Shkruar: Fisnik Dajakaj & Jeta Berisha
Ajri i ndotur është kthyer në një realitet të përditshëm në Kosovë, një togfjalësh që përsëritet aq shpesh sa rrezikon të normalizohet, ndonëse pasojat e tij mbeten thellësisht alarmuese. Për ambientalistët, aktivistët, profesionistët e shëndetit dhe qytetarët, ndotja e ajrit është përvojë e drejtpërdrejtë që ndjehet në frymëmarrje, në shëndet dhe në cilësinë e jetës. Megjithatë, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme institucionale, problemi vazhdon të mbetet strukturalisht i pazgjidhur.
Këtë e konfirmojnë edhe thirrjet periodike të IKShPK, të cilat intensifikohen veçanërisht në periudhën para-dimërore. Një paralajmërim i tillë u publikua edhe më 11 dhjetor, kur gjendja e cilësisë së ajrit u vlerësua si e përkeqësuar. Sipas institucionit, ulja e temperaturave ka rritur nevojën për ngrohje, duke shtuar në mënyrë direkte emetimet ndotëse në ajër.
Nga perspektiva shkencore, situata është përkeqësuar edhe nga faktorë meteorologjikë specifikë: mjegulla e dendur, lagështia e lartë, mungesa e erërave dhe fenomeni i inversionit termik. Këto kushte krijojnë një “kapak” atmosferik që pengon shpërndarjen e ndotësve, duke i mbajtur ata të përqendruar pranë tokës, pikërisht aty ku njerëzit marrin frymë. Si rezultat, ndotja nuk shpërndahet, por akumulohet, duke e kthyer ajrin në një rrezik të heshtur, por të vazhdueshëm për shëndetin publik.
Ndërkohë, uebfaqja që përditëson të dhënat për cilësinë e ajrit, “Airquality”, në momentin e shkrimit të këtij artikulli është jashtë funksionit për shkak të rikonstruktimit, çka e kufizon qasjen në të dhëna të përditësuara. Informacioni i fundit i disponueshëm daton më 12 dhjetor – një boshllëk informativ që vetëm sa thellon ndjesinë e pasigurisë dhe mungesës së transparencës për një çështje që prek drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve.
Cila është gjendja e ajrit në Kosovë?
Në raportin e fundit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (AMMK), të vitit 2024, Kosova shënon përparime të ndjeshme. Sipas këtij raporti, cilësia vërehet veçanërisht në vitet 2022, 2023 dhe 2024, sidomos në rënien e koncentrimit të grimcave PM10dhe PM2.5.
“Bazuar në të dhënat e analizuara, konstatohet se kemi në përmirësim të dukshëm të cilësisë së ajrit gjatë viteve 2021, 2022, 2023 dhe 2024, veçanërisht për parametrat PM10 dhe PM2.5. Ndër këta parametra, rënia më e theksuar është vërejtur te parametri PM10”, thuhet ndër të tjera në raport.
Në anën tjetër, ndryshe nga PM2.5 dhe PM10, vërehet një prezencë më e shtuar e O3 (Ozonit), por që është rritje e lejuar brenda kufijve standardë.
Për shembull, grimcat PM10, nga përqendrimi 43.2 mikrometra në kub në vitin 2013, kanë rënë në 18.23 në vitin 2024. Njëjtë ka ndodhur edhe me grimcat PM2.5 të cilat nga përqendrimi 28.86 kanë zbritur në 12.98 në vitin 2024.
Sipas të dhënave grafike ka një rritje të lehtë prezence të dioksidit të sulfurit (SO2), nga 6.37 në 8.62 në vitin 2024.

(Marrë nga raporti i AMMK për gjendjen e ajrit 2024)
I kontaktuar nga Platforma360, edhe Agim Mazreku nga AMMK e sheh si pozitive situatën, ndërsa për komente shtesë bën thirrje t’i referohet pikërisht këtij raporti. Mazreku u pyet edhe për aspektin se si po menaxhohen mbeturinat në nivele komunale. Duke i parë si faktorë direkt dhe të tërthortë në ndotjen e ajrit, Mazreku thekson se organizojnë takime me komuna 2-3 herë në vit, specifikisht me Drejtoritë e Shërbimeve Komunale, lidhur me mbledhjen e raportit të mbeturinave, me ç’rast përgatiten raporte vjetore.
Në raportin e fundit, për vitin 2024, AMMK konsideron se ka një përmirësim në nivel të përgjithshëm të menaxhimit të mbeturinave. Si shenjë progresi merret grumbullimi total i mbeturinave që ka rënë nga 471.278.00 ton (2023) në 449.707.93 ton. Pra flitet për një rënie rreth 21.507.07 ton.
Gjithsesi, gjendjen e ajrit dhe mjedisit në përgjithësi nuk po e cilëson si të mirë Urim Xharavina nga Rilindja Gjelbër, i cili ndër të tjera thotë se, nëse vazhdohet kështu, mund të bëhemi popullsia me shëndetin më të ulët në rajon.
“Ne e dimë, si faktorë të ndotjes së ajrit, andej kah Prishtina i kemi termocentralet, i kemi djegiet e vogla, s’kemi sistem të ngrohjes qendrore në shumicën e qyteteve. Lumenjtë janë të ndotur shkaku i mungesës së impiantin e trajtimit të ujërave të zeza. Mandej kemi mbeturina të ngurta nëpër lumenj. Deri tash, me sa di, kemi 453 deponi legale, që numri mund të jetë edhe më i lartë kur llogariten edhe ato ilegale. Duke i marrë parasysh këto, mund të llogaritemi si vendi ma i ndotur në Evropë ndoshta. Ndotja e ujit e ajrit ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e tokës. Me këtë ujë e ajër rriten pemët e perimet që ne i hamë, mandej ndikojnë në shëndetin tonë. Është një zinxhir vicioz që si popull jemi futur në të. Nëse nuk ndërmarrim asgjë, do të jemi popullsia me shëndetin më të ulët”, u shpreh ai për Platforma360.
Xharavina tutje shtoi se nga kjo ndotje mjedisore vuajnë të gjithë qytetarët e Kosovës, por me theks të veçantë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptianë, të cilët janë më të ekspozuar për shkak të stilit të jetesës që kanë, si pasojë e vështirësive financiare.
Çka e shkakton ndotjen e ajrit?
Uebfaqja e njohur britanike, Clean Air Lincs, thotë se ndotësit kryesorë të ajrit janë: PM2.5, PM10, NO2 dhe CO. Shpjeguar në terma të thjeshtë, akronimet PM2.5 dhe PM10 paraqesin grimcat e vogla të pluhurit me diametër më të madh se 2.5 përkatësisht 10 mikrometra.
Grimcat që kanë diametrin më të madh se 10 mikrometra kryesisht formohen nga pluhuri i rrugëve, ndërtimet dhe djegia e qymyrit dhe drurit. Ndërsa ato që janë më të mëdha ose baras me 2.5 mikrometra kryesisht krijohen nga trafiku (nafta), termocentralet dhe ngrohja e shtëpive.
Në anën tjetër, NO2 paraqet dioksidin e azotit, teksa CO monoksidin e karbonit. Komponimi i parë është gaz me ngjyrë kafe të kuqërremtë, që formohet kryesisht nga trafiku i dendur i makinave, teksa i dyti është gaz i pangjyrë dhe i pa erë, ndërsa formohet nga djegia jo e plotë e lëndëve djegëse në vetura.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, këto grimca formohen si “mbetje” dytësore në ajër kur gazrat e ndotjes si dioksidi i azotit (NO2), dioksidi i sulfurit (SO2) dhe amoniaku ndërveprojnë me atmosferë, kësisoj krijohen grimca shumë më të imëta që sulmojnë rrugët e frymëmarrjes. E njëjta organizatë këto grimca i vlerëson si shkaktarë kryesorë të sëmundjeve jo infektive (sëmundje të zemrës, astmë, kancer të mushkërive etj.).
Si matet cilësia e ajrit në Kosovë?
Cilësinë e ajrit në Kosovë e mat Instituti Hidro Meteorologjik i Kosovës. Ai i ka gjithsej 12 stacione fikse dhe një stacion mobil. Këto stacione matin në mënyrë të vazhdueshme përqendrimet e ndotësve kryesorë në ajër (PM2.5, PM10, NO2, SO2, O3 dhe CO).
Pëmes pajisjeve të monitorimit, IHMK nxjerr raporte ditore për cilësinë e ajrit në vend. Matjet paraqiten si koncentrime në mikrogram për metër kub për grimcat dhe gazrat.
Që këto të dhëna teknike të jenë të kuptueshme për publikun e gjerë, Indeksi i Cilësisë së Ajrit paraqitet me fjalët “i mirë” deri te “shumë i pashëndetshëm”. Indeksi i Cilësisë së Ajrit paraqitet konform Direktivës Evropiane për cilësinë e ajrit (2008/50 EC).
Ndotja e ajrit dhe problemet shëndetësore
Siç edhe mund të parashikohet, ndotja e ajrit nuk kalon pa probleme shëndetësore në organizëm. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i Kosovës rendit disa prej problemeve që mund të manifestohen si pasojë e ajrit të ndotur.
Ndër të tjera, IKShPK thotë se ajri i ndotur ndikon drejtpërdrejt në rritjen e numrit të rasteve me infeksione respiratore, duke e dëmtuar kështu sistemin imunitar të rrugëve të frymëmarrjes.
“Nga ndotja e ajrit bëhet dëmtimi i sistemit imunitar i rrugëve të frymëmarrjes, ku ndotësit si PM2.5, PM10, dioksidi i azotit e ozoni dëmtojnë këto mekanizma dhe për pasojë kemi tharje dhe irritim të mukozës, mospastrim i duhur i rrugëve të frymëmarrjes nga mikrobet, duke ua bërë më të lehtë viruseve që të depërtojnë në qeliza për ta rritur rrezikun për grip, bronkit, infeksione virale dhe infeksione bakteriale”, thuhet fillimisht në përgjigjen e IKShPK.
Sipas tyre, kur ajri është i ndotur, inflamacionet pulmonare janë më të shpeshta, duke u shfaqur si “ftohje të zgjatura”, shfaqje më të dendura të bronkitit, infeksione të poshtme respiratore dhe përkeqësim i simptomave të gripit.
“Kjo ndodh sidomos në ambiente urbane me smog ku rënia e imunitetit ndodh sidomos te fëmijët, shtatzënat, të sëmurët kronikë dhe të moshuarit, duke dhënë infeksionet e traktit të poshtëm respiratorë, infeksionet virale të përsëritura dhe shtim të numrit të pranimeve spitalore si pasojë e astmës, COPD (sëmundje pulmonare obstruktive kronike) dhe alergjive kronike. Pacientët me këto sëmundje infektohen më shpesh dhe më rëndë”, thuhet tutje në përgjigjen e IKShPK.
Ndër të tjera, sipas IKShPK, ka ndërlidhshmëri të madhe në mes të ajrit të ndotur dhe përshkallëzimit të simptomave të alergjisë. Pra, ajri është ndër ndikuesit kryesorë në mënyrën se si manifestohet alergjia, veçanërisht te pacientët të cilët kanë astmë, rinit alergjik dhe dermatit atopik.
Prishtina, ndër qytetet më të ndotura në Kosovë, (çuditërisht) nuk është Obiliqi
Prishtina vazhdon të renditet ndër qytetet me ndotjen më të lartë të ajrit në Kosovë. Ashtu si në dimrat e kaluar, kryeqyteti përballet me nivele alarmante të cilësisë së ajrit, duke reflektuar jo vetëm një krizë mjedisore, por edhe pasojat e drejtpërdrejta të një modeli zhvillimi të centralizuar dhe të paqëndrueshëm.
Sipas raportit të fundit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, përqendrimi i grimcave ndotëse në Prishtinë është më i larti në nivel vendi. Në mesin e qyteteve me cilësi të brishtë të ajrit përfshihen edhe Fushë-Kosova, Drenasi, Hani i Elezit dhe Peja. Megjithatë, ajo që bie dukshëm në sy është mungesa e Obiliqit në këtë listë, një qytet që strehon termocentralet kryesore të prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë.
Kjo mospërputhje nuk tregon për përmirësim real të situatës në Obiliq, por për probleme strukturore në sistemin e monitorimit. Sipas një hulumtimi të publikuar nga Balkan Green Foundation në nëntor të këtij viti, për këtë komunë shpeshherë mungojnë të dhëna të plota dhe të vazhdueshme mbi ndotjen e ajrit. Pra, bëhet fjalë për kufizime teknike dhe institucionale që e pengojnë matjen e saktë, jo për rënie të ndotjes.
Edhe “Air Quality Portal Kosova” e pranon se në raste të caktuara ka të dhëna të munguara për shkak të dëmtimeve harduerike apo softuerike. Për Obiliqin, kjo nënkupton se gjendja reale e ajrit jo gjithmonë reflektohet në kohë reale. Ndërkohë, sipas Bankwatch, matje të cilësisë së ajrit realizohen edhe nga operatorë privat, por këto të dhëna nuk integrohen në sistemin zyrtar. Rezultati është një diskrepancë mes burimeve dhe një boshllëk informativ që minon transparencën dhe besimin publik.
Në këtë kontekst, fakti që Prishtina vazhdon të mbajë barrën më të madhe të ndotjes nuk është rastësi. Ai lidhet drejtpërdrejt me migrimin e brendshëm dhe dështimin e politikave të decentralizimit në Kosovë. Për më shumë se dy dekada, kryeqyteti është shndërruar në qendrën pothuajse ekskluzive të punësimit, arsimit, shërbimeve shëndetësore, institucioneve publike dhe mundësive ekonomike. Si pasojë, qytetarë nga të gjitha rajonet e vendit janë detyruar, jo se kanë zgjedhur, të përqendrojnë jetën e tyre në Prishtinë.
Ky përqendrim ka prodhuar një presion të vazhdueshëm mbi infrastrukturën urbane: rritje të numrit të automjeteve, ngrohje individuale të pakontrolluar, ndërtime intensive dhe tkurrje të hapësirave të gjelbra. Në të njëjtën kohë, qytetet e tjera kanë mbetur pa investime të qëndrueshme, pa decentralizim real të institucioneve dhe pa politika zhvillimore që do ta shpërndanin barrën demografike dhe ekonomike.
Prishtina sot funksionon si një qytet që mban mbi supe më shumë banorë sesa është planifikuar ndonjëherë të përballojë. Transporti publik mbetet i pazgjedhur për shumë prej lagjeve, planifikimi urban shpesh reaktiv, ndërsa infrastruktura mjedisore nuk i përgjigjet ritmit të rritjes së popullsisë. Në këtë realitet, ndotja e ajrit nuk është veç problem sezonal apo meteorologjik, por fenomen i një modeli zhvillimi që ka dështuar të krijojë balancë territoriale dhe sociale.
Pyetja që shtrohet sot nuk është vetëm pse Prishtina është ndër qytetet më të ndotura në Kosovë, por nëse modeli aktual i centralizimit është i qëndrueshëm. A ka Prishtina kapacitetin infrastrukturor për të mbështetur të gjithë qytetarët që janë detyruar ta zgjedhin atë si vend jetese dhe pune, dhe nëse jo, pse ende mungon një strategji serioze për decentralizim, zhvillim rajonal dhe drejtësi urbane?
Anketa: 90 për qind e pjesëmarrësve mendojnë se ndotja e ajrit ndikon shumë në probleme shëndetësore
Në një anketë të bërë nga Platforma360, në lidhje me alergjitë dhe ndikimin e faktorëve mjedisorë në përkeqësimin e simptomave, del se 90.1 për qind e respodentëve thonë se ndotja e ajrit ndikon edhe në shfaqjen e problemeve të tjera shëndetësore që manifestohen në rrugët e frymëmarrjes.
Ndërsa, në pyetjen se çka e shkakton më së shumti ndotjen e ajrit, përgjigjja më e shpeshtë nga ta ka qenë trafiku, gjegjësisht veturat.
Këto përgjigje merren në konsideratë veçanërisht kur analizohet përqindja e të prekurve me alergji dhe zonat e tyre banuese. 80% e të anketuarve jetojnë në zona urbane, ku për rrjedhojë janë më afër ndotjes së ajrit prej qarkullimit të veturave.
Një nga të anketuarit, në një përgjigje të shkurtër për Platforma360, thotë se problemet me alergji i shfaqen vetëm në Kosovë, pra nuk ka telashe alergjike kur del jashtë vendit, duke dhënë indikacione se ndotja e ajrit mund të shpie drejt shfaqjes dhe përkeqësimit të simptomave.
Së këndejmi, përkundër disa përmirësimeve të kufizuara, duket që problemi me ajrin e ndotur po del të ende si një ndër sfidat kryesore për qytetarët e Kosovës. Duke i marrë për bazë këto, një plan më afatgjatë për evidentimin dhe zvogëlimin e përqendrimit të ndotësve duket i pashmangshëm.
Lexoni më shumë për mjedisin dhe politikat e qëndrueshme këtu.


Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Mbështetje për Mediat e Vogla në Ballkanin Perëndimor, i zbatuar nga Kosovo Glocal / Kosovo 2.0. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet, opinionet ose vlerat e Bashkimit Evropian apo të Kosovo Glocal / Kosovo 2.0.



