Shkruan: Fisnik Dajakaj
“Më vinte me vjellë. Më dukej si ndjenjë ngufatjeje në të njëjtën kohë. Nuk mundja me e hjekë mendjen prej asaj që shihja. Provoja me këqyr naj film, po s’bënte punë. Tek pasi përfundoi shiu fillova me u qetësu”, kështu shprehet F.S (27-vjeçar, banor i Lagjes III në Skenderaj).
Lumi Klina truponte mes për mes lagjen, por përtej dëmeve materiale të mëdha, te këta banorë ngjalli një ndjenjë ankthi dhe pasigurie. Oborret e mbushura me ujë dhe bodrumet e sallonet e dëmtuara, rikthyen disa trauma që tashmë ishin të pushuara, por ende të pranishme.
“Nuk kemi marrë ndonjë ndihmë psikologjike. Mirë jena kështu, veç në qat moment na u shfaqën disa trauma, kemë të pambrojtur”, u shpreh N.S (45-vjeçare, banore e kësaj lagjeje). Në mes të frikës se çka do të prodhojë e nesërmja dhe shpresës që situata do të përmirësohet, këta banorë e përjetuan agun e mëngjesit zgjuar. Teksa shirat nuk pushonin, ankthi shtohej e frika bëhej më e madhe. Nevoja për një krah, qoftë edhe për t’i dëgjuar, rritej, veçanërisht në një situatë të tillë të rënduar psiko-emocionale.
Siç deklaron psikologu Ylli Avdijaj, në raste të fatkeqësive natyrore njerëzit ballafaqohen me situata traumatike, andaj është e rëndësisë së veçantë që të jepet ndihma e parë psikologjike. Sipas tij, brenda ndihmave esenciale për evakuim, duhet të përfshihet edhe ndihma psikologjike.
“Nëse flasim për fatkeqësitë natyrore si vërshimet apo tërmetet, këto janë situata traumatike të cilat mund të prodhojnë një lloj traume te personat që e përjetojnë atë. Normalisht, në vendet ku ndodhin këto, përveç mobilizimeve që përfshijnë evakuimin dhe largimin nga prona në rast rreziku, duhet pasur parasysh edhe ndihma e parë psikologjike, për shkak se këto dukuri shkaktojnë një lloj frike te personat. Kjo frikë mund të përcillet te ta si një lloj traume apo ankthi se ‘a do të përsëritet më’ ose ‘çka do të ndodhë më vonë’. Për këtë shkak duhet që, në këto ekipe që mobilizohen për shpëtim, të përfshihet edhe ndihma e parë psikologjike”, u shpreh fillimisht ai për Platforma 360.
“Ndihma e parë që jepet për këta persona mund të dallojë nga ndihmat e tjera psikologjike dhe psikoterapeutike, pasi në këso situatash njerëzit janë në gjendje shoku. Kësisoj ndihma është dhe duhet të jetë e orientuar drejt dhënies së sigurisë”, u shpreh tutje Avdijaj.
I pyetur nëse ka rritje të numrit të njerëzve që kërkojnë këshillim psikologjik pas situatës së vërshimeve, ai thotë se ende nuk është vërejtur ndonjë fluks i tillë. Gjithsesi, Avdijaj thotë se kjo mund të manifestohet në të ardhmen, pasi të ketë kaluar një kohë.
“Kur flasim për aspektin traumatik, nëse nuk punohet në lidhje me të, trauma qëndron. Gjithmonë këta ngacmuesit e tjerë të cilët do të jenë të vazhdueshëm si dukuritë natyrore do ta afektojnë individin. Sa u përket rasteve të fundit, nuk kemi vërejtur ndonjë rritje të numrit të personave që kërkojnë këshillim, mirëpo meqë ka qenë situatë e hershme, të paktë janë ata persona që e kërkojnë ndihmën e menjëhershme. Zakonisht kjo ndihmë i vetofrohet ose vërehet më vonë, kur fillon ajo gjendja e qetësisë, pastaj fillon ai ankthi ose shqetësimi i vazhdueshëm”, theksoi Avdijaj.
Në anën tjetër, Bind Skeja nga Linja e Jetës thotë shqetësimet psikologjike nuk artikulohen si shkaktarë të ndryshimeve klimatike apo nga mjedisi në përgjithësi, gjithsesi në disa raste mund të jenë e nënkuptuara si të tilla.
“Nuk do të thotë që artikulohet asisoj, por prapë manifestohet në aso mënyrë. Për këtë arsye shpeshherë rekomandohet ecja në natyrë, rilidhja me natyrën, ku ajri është i pastër, i qetë dhe larg ndotjes. Siç e thashë, te ne ende nuk ka ardhur ky shqetësim i artikuluar saktësisht, pra kur vjen ose thërret një njeri edhe thotë se nuk po ndihem mirë për shkak të ndryshimeve klimatike. Në Perëndim ky është faktor kyç pse rinia është duke kërkuar ndihmë psikologjike”, theksoi fillimisht ai.
Pandemia dhe ndryshimet klimatike si ringjallje e traumave të luftës?!
Duke u nisur nga nevoja primare për siguri, është e rëndësisë së veçantë të kuptohet më shumë në lidhje me mënyrën se si lidhen traumat e së kaluarës nga ngacmuesit e së tashmes. Sipas psikologut Yll Avdijaj, periudha e pandemisë rriti ndjeshëm numrin e personave që kërkojnë ndihmë psikologjike e cila kryesisht buronte nga frika ekzistenciale. Sipas tij, njëjtë funksionon edhe me fatkeqësitë natyrore që rikthejnë apo ja
pin “flashbacks” të traumave të së kaluarës.
“Sa u përket kërkesave, mund ta cekim situatën kur ishim në pandemi. Pandemia sikur një dukuri globale rriti ndjeshëm nevojën për shërbime psikologjike dhe psikoterapeutike. Kur ishin në pandemi, normalisht që kërkesat ishin për shkak të pandemisë, për shkak të frikës se ‘cka do të bëhet’ dhe ‘a do të shpëtojmë’. Megjithatë, ajo periudhë lë ankthet se cka do të ndodhë në të ardhmen, duke e riaktivizuar atë. Ka pasur raste kur personat që kam punuar me ta iu është aktivizuar trauma e luftës së fundit në Kosovë. Gjendja e pandemisë ka ndikuar aq thellë saqë ka dhënë përjetimin e luftës, duke ia rikthyer disa ‘flashbacks’”, u shpreh fillimisht ai.
Tutje, Avdijaj thekson se njëjtë mund të manifestohen edhe situata të tjera të ndryshimeve klimatike si vërshimet apo edhe tërmetet.
“Njëjtë ndodh edhe kur përballemi me vërshime apo tërmete, sepse është një gjendje alarmante e cila i aktivizon disa trauma që i kemi përjetuar edhe më herët. Sepse, kur flasim për aspektin traumatik, trauma nëse nuk përpunohet, nëse nuk punohet me të, ajo qëndron aty dhe gjithnjë këta ngacmuesit e tjerë që do të jenë të vazhdueshëm, sigurisht që do ta afektojnë individin”, nënvizoi Avdijaj.
Në anën tjetër, Bind Skeja nga Linja e Jetës thotë se trauma e luftës te njerëzit është rikthyer pas lajme për luftën në Ukrainë, me ç’rast kanë pranuar shumë thirrje për mbështetje psikologjike.
“Kur pati filluar lufta në Ukrainë, ne patëm pranuar shumë thirrje gjatë asaj kohe prej njerëzve që i është kthyer trauma e luftës, anipse jo domosdoshmërisht ishim të rrezikuar”, u shpreh fillimisht Skeja.
Ai tutje theksoi që është një ndërlidhje në mes të luftës dhe ndryshimeve klimatike në aspektin psikologjik, në sajë të stimujve që këta faktorë nxisin.
“Deri diku këto elementë kanë ndërlidhje sepse njeriu në thelb ka nevojë për siguri. Ckado që ia cenon imazhin e kësaj sigurie i ngjall stres, që nesër/pasnesër të ndihet i pasigurt. Për shembull, kur filloi lufta në Ukrainë, u ngjall ai stresi se çka mund të ndodhë te ne. Këto situata i ngacmojnë ato mendimet që i ke pasur ti që kanë mbetur të patrajtuara prej kohës kur ti i ke përjetuar ato. Në mënyrë të ngjashme, edhe pse situata e luftës është shumë më traumatike se ajo e ndryshimeve klimatike, te familjet e prekura nga vërshimet për shembull, trauma mundet të zgjohet”, theksoi ai.
Cilat kategori shoqërore janë më të rrezikuara nga problemet e shëndetit mendor?
Siç shprehet Bind Skeja, në kontekstin kosovar nuk ka ndonjë matje që tregon se ndonjë kategori shoqërore është më e predispozuar që të ketë probleme të shëndetit mendor sesa një tjetër. Gjithsesi, sipas tij, në nivel global komuniteti LGBTIQ ka të ngjarë të ketë më shumë mendime vetëvrasëse për shkak të, siç thotë, mospranueshmërisë në shoqëri. Skeja evidenton se sa më e lartë të jetë shkalla e papranueshmërisë në shoqëri, aq më të mëdha janë gjasat që të shfaqen probleme ekstreme shëndetësore. Ai përmend edhe gratë në përgjithësi si kategori në vete që janë më të predispozuara që të kenë mendime më ekstreme si vetëvrasja, mirëpo që jo domosdoshmërisht manifestohen si shkas i ndryshimeve klimatike.
Në anën tjetër, për Yll Avdijajn personat më të cenushëm janë ata që kanë trauma të së kaluarës që manifestohen me stres post-traumatik.
Sipas raportit të UNICEF, ndër kategoritë më të cenueshme sa i përket shëndetit mendor si pasojë e ndryshimeve klimatike janë të rinjtë. Ky raport ndër të tjera thekson se kjo kategori po manifestojnë ndjesi si: pasiguri, ndjenjë pafuqie, frikë për të ardhmen dhe stres emocional kronik.
Tutje, UNICEF bën të ditur se fatkeqësi natyrore si përmbytjet, zjarret dhe valët e nxehtësisë rrisin rrezikun e stresit post-traumatik dhe ankthit.
Një tjetër artikull nga studiuesi Ridda Mahmood i titulluar “The impact of climate change on mental health in vulnerable groups: a systematic review” evidenton tri kategori më të prekura: grupet me status të ulët socio-ekonomik, grupet etnike dhe racore të minorancave, indigjenët dhe personat e pastrehë.
Në lidhje me këtë temë, hulumtime nga Organizata Botërore e Shëndetit i konsideron gratë po ashtu një grup veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndikimeve psikologjike të krizës klimatike. Në këto hulumtime ndër të tjera thuhet se shtatzënia është një periudhë me ndryshime hormonale dhe emocionale, andaj, kur kombinohet me faktorë të tjerë si valët e të nxehtit, fatkeqësitë natyrore apo pasigurinë ekonomike, rreziku për depresion prenatal dhe stres rritet.


Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Mbështetje për Mediat e Vogla në Ballkanin Perëndimor, i zbatuar nga Kosovo Glocal / Kosovo 2.0. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet, opinionet ose vlerat e Bashkimit Evropian apo të Kosovo Glocal / Kosovo 2.0.



