Mitrovica e ndarë edhe në fatkeqësi natyrore – komunat nuk bashkëpunojnë për mbrojtje ndaj vërshimeve

D.D. (27-vjeçar, banor i Mitrovicës së Veriut) i bie ta përshkojë të gjithë qytetin çdo ditë të punës. Për të nuk ka dy komuna, Mitrovica është tërësi.

 “Veriu dhe jugu janë veç orientime gjeografike”, na tha disi si ashpër. “Nuk kemi përse t’i ndajmë. Ne duhet të funksionojmë si një njësi. Duhet të bashkëjetojmë dhe veprojmë”.

Unë dëmtime në shtëpi nuk kam pasur nga vërshimet, por kam parë trotuare, rrugë e prona private të dëmtuara. Në këto fatkeqësi duhet shkuar përtej ndasive etnike”, deklaron prerazi ai me dorën që lëvizte vertikalisht në ajër, sikur donte ta mbyllte çdo diskutim dhe pyetje të mëtejme. 

Pasojat e ndryshimeve klimatike u ndien qartazi në këtë fillimvit në një pjesë të konsiderueshme të Kosovës. Reshjet e dendura të shiut për tri ditë me radhë (6, 7 dhe 8 janar) shkaktuan vërshime dhe për rrjedhojë shumë dëme materiale në shumicën e qyteteve. Sikur të mos i mjaftojë që është e ndarë, Mitrovica u përshkua edhe nga uji. Ura që supozohet të ishte sinonim bashkëpunimi e ndërveprimi, kryneçshëm po rezulton e kundërta. Veriu dhe jugu i këtij qyteti përshkohet me këmbë, por flukset gjatë këtij treditori ishin të rralla në nivel komunal. Siç tregon zëdhënësi i komunës së Mitrovicës së Jugut, Shkëlzen Haliti, bashkëpunimi për ta kaluar atë situatë ka qenë me të gjithë akterët e intervenimit të shpejtë dhe sigurisë nga niveli qendror dhe lokal, por jo edhe me komunën e Mitrovicës së Veriut

Ndonëse ndryshimet klimatike nuk e bënë këtë ndasi, duket që për shqiptarët e Kosovës dhe serbët e Kosovës nuk ka bashkërendim as në fatkeqësi natyrore. Te të dy komunat vërehen dëme të konsiderueshme infrastrukturore, siç shprehen vetë ata, ndihmat dhe bashkëpunimi realizohet për komunës fqinj. 

“Bashkëpunimi ka qenë me të gjithë aktorët e intervenimit të shpejtë dhe të sigurisë nga niveli lokal dhe qendror. Por jo edhe me komunat veriore”, nënvizoi ai. 

Në bazë të asaj që Shkëlzen Haliti tregon për Platforma 360, këto vërshime dëmtuan saktësisht 133 shtëpi, 13 biznese, një urë dhe rreth 33 fermerë të cilët po ashtu pësuan financiarisht. 

Ai tutje shprehet se deri më tash nuk ka një shifër të saktë në lidhje me shifrën monetare për dëmet e shkaktuara, por që janë në proces e sipër. 

“Aktualisht jemi në diskutim me UNICEF për të përfituar nga mbështetja e tyre përmes programit që e kanë në mandatin e tyre dhe që ka të bëjë me mbështetje në aspektin e parandalimit dhe menaxhimit të emergjencave”, deklaroi tutje Haliti. 

Ndryshimet klimatike, të pamëshirshme për edhe “urëlidhësin” e komuniteteve – pushtohet nga të gjitha anët nga uji

Ironia është se ne mësojmë për ndryshimet klimatike dhe mjedisin. Para pak ditësh i përmendëm pikërisht ndryshimet klimatike…Sikur lajtmotiv”, shprehet ndër të tjera AP (rreth të njëzetave, student i IBCM).

Teksa trupon rrugën për ta përshkuar rrugën që të çon drejt kampusit të veriut, ai ka një dëshirë: që objekti i IBCM në jug të funksionalizohet sa më shpejt

Një universitet që ndër misionet parësore ka ndërtimin e urave të bashkëpunimit në mes të komuniteteve në Kosovë, nuk po gjen paqe me faktorin natyror. Për 14 vite që prej themelimit, ky universitet është kapluar nga uji tri herë. Reshjet e dendura treditore (6,7 dhe 8 janar) e gjetën institucionin nën mëshirë të fatit. 

Lumi Ibër doli sërish nga shtrati dhe përshkoi oborrin dhe katin e parë të objektit, që gjendet në kufi të pjesës jugore të qytetit të Mitrovicës, shumë afër Lagjes së Boshnjakëve. 

Ndërtesa trekatëshe ka marrë një zymtësi tash e një muaj, pasi janë të rralla këmbët që enden nëpër dyshemenë e baltosur. 

Siç tregojnë disa banorë të kësaj ane, fillimdimrat veçanërisht në këtë rrethinë janë gjithnjë të vështirë, pasi gjendet afër lumi Ibër dhe në këso raste i ndodhë shpesh të dalë nga shtrati

Teksa lëvizet nëpër kalldrëmet që të çojnë te dera kryesore e universitetit, një copë e udhës është marrë me rrjedhën e ujit. Balta ka hipur mbi trotuaret kufizuese të objektit dhe brenda nëpër zyre. Dyert e qelqta hyrëse janë të krisura e vende-vende edhe të thyera tërësisht në pjesën e poshtme. Brenda këtyre mureve dëme u shkaktuan edhe te dhjetëra kompjuterë, të cilët tashmë janë jofunksionalë.

Nuk jam shumë i sigurt për shifra, por ka bërë dëme të mëdha. Mësimi nuk po mbahet në këtë objekt. Është zhvendosur përkohësisht në objektin e veriut, në Lagjen e Boshnjakëve”, u shpreh njëri nga punëtorët e objektit që donte të mbetej anonim. 

Kjo gjendje duket se i ka zënë në befasi edhe studentët në këtë universitet, të cilët – ndonëse nuk ankohen për cilësinë e ligjëratave, janë disa telashe të tjera që nuk po iu gjejnë zgjidhje. 

Kampuset nuk janë shumë larg njëri-tjetrit. Nuk na bie që të ecim shumë, mirëpo nuk kemi shumë hapësira për parking të veturave në kampusin e veriut. Kushtet janë të mira, edhe pse objekti i IBCM në veri është më i vjetër. Ligjëratat janë efektive si gjithmonë. Kabineti i kompjuterëve nuk është i qasshëm për të gjithë, por po i marrim llaptopët tanë personalë. Kompjuterët janë pak më të vjetër këndej, po ashtu edhe rrjeti është më i ngadaltë. Gjithsesi, në kushtet e dhëna, jemi duke ia dalë mjaft mirë”, tha ndër të tjera F.P, (22-vjeçare), studente në IBCM. 

Shumë më mirë që ligjëratat nuk po mbahen online, por me prezencë fizike. Mësimi, siç thashë, është shumë efektiv, si gjithnjë”, shtoi tutje ajo. 

Aktualisht, procesi drejt rinovimit të kampusit është në vendnumëro, për shkak se po kalohet në fazën e vlerësimit të dëmeve. Rreth oborrit të kolegjit ende gjenden shiritë, që tregojnë se akoma objekti nuk është gati për mbarëvajtjen e procesit mësimor. 

E kontaktuar nga Platforma 360, rektorja e universitetit, Mihone Kerolli, shprehet se kjo hapësirë pritet të jetë e gatshme diku rreth fundit të shkurtit apo fillimit të marsit, teksa foli edhe për masat preventive që po synohen të merren në mënyrë që histori të tilla të mos përsëriten. 

Sipas asaj që po planifikojmë ne dhe në bazë të gjendjes së objektit, mendojmë se mësimi mund të fillojë normalisht në fillim të muajit mars më së largu. Aktualisht jemi të lokalizuar në kampusin e veriut, nuk kemi ndonjë mungesë serioze, por po punojmë që edhe ai i jugut të jetë gati sa më shpejt. Sa u përket masave preventive që e njëjta situatë të mos përsëritet, është formuar një grup punues me Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Arsimit dhe komunën e Mitrovicës që të ndahet një buxhet për rregullimin e shtratit të lumit Ibër, si dhe të vendosen mure mbrojtëse në pjesën afër universitetit, në mënyrë që uji të mos kalojë”, theksoi ajo.

Për këtë projekt ende nuk ka ndonjë datë të saktë, marrë parasysh se kuvendi ende nuk është konstituuar, por mendohet të realizohet në një të ardhme të afërt. Sipas Kerollit, në një rivlerësim të fundit të dëmeve materiale të shkaktuara nga shiu dhe vërshimet, del se po bëhet fjalë për afërsisht 170 mijë euro. 

Uji ka përfshirë objektin diku rreth 30-40 centimetra lartësi. Si rrjedhojë janë dëmtuar dyert, dyshemeja, muret, interneti, depoja me një pjesë të mjeteve aty…Pra, po flitet për diku rreth 168-170 mijë euro dëme. Kështu është konstatuar sipas një rivlerësimi të fundit”, shprehet tutje Kerolli. 

Duke e marrë parasysh paralajmërimin se mund të ketë vërshime, IBCM ka marrë disa masa paraprake, për t’i shpëtuar disa nga prej gjërave më me vlerë në objekt. Siç thekson vetë rektorja, janë larguar kompjuterët, karriget dhe dosjet.

Kerolli ndër të tjera përmend pozicionin gjeografik të objektit si element tjetër që përfton rrezik të madh. Duke qenë në një pozicion më të ulët, IBCM del të jetë shumë herë më i cenueshëm, andaj – sipas saj – është e rëndësisë së veçantë që të kërkohet për një zgjidhje afatgjatë ndaj faktorit natyror. 

Tri herë që IBCM është përfshirë nga vërshimet, të tria herët kanë ndodhur në janar. Reshjet e vazhdueshme vijojnë të jenë shqetësim edhe sot. Pozicioni gjeografik, pra meqë jemi në një pikë më të ulët, jemi në rrezik permanent nga vërshimet. Duke e parë këtë gjendje, është shumë me rëndësi që të punohet për një zgjidhje afatgjatë, të përhershme, marrë parasysh se tashmë jemi universitet publik”, përfundoi Kerolli. 

Tashmë, kur kanë kaluar afro 4 javë nga kjo krizë, IBCM është ende i qetë, i pashkelur. Tek-tuk në hyrje-dalje janë ca gjurmë këmbësh të lëna si në baltë. Ndjesia e qetësisë është – ironikisht – disi e zhurmshme, kërcitese, penguese. Duke qenë se nuk takohet me trafikun e qytetit, objekti duket se nuk parakalohet rastësisht, të paktën jo edhe për pak kohë.

Teksa pyesim qytetarë, ata, si në shaka,  sugjerojnë implikime besëtytnie. Madje, për njërin është disi e pakuptimtë që një institucion arsimor të jetë i pozicionuar në një pikë kaq të ndjeshme. 

Si me qenë hapësirë e nëmur, o burrë. Po ndodh qe sa herë. Por, mu më shumë po më çuditë pse e kanë ndërtu pikërisht në këtë hapësirë. Përgjithësisht, qekjo rrethinë, tu e përfshi deri kah 2 Korriku andej, kanë probleme gjithë. Sa herë ka shi, ekziston rreziku për kësolloj problemesh”, u shpreh Z.K (rreth 50-vjeçar, banor i Lagjes së Boshnjakëve).

Një zgjidhje e shpejtë dhe afatgjatë konsiderohet e pashmangshme jo vetëm për këtë institucion edukativo-arsimor, por për pjesën dërrmuese të qytetit. Ndryshimet klimatike vijojnë të mbesin frika kryesore te këta qytetarë që ende nuk e kanë gjetur “përgjigjen” ndaj kësaj telashe të përsëritshme.

Ky artikull u prodhua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Mbështetja e Mediave të Vogla në Ballkanin Perëndimor, i zbatuar nga Kosovo 2.0. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e medias dhe autorit, dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet, mendimin ose vlerat e Bashkimit Evropian ose të Kosovo 2.0.

Shpërndaje:

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Telegram
Email