Kush po e betonizon Prishtinën?

Prishtina po ndryshon me një shpejtësi që qytetarët e ndjejnë në përditshmëri: rrugë të mbingarkuara, lagje që rriten pa frymëmarrje, hapësira publike që ngushtohen dhe një qytet që, vit pas viti, bëhet më i nxehtë dhe më i vështirë për t’u jetuar. Ky reportazh hedh dritë mbi një pyetje thelbësore: a po rriten qytetet tona në mënyrën e duhur, dhe kush po e paguan koston e kësaj rritjeje?

Nga Prishtina te Ferizaj e Prizreni, migrimi i brendshëm dhe zhvillimi ndërtimor kanë krijuar një realitet të ri urban. Por, siç thekson Fjolla Caka, rritja e qyteteve nuk do të thotë automatikisht rritje e cilësisë së jetesës. Përkundrazi, kur urbanizimi ndodh pa standarde të qarta, pa planifikim dhe pa mbikëqyrje serioze, qyteti fillon të prodhojë probleme sociale, shëndetësore dhe mjedisore që zgjasin për dekada.


Qyteti si “ofertë e shtrenjtë” dhe cilësia si pikëpyetje

Një nga paradokset më të mëdha që shfaqet sot në tregun e banimit është ky: ndërtohet shumë, por çmimet mbeten të larta. Madje, sipas Fjolla Cakës, ekziston një përqindje e konsiderueshme e ndërtesave të ndërtuara që janë të pabanuara, ndërkohë që kostoja e banesës vazhdon të rritet. Kjo e vë në dyshim idenë se “kërkesa dhe oferta” po e rregullojnë në mënyrë të drejtë tregun.

Më serioze se çmimi, megjithatë, është cilësia. Kur një pjesë e madhe e ndërtesave raportohet se nuk kanë leje të rregullt, nuk janë të legalizuara apo nuk kanë certifikatë përdorimi, qytetarët mbeten pa garanci: për sigurinë strukturore, për izolimin, për standardet e energjisë dhe për kushtet bazike të jetesës. Në këtë terren, “banesa” rrezikon të shndërrohet nga një e drejtë në një rrezik.

Energji e shtrenjtë, ajër më i rëndë, shëndet më i brishtë

Në Kosovë, ngrohja e banesave lidhet drejtpërdrejt me sigurinë energjetike, por edhe me ndotjen. Fjolla Caka e lidh këtë zinxhir: mungesa e sistemit të ngrohjes qendrore dhe izolimi i dobët i ndërtesave rrit varësinë nga energjia elektrike, kjo i rrit faturat dhe, njëkohësisht, i rrit emetimet, veçanërisht kur prodhimi i energjisë dominohet nga linjiti.

Në planin e shëndetit publik, pasojat nuk janë abstrakte. Izolimi i dobët dhe pamundësia për ta menaxhuar temperaturën e brendshme kontribuojnë në lagështi dhe myk, të cilat mund të lidhen me probleme respiratore dhe ngarkesë të shtuar shëndetësore për familjet. Në fund, qytetari paguan dy herë: me faturë energjie dhe me kosto shëndeti.

Zgjerimi urban: kur dëmtohet edhe qyteti, edhe periferia

Një tjetër trend që po formëson Prishtinën dhe qendrat e tjera është zgjerimi i zonave urbane drejt periferive: lagje të reja, shpesh të shkëputura nga struktura e qytetit, të varura nga transporti privat dhe të ndara sipas mundësive ekonomike. Fjolla Caka e përshkruan këtë si një urbanizim që krijon segregim, humbje të tokës bujqësore dhe hapësirave të gjelbra, si dhe rritje të ndotjes nga udhëtimet e përditshme.

Në një qytet të varur nga makina, çdo ndërtesë e re kërkon edhe më shumë asfalt, edhe më shumë parking, edhe më shumë distancë dhe kjo distancë prodhon edhe më shumë trafik. Kështu, qyteti hyn në një rreth vicioz: ndërtohet për “rehati”, por rezultati është një qytet më i zhurmshëm, më i ndotur dhe më pak i jetueshëm.

Hapësirat e gjelbra: standardi që e ndiejmë mungesë çdo ditë

Inxhinierja e mjedisit, Elitë Ferati, e vendos problemin në një gjuhë të matshme, hapësira e gjelbër për kokë banori. Sipas saj, rekomandimet ndërkombëtare flasin për minimumin e nevojshëm të gjelbërimit në qytete, ndërsa realiteti i Prishtinës sipas hulumtimeve që ajo referon është dukshëm më poshtë.

Elitë Ferati e kthen debatin te një indikator i matshëm:
“Sipas standardeve që citohet gjerësisht në literaturë ndërkombëtare si minimum i rekomanduar nga OBSH-ja, qytetet duhet të synojnë të paktën 9 m² gjelbërim për banor me nivele ideale shumë më të larta, varësisht qasjes dhe cilësisë së hapësirës. Në realitetin e Prishtinës, ne jemi dukshëm nën këtë prag, rreth 5 m² gjelbërim për banor, duke e bërë mungesën e gjelbërimit një problem të përditshëm dhe të dukshëm në terren”.

Në të njëjtën kohë, disa hulumtime të viteve të fundit e vënë në pah se hapësira e gjelbër “aktive” për banor mund të jetë edhe më e ulët (p.sh. rreth 3.35 m²), ndërsa vlerësime të tjera që llogarisin kategori më të gjera të gjelbërimit urban raportojnë shifra më të larta. Kjo dallon sepse matjet varen nga çfarë përfshihet (parqe të aksesueshme, gjelbërim linear, hapësira të mbyllura, sipërfaqe periferike, etj.). Por mesazhi i Feratit mbetet i njëjtë: Prishtina nuk po e përmbush standardin minimal të gjelbërimit dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me pazbatueshmërinë e kritereve gjatë dhënies së lejeve ndërtimore dhe mungesën e kontrollit real në terren.

Gjelbërimi ndikon në cilësinë e ajrit, në uljen e temperaturave, në menaxhimin e ujërave të reshjeve dhe në shëndetin mendor të qytetarëve. Dhe, kur ndërtesat ndërtohen pa hapësira të gjelbra, pa distancë mes objekteve, pa planifikim të kujdesshëm, qyteti e humb funksionin bazik të jetë një vend ku jetohet mirë.

Elitë Ferati përmend disa masa që mund të aplikohen realisht në ndërtimet e reja:
harmonizimi i sipërfaqeve të gjelbra me sipërfaqen e zënë nga ndërtimet, integrimi i burimeve të ripërtëritshme qysh në fazën e projektimit, trajtimi i ujërave atmosferike për të zvogëluar rrezikun nga vërshimet, përdorimi i materialeve më ekologjike dhe ripërdorimi i materialeve nga demolimet. Ajo veçon edhe një zgjidhje konkrete e moderne për qytetet: kulmet e gjelbra, që ndihmojnë njëkohësisht ajrin dhe menaxhimin e reshjeve.

Ishulli i nxehtësisë urbane dhe shëndeti: kur betoni rrit temperaturën

Riaz Agahi, studiues i shëndetit urban në Prishtinë, sjell një këndvështrim që lidh direkt urbanistikën me jetëgjatësinë. Ai përshkruan se si qyteti, brenda pak javësh, ndryshon fytyrën dhe si rritja e betonit, pa plan dhe pa gjelbërim, e përforcon fenomenin e “ishullit të nxehtësisë urbane”. Në qytete me densitet të lartë ndërtimi, temperaturat mund të rriten ndjeshëm krahasuar me zonat përreth, duke e bërë hapësirën publike të papërballueshme në verë.
Ai thekson se kjo nuk është vetëm çështje komoditeti: temperaturat më të larta dhe valët e të nxehtit prekin më shumë grupet e cenueshme, sidomos të moshuarit. Përballë kësaj, ai propozon një pyetje më produktive sesa “si ta shmangim betonin”: si t’i ndërtojmë lagjet që të jenë të lumtura, të shëndetshme dhe harmonike? Përgjigjja, në shumë raste, fillon me gjelbërimin: parqe publike, pemë përgjatë rrugëve, hapësira të përbashkëta komunitare, zona të ecshme dhe të jetueshme për të gjithë.

Agahi përmend edhe shembuj evropianë që tregojnë se ndryshimi është i mundur:
transformimi i zonave të asfaltuara në hapësira të gjelbra dhe modele të reja të organizimit urban, ku hapësira i kthehet njeriut, jo makinës.

Ajri i Prishtinës: kur kryeqyteti del më keq se zona industriale

Një nga deklaratat më tronditëse në këtë reportazh vjen nga Shkumbin Shala, i cili flet mbi matjet dhe faktorët që e rëndojnë cilësinë e ajrit në Prishtinë. Ai shpjegon se ndotja në kryeqytet lidhet me një bashkëveprim faktorësh natyrorë (temperatura e ulët, lagështia, mungesa e erërave, mjegulla) dhe antropogjenë (trafiku, ekonomitë familjare, mbeturinat, urbanistika).

Por pika që e bën problemin alarmant është kjo: në shumë raste, Prishtina rezulton me më shumë ditë me tejkalime të grimcave PM10 dhe PM2.5 sesa Obiliqi, një zonë e njohur për ngarkesën industriale. Shala e lidh këtë edhe me aktivitetin ndërtimor në verë: makineritë që dalin në rrugë pa u pastruar, baltë e pluhur që përhapet dhe shndërrohet në grimca të imëta në ajër, parkingje të paasfaltuara që krijojnë pluhur të vazhdueshëm dhe ndërtime të larta e të dendura që e bllokojnë qarkullimin e masave ajrore.

Në rekomandimet e tij, Shala kërkon masa të drejtpërdrejta: inspektim real gjatë punimeve, mirëmbajtje të punishtes, pastrim të automjeteve para daljes në rrugë, kufizim të punimeve në kushte të pafavorshme të erës, rritje të hapësirave të gjelbra, rregullim të parkingjeve dhe riorganizim të aktiviteteve ekonomike që gjenerojnë trafik dhe ndotje në qendrat urbane.
Mesazhi është i qartë: ndotja nuk është “aksident”, por pasojë e mënyrës si ndërtojmë dhe si e menaxhojmë qytetin.

Zgjidhjet ekzistojnë: nga standardet te shembujt konkretë

Në mes të kritikës, reportazhi sjell edhe një model pozitiv: Jeton Veseli, themelues i kompanisë Front L.L.C, përshkruan ndërtimin e një objekti industrial të projektuar sipas standardeve LEED, me synimin për performancë të lartë energjetike, sisteme të integruara të eficiencës, panele solare, trajtim të ujërave atmosferike, menaxhim të mençur të ndërtesës (BMS) dhe qasje drejt konceptit “Net Zero Energy”.

Ai e veçon edhe menaxhimin e procesit të ndërtimit: sigurinë në punë, mbrojtjen e ambientit përreth, minimizimin e ndikimit gjatë punimeve, si dhe ndarjen e mbetjeve të ndërtimit në kategori dhe trajtimin e tyre me kompani të specializuara. Po ashtu, ai përmend ripërdorimin e materialeve (si tulla të vjetra industriale) dhe krijimin e një reparti të brendshëm për trajtimin e mbetjeve industriale, si pjesë e konceptit “Zero Waste”.

Ky shembull tregon se ndërtimi “modern” nuk duhet të jetë sinonim i betonizimit pa kriter. Ai mund të jetë edhe teknikisht i avancuar dhe ekonomikisht i arsyeshëm në afatgjatë, edhe i përgjegjshëm ndaj ambientit.

Kush po e betonizon Prishtinën?

Përgjigjja nuk është një emër i vetëm. Është një sistem, mungesë planifikimi urban të përditësuar, dobësi institucionale në zbatim dhe inspektim, standarde që mbeten në letër, treg që shpërblen shpejtësinë më shumë se cilësinë, dhe një kulturë urbane që ende e vendos makinën mbi njeriun dhe betonin mbi hapësirën publike.

Siç thotë Ideal Vejsa, arkitekt i njohue nga Prishtina, baza mbetet te shteti, te planet urbane, te rishikimi i tyre, te orientimi i zhvillimit mbi qendrueshmërinë dhe te roli i institucioneve si themel i rregullit. Por roli nuk mbaron aty: profesionistët kanë përgjegjësi të ngrejnë standardin, investitorët të mendojnë për jetëgjatësinë e ndërtesës (jo vetëm për fitimin e shpejtë), dhe qytetarët të kërkojnë llogari sepse qyteti është pasuri publike.

Nëse Prishtina vazhdon të rritet kështu, rritja do të prodhojë më shumë nxehtësi, më shumë ndotje, më shumë stres, më pak gjelbërim dhe më pak jetë sociale. Dhe kostoja nuk do të jetë vetëm financiare, por do të jetë kosto e shëndetit dhe e dinjitetit urban.

Më tutje, Dr. Greta Begolli Stavileci, Alergologe dhe Imunologe, ka vlerësuar se kjo industri po ndikon në disa sëmundje të rrezikshme, duke nis me obezitetin e pastaj duke përfundu me sëmundjet kardiovaskulare.

Sipas saj, urbanizimi i pakontrolluar dhe dominimi i betonit në qytete krijon një mjedis që nxit pasivitetin fizik dhe dobëson shëndetin publik. Kur infrastruktura urbane projektohet kryesisht për qarkullimin e automjeteve – me rrugë të gjera për makina, mungesë trotuarësh funksionalë, mungesë korsish për biçikleta dhe hapësira të kufizuara për ecje, qytetarët gradualisht humbin motivimin për aktivitet fizik të përditshëm. Në këto kushte, ecja si formë natyrale e lëvizjes reduktohet ndjeshëm dhe mënyra e jetesës bëhet më sedentare. Ky realitet urban kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e obezitetit, diabetit të tipit 2 dhe sëmundjeve kardiovaskulare, duke e shndërruar qytetin në një faktor rreziku për shëndetin publik.

Në të njëjtën kohë, betonizimi i hapësirave të gjelbra dhe zvogëlimi i vegetacionit urban përkeqëson ndjeshëm cilësinë e ajrit dhe ekuilibrin ekologjik të qytetit. Bimësia urbane luan rol kyç në filtrimin e ndotësve atmosferikë, uljen e temperaturave urbane dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit. Kur këto hapësira zëvendësohen nga beton dhe asfalt, rritet përqendrimi i grimcave ndotëse dhe alergjenëve në ajër, duke kontribuar në përhapjen e alergjive respiratore, astmës dhe problemeve të tjera të frymëmarrjes. Në këtë mënyrë, një urbanizëm i betonizuar nuk ndikon vetëm në estetikën e qytetit, por krijon një zinxhir ndikimesh që përkeqësojnë shëndetin fizik dhe mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Mbështetje për Mediat e Vogla në Ballkanin Perëndimor, i zbatuar nga Kosovo Glocal / Kosovo 2.0. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet, opinionet ose vlerat e Bashkimit Evropian apo të Kosovo Glocal / Kosovo 2.0.

Shpërndaje:

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Telegram
Email