Mënyra se si një shoqëri i trajton mbetjet, nuk është vetëm çështje mjedisi, por tregues i modelit të saj ekonomik, i kapacitetit institucional dhe i nivelit të përgjegjësisë politike. Në këtë kuptim, mbetjet nuk janë veç produkte anësore të konsumit, por pasqyrë e drejtpërdrejtë e mënyrës se si e shohim ekonominë, zhvillimin, sigurinë dhe vetëdijen kolektive.
Në shtetet e zhvilluara, ku aplikohen ekonomitë moderne, mbetjet trajtohen si burim, pjesë e një cikli të vazhdueshëm ku materialet rikthehen në përdorim dhe krijojnë vlerë të re. Në Kosovë, megjithatë, ato vazhdojnë të trajtohen si barrë që duhet zhdukur nga hapësira publike, jo si potencial që duhet integruar në ekonomi.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Riciklimit, nuk mjafton të flasim për mbeturina. Duhet të flasim për një model të tërë që ende nuk e ka integruar riciklimin si normë zhvillimi. Sepse riciklimi është vendim politik, orientim ekonomik dhe është përgjegjësi shoqërore.
Riciklimi, në thelb, është procesi i kthimit të mbetjeve në vlerë. Është transformimi i asaj që konsiderohet e panevojshme në burim ekonomik.
Megjithatë, realiteti në Kosovë mbetet shqetësues.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vendi prodhon mbi 400-500 mijë tonë mbetje komunale në vit, ndërsa gjenerohen mesatarisht 200-230 kilogram mbetje për kokë banori. Në të njëjtën kohë, sasia e mbetjeve rritet çdo vit me 15–20%, si rezultat i rritjes së konsumit dhe urbanizimit.
Por, problemi nuk është vetëm sasia. Problemi është mënyra si i menaxhojmë ato.
Vetëm 2-3% e mbetjeve riciklohen, ndërsa 80–90% përfundojnë në deponi, shpesh të menaxhuara dobët. Një pjesë tjetër përfundon në mbi 458 deponi ilegale ose digjet në mënyrë të pakontrolluar, duke ndikuar drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit, tokës dhe ujit.
Në nivel evropian, kjo situatë e vendos Kosovën ndër vendet më të dobëta për riciklim. Sipas Eurostat, norma e riciklimit është rreth 2.5%, krahasuar me mesataren prej rreth 50% në Bashkimin Evropian. Ndërkohë, sipas European Environment Agency, totali i përdorimit i ekonomisë qarkore në Kosovë është vetëm 4.6%.
Këto shifra janë tregues mjedisorë dhe ekonomikë.
Çdo mbetje që nuk riciklohet është një burim i humbur, energji e humbur, materiale të humbura dhe vende pune të humbura. Në një kohë kur Bashkimi Evropian po avancon me mekanizma si ekonomia qarkore dhe CBAM, Kosova rrezikon të mbetet jashtë një tregu që kërkon standarde të reja të qëndrueshmërisë.
Struktura e mbetjeve në vend tregon qartë potencialin e pashfrytëzuar. Rreth 40% e tyre janë organike, ndërsa një tjetër 40% janë të riciklueshme, do të thotë: plastikë, letër, qelq dhe metal. Vetëm 20% konsiderohen të pa-rikuperueshme. Kjo do të thotë se shumica e mbetjeve mund të menaxhohen ndryshe.
Megjithatë, mungesa e ndarjes në burim e kthen këtë potencial në problem.
Mbetjet organike përfundojnë në deponi duke prodhuar metan, një gaz serrë shumë më i fuqishëm se CO₂. Plastika dhe ambalazhi, që përbëjnë një pjesë të madhe të konsumit familjar, nuk riciklohen në mënyrë sistematike. Ndërkohë, mbi 23 milionë kilogram tekstile çdo vit përfundojnë si mbeturina, ndonëse një pjesë e madhe mund të ripërdorej.
Në këtë kontekst, problemi nuk është mungesa e kapaciteteve individuale, por edge mungesa e një sistemi të integruar.
Riciklimi në Kosovë mbështetet kryesisht nga sektori privat, ndërsa shumë kompani operojnë si mbledhës dhe eksportues, jo si përpunues final. Komunat, sipas strategjive shtetërore, nuk janë në gjendje të menaxhojnë mbetjet në mënyrë të pavarur pa bashkëpunim ndërkomunal.
Megjithatë, shembujt pozitivë tregojnë se ndryshimi është i mundur. Vendosja e tarifës prej 5 cent për qeset plastike uli përdorimin nga 335 në 55 qese për kokë banori, duke dëshmuar se politikat e duhura funksionojnë kur zbatohen.
Zgjidhjet ekzistojnë dhe janë të njohura.
Krijimi i një sistemi të depozitave për kthimin e shisheve, funksionalizimi i përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit dhe investimi në infrastrukturë për ndarje dhe riciklim janë hapa të domosdoshëm. Po ashtu, rehabilitimi i deponive dhe formalizimi i sektorit janë ndër prioritetet kryesore.
Por, përtej politikave, mbetet edhe përgjegjësia individuale.
Qytetarët kanë rol kyç përmes reduktimit të konsumit, ndarjes së mbetjeve në burim dhe mbështetjes së produkteve të qëndrueshme.
Në fund, pyetja nuk është nëse kemi mbetje. Pyetja është si i trajtojmë ato.
Sepse në një ekonomi funksionale, mbetjet nuk janë problem. Janë pasuri.
Dhe mënyra se si i menaxhojmë sot, do të përcaktojë cilësinë e jetës nesër.



