksuar më tutje nevojën që shoqëria të njohë dhe ndajë më drejt punën e papaguar të kujdesit, e cila rritet gjatë krizave klimatike dhe rëndon kryesisht mbi gratë.

“Duhet të mbrohen mbrojtëset e mjedisit dhe aktivistet, të cilat shpesh përballen me presion dhe denigrim. Vetëm me një qasje feministe, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, Kosova mund të ndërtojë reziliencë të vërtetë ndaj krizës klimatike”, ka pëfunduar Vllahiu.

Kriza klimatike nuk është neutrale, por pasqyrë e sistemit patriarkal

Statistikat globalisht tregojnë se burrat emetojnë më shumë karbon (përdorin më shumë automjete, konsumojnë më shumë mish, udhëtojnë më shumë), ndërsa gratë përdorin më shumë transport publik, prodhojnë më pak mbetje, konsumojnë më qëndrueshëm.

Megjithatë, ndikimi që gratë përjetojnë është më i madh. Ky është thelbi i seksizmit klimatik: ata që kontribuojnë më pak në ndotje, dëmtohen më shumë.

Por, nëse e kuptojmë se kjo krizë është edhe çështje drejtësie, atëherë transformimi bëhet i mundur.

Klima është edhe çështje gjinore. Dhe, në një botë të drejtë, asnjë krizë nuk duhet të jetë seksiste.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Mbështetje për Mediat e Vogla në Ballkanin Perëndimor, i zbatuar nga Kosovo Glocal / Kosovo 2.0. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet, opinionet ose vlerat e Bashkimit Evropian apo të Kosovo Glocal / Kosovo 2.0.

Shpërndaje:

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Telegram
Email