Kur klima nuk është neutrale – Ndikimi i ndryshimit klimatik mbi minoritetet 

Shkruar: Fisnik Dajakaj & Jeta Berisha

Jo nuk di. S’paskam dëgju asnjiherë për këtë punë. Pse m’vet’?” – Kështu përgjigjet A.K (43-vjeçar), nga Mitrovica e Jugut, në lidhje me ndryshimet klimatike, teksa – ironikisht, shtyp një bisht cigareje. Tymi që truponte në plasat e dy kalldrëmeve ishte i cigares së dytë brenda pak minutash.

Për këtë qytetar nga komuniteti rom, brengat ishin ekzistenciale. Siç shprehet vetë ai “Nuk po ia dal as për bukë”. Tek ai dhe të tjerë nga ky komunitet shqetësimet për një jetesë bazike rëndonin shumë, ndoshta më shumë sesa streha e improvizuar pak metra më tutje lumit Ibër, e cila gati sa s’ishte përmbytur nga vërshimet e vitit 2021.

Çdo shi që bie, neve na lë zgjuar natën. Kemi tutë mos na merr uji”, shprehet A.K, që e ka të vështirë t’i harrojë ndjesitë e katër viteve më parë. 

Ndonëse nuk ankohet për mungesë të ujit, 43-vjeçari i vuan pasojat e tjera të ndryshimeve klimatike. Kështu, për ta shtyrë mërzinë, ndez edhe cigaren e tretë, tymi i së cilës duket se është përpirë nga këpuca e tij e plasaritur. 

Të shumtë si ky ka edhe në qytetet e tjera, ku rreziku i dëmeve të mëdha shëndetësore  është i madh. Fatlum Kryeziu nga organizata Romaversitas evidenton se telashet kryesore burojnë nga një diskriminim strukturor, që është nisur qysh prej planit infrastrukturor. Sipas tij, ndarja e lagjeve, e bazuar nga premisa etnike, krijon që në fillim një distancim, për të vijuar me hapësira e ndara për banim të komunitetit rom. Ai tutje shton që çdo ndryshim klimatik i afekton më së shumti pikërisht këto komunitete, të cilët janë shumë më të ekspozuar ndaj dëmeve. 

Sikur në çdo problem tjetër, edhe te ndryshimet klimatike më të rrezikuarit janë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, kryesisht për shkak të vështirësive socio-ekonomike që janë të theksuara dhe vendbanimet e cenueshme. Lagjet e këtyre komuniteteve janë të izoluara, nuk janë të përziera me shqiptarë”, shprehet Kryeziu për Platforma360. 

Por, përveç kësaj, për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian telashe po del të jetë edhe gjuha. Duke mos e përvetësuar shqipen në nivel të të lexuarit dhe të kuptuarit, qasja në informacion konsiderohet disi e cunguar, kësisoj mbrojtja ndaj ndryshimeve klimatike fiton peshë edhe më shumë. 

Shumica prej informatave që marrin shpeshherë janë jo të qasshme për komunitetin, kjo edhe për aspektin gjuhësor sepse pjesë të mëdha të komuniteteve janë të orientuara në gjuhë tjera, fakt ky që e vështirëson edhe më shumë. Komuniteti rom ka gjuhën e vet që përgjithësisht informimi dhe kuptimi është ma i lehtë nëse përcillet përmes gjuhës së tyre”, shtoi tutje ai. 

Plemetini, vendi që “ngufaten” mbi 200 shtëpi

Shtëllungat e tymit janë shoqëruesit e padëshirueshëm për banorët e fshatit Plemetin të Obiliqit, të cilët duhet të përballen edhe me një faktor shtesë rreziku. Siç bën të ditur ish-zëvendës ministri i kulturës, tani kandidat për deputet nga radhët e komunitetit rom, Sejnur Veshall, bëhet fjalë për afro 200 shtëpi që i ekspozohen një dëmi të tillë. Sipas tij, pjesa dërrmuese e këtij fshati është e populluar nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, andaj edhe kjo sfidë e rëndë i gjen sërish të vetëm.

Një pjesë e komunitetit tonë jeton në Plementin, Obiliq. E dimë si është gjendja e ajrit aty, kësisoj e dimë edhe dëmin që mund t’i bëhet popullatës, specifikisht komunitetit rom të cilët nuk i kanë informatat e duhura për t’u mbrojtur dhe ky është një sinjalizues bazë për diskutim dhe veprim se si mundemi me e pasë një qasje më të sigurt në këto dilema. Ndoshta bëhet fjalë për diku 200 shtëpi rome që rrezikohen nga ajri i ndotur. Duhet ta themi po ashtu se nuk ka pasur ndonjë veprim konkret në këtë drejtim nga hallkat kryesore shtetërore ose vetaktivizmit”, theksoi ai.

Problematike këtë situatë e shohin edhe nga Romaversitas, të cilët ritheksojnë fuqishëm nevojën për ndihmë institucionale në lidhje me këtë situatë, veçanërisht kur bëhet fjalë për më shumë se 3-4 për qind e popullsisë totale të komunës së Obiliqit. 

Fshati Plemetin për shembull nuk i ka as 3 km larg qyngat e Obiliqit. Diku 3 për qind e Obiliqit janë komunitet rom, ashkali dhe egjiptian. Krejt ndihmat i kemi marrë vetëm prej shoqërisë civile, ose prej organizatave ndërkombëtare. Ti e di, UNICEF e bën për fëmijë. Ndërhyrje të tjera sporadike nuk ka pasë asnjëherë, por kjo duhet të ndryshojë urgjentisht. Situata është emergjente”, thotë ndër të tjera Fatlum Kryeziu nga Romaversitas. 

Plemetini është zona më e populluar nga romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët. Sipas matjeve të fundit, bëhet fjalë për 80 për qind të banorëve të këtyre komuniteteve që janë të vendosur në këtë fshat. Meqë në këtë hapësirë nuk ka asnjë banor shqiptar, ky koncentrim demografik po cilësohet diskriminues.

Ferdona Asllani, drejtoreshë e Balkan Sunflowers, e vlerëson si tendencioze dhe me prirje izoluese idenë e vendosjes së komuniteteve pakicë pikërisht në atë pozitë

Aty afër tyre është termocentrali Kosova B. Asnjë shqiptar nuk është afër, ke vetëm romë, ashkalinj dhe egjiptianë. A nuk gjetën vend tjetër për vendosjen e këtyre komuniteteve, pos në këtë hapësirë? Apo ndoshta pse është më lirë, edhe pse mund të jetë vend me kushte të tmerrshme për banim”, nënvizoi Asllani. 

Siç bën të ditur ajo, në Plemetin mungojnë edhe elementë të tjerë bazikë për jetesë. 

Aty janë edhe disa vendbanime joformale. Njerëzit aty jetojnë në baraka. Bëhet fjalë për rreth shtatë familje, të cilat nuk kanë kushte të jetës. Ajo që e bëjnë ata nuk është jetesë. Nuk kanë pothuajse asnjë prej kushteve esenciale”, shtoi tutje Asllani. 

Hulumtimi i fundit: Romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët jetojnë 15 VITE më pak se mesatarja e zakonshme – shkak problemet e hershme shëndetësore

Ekspozimi ndaj një jete të vështirë, të determinuar nga shumë faktorë socio-ekonomikë e mjedisorë, po lë pasojat e tij te komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Sipas një hulumtimi të organizatës Balkan Sunflowers, jetëgjatësia mesatare e këtyre komuniteteve është 15 vjet më pak sesa jeta e popullsisë shqiptare. Siç thuhet specifikisht në hulumtim: “Jetëgjatësia e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian është 58.3 vjet”. 

Në kuadër të këtij hulumtimi, i cili është pasqyruar me anë të filmi dokumentar të titulluar “Lives”, përmenden shkaqet që po çojnë drejt vdekshmërisë së hershme, teksa si faktor i tërthortë del të jetë edhe ai mjedisor. Aty thuhet se problemet më të shpeshta shëndetësore të shfaqura te komunitetet e sipërpërmendura janë: problemet me frymëmarrje, sëmundjet e zemrës dhe diabeti, disa prej të cilave të shkaktuara nga mjedisi në të cilin jetojnë. 

Një tjetër raport i UNICEF, i vitit 2017, përmend veçanërisht mjedisin si faktor kryesor determinues në problemet shëndetësore të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian. Aty, në mes të tjerash, thuhet se një pjesë e konsiderueshme nga këto komunitete janë ekspozuar ndaj helmimit nga plumbi, duke rezultuar kështu me 90% të fëmijëve të testuar me prezencë të niveleve të larta të plumbit në trup. 

Në lidhje me numrin e anëtarëve të prekur nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptianë, Kombet e Bashkuara konstatuan se bëhet fjalë për 650 anëtarë të vendosur në zona shumë të kontaminuara përgjatë viteve 1999-2013.

Nga mungesa e ujit e rreziku i përmbytjeve,  deri te mungesa e kulmit mbi kokë –dhjetëra qytetarë rezidentë të pastrehë në Gjilan

Ndonëse zgjidhja e problemit me ujë të pijshëm premtohet në çdo mandat në nivel vendi, në disa prej lagjeve në Kosovë ende ekziston ky problem. Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian duket që ende nuk e kanë një telashe të së kaluarës këtë çështje. 

Siç bën të ditur Sejnur Veshall, në Fushë-Kosovë komunitetet ende po i vuajnë mungesat e ujit, anipse shpesh trumbetohet nga pushtetarët se ka ujë 24 orë. 

Ne e kemi pasë premtimin që pas 20 viteve ka me pasë ujë në Fushë-Kosovë, po bëhet diskutabile a ka ujë apo nuk ka, po flasim për Fushë-Kosovën, qytet që është veç 10 kilometra larg Prishtinës”, theksoi ai. 

Duke qenë se bëhet fjalë për më shumë se 4 mijë qytetarë të vendosur në këtë komunë, situata bëhet edhe më serioze.

Në një raport të OSCE, të publikuar në vitin 2017, specifikisht për qytetarët rom, ashkali dhe egjiptian në Fushë-Kosovë, thuhet se rrjeti i ujërave të zeza ende nuk është zgjidhur, edhe pse ky proces formalisht përfundoi në vitin 2017. Siç theksohet në këtë dokument, lagjet “28” dhe “29” mbetën të pa përfshira, për çka detyrohen të bëjnë zgjidhje alternative për ujin e pijshëm, duke u furnizuar nga puset e zonës së Kuzimit. 

Probleme të kësaj natyre, sipas Veshall, ka edhe në qytete të tjera si Mitrovica e Jugut, Ferizaj, Prizreni e Gjakova, andaj për këtë situatë duhet intervenuar sa më parë. 

Gjithsesi, kandidati për deputet ngre edhe disa shqetësime të tjera të cilat shkojnë përtej ujit. Kandidati për deputet thotë se shumica e banorëve nga komunitetet pakicë jetojnë afër deponive dhe mbetjeve të bërllokut, diçka që shpie drejt problemeve serioze shëndetësore. 

Të njëjtin shqetësim me të e ndajnë edhe nga organizata Balkan Sunflowers, me drejtoreshën ekzekutive që shpreh shqetësim të thellë me mos angazhimin institucional për zgjidhjen e këtyre telasheve. 

Për shembull, në Mitrovicë shteti ka ndërtuar shtëpi, pa e paraparë rrezikun e vërshimeve. Ose ndoshta një rrezik i tillë është paraparë, por meqë po flasim për këto komunitete kanë thënë ‘hajt se ia bëjmë qarën’”, tha fillimisht ajo. 

Kanë ndërtuar banesa sociale edhe në Prizren, nuk e di për sa bëhet fjalë saktë. Ajo që di është se ajo nuk ishte zgjidhja. Unë jam dëshmitare dhe e them me përgjegjësi se në Prizren ka pasë fëmijë të komuniteteve që janë lind dhe rritë në rrugë”, shtoi tutje Asllani.

Të pyetur nëse kanë të dhëna për numrin e familjeve që gjenden në situatë rruge, organizata si Romaversitas e Balkan Sunflowers nuk kanë statistika, teksa Sejnur Veshall thotë se ka hasur qytetarë romë në Gjilan të cilët nuk kanë as vendstrehim, anipse janë banorë rezidentë. Sipas tij, bëhet fjalë për përafërsisht dhjetëra qytetarë që janë në gjendje të tillë. 

Në Gjilan njerëzit nuk kanë shtëpia. S’po flasim për ujë apo dëmtim pronash. Po flasim për shtëpi. Nuk kam shifra të sakta, por mendoj se bëhet fjalë për dhjetëra qytetarë”, theksoi ai. 

Afro 100 raste që kërkojnë ndihmë nga shoqatat bamirëse

Në rrethanat socio-ekonomike që jetojnë, komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian po gjejnë derën hapur te shoqatat e bamirësisë. Në bazë të të dhënave që dërguan për Platforma 360, bëhet fjalë për afro 100 raste të cilët janë duke pritur ndihmë.

Për momentin i kemi gjithsej 275 kërkesa në total prej rasteve sociale. Prej tyre 47 janë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, shprehet Liridon Kurti nga organizata Islamic Relief

Ai, ndër të tjera, shtoi se kërkesat e këtyre komuniteteve janë kryesisht emergjente, si: gjëra ushqimore, pagesa të rrymës e të tjera. 

Numër i madh i familjeve që kërkojnë ndihmë është paraqitur edhe te organizata tjetër “Zarfi i Mërgimtarit”. Në bazë të të dhënave të dërguara nga ta, bëhet fjalë për gjithsej 49 raste.

Shtatë raste janë në Gjakovë, në lagjen “Kolonia”, 24 raste i kemi në Fushë-Kosovë, në lagjen “28”, 11 raste i kemi në fshatin Plemetin dhe shtatë raste i kemi në Drenas, te barakat”, thuhet në përgjigjen e tyre për Platforma 360. 

(Mos) përfaqësimi dhe çështja e edukimit – 22 mijë mësimdhënës, veç 27 nga komunitetet

Ekzistojnë ende perceptime të ndryshme në lidhje me çështjen e përfaqësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, qoftë në pozita drejtuese, qoftë në pozicione të tjera brenda shoqërisë. 

Sipas Ferdone Asllanit, pjesëmarrja aktive e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve është ende thjesht simbolike. Ajo këtë e sheh si pasrëndëse të diskriminimit që vijon të jetë prezent deri në nivel qendror ekzekutiv. 

Më ka rastisë të jem prezente në takime kur është folur për përfaqësimin e komuniteteve në vendimmarrje. Kur ndërkombëtaret pyetën dikë nga ekzekutivi i Kosovës, ai filloi t’i numëronte gishtat, gjoja se po numëronte hapësirat publike ku komunitetet janë të përfshira. derisa u ndërpre nga përfaqësuesi ndërkombëtar i cili i tha ‘vetë fakti se numëron gishtat, tregoni se sa punoni për integrimin e komuniteteve’”, theksoi ajo. 

Asllani e sheh edhe arsimimin e ulët si problematikë që në një formë ua pamundëson këtyre komuniteteve të jenë të integruar plotësisht. Në lidhje me numrin e fëmijëve që e lënë shkollën, ajo tha se situata ka ndryshuar për të mirë, krahasuar me vitin 2010 kur bëhej fjalë për 80 për qind të komuniteteve që ndërprisnin shkollimin. Gjithsesi – sipas saj, në disa shkolla ende nuk tregohet nëse fëmijët rom, ashkali apo egjiptian ndërprenë arsimimin, pasi kjo mund t’i japë imazh të keq shkollës. 

Urim Xharavina nga Rilindja Gjelbër konsideron se komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë të përfaqësuar konsiderueshëm, marrë parasysh numrin e popullatës. Ai thekson se duhet bërë edhe më shumë që ata të integrohen plotësisht, por në përgjithësi situata me përfshirjen e tyre nuk mund të konsiderohet e keqe.

Përfaqësimi është në nivel, ndoshta përfaqësimi është më i lartë sesa qëndron në përqindjen e popullsisë, por është mirë që janë të përfaqësuar. Janë të përfaqësuar në Kuvend të Kosovës, në kuvende komunale, që ligji jua mundëson. Janë të përfaqësuar në qeveri qendrore e komunale, janë të punësuar në institucione shtetërore. Kjo është shumë mirë. Gjithsesi, duhet bërë gjithnjë më shumë”, nënvizoi Xharavina. 

Ai tutje shtoi se këto komunitete duhet të orientohen më shumë nga arsimimit, në mënyrë që të ngrihet niveli i përgjithshëm i edukimit, pasi tash për tash gjendja nuk është e kënaqshme sa u përket numrave. 

Në një përgjigje për Platforma360, Agjencioni i Statistikave të Kosovës tregoi se janë vetëm 38 fëmijë rom, ashkali dhe egjiptian që ndjekin nivelin parashkollor, teksa në atë parafillor 164 janë rom, 57 janë ashkali dhe 58 egjiptian. Shprehur në përqindje, këto tri komunitete përbejnë vetëm 1% të numrit të nxënësve. 

Numër dukshëm më i madh i nxënësve nga komunitetet vërehet në nivelin e mesëm të ulët, ku janë të regjistruar 3 mijë e 374 ashkalinj, 790 romë dhe 1 mijë e 242 egjiptianë. 

Në nivelin e mesëm të lartë sërish vërehet një numër i vogël i nxënësve nga komunitetet pakicë. Bëhet fjalë për saktësisht 179 nxënës (11 romë, 149 ashkalinj dhe 19 egjiptianë).

Duke u bazuar nga të dhënat e ASK, përfaqësim jo i madh vërehet edhe te numri i mësimdhënësve, ku nga 22 mijë e 620 mësimdhënës, veç 27 janë romë, ashkalinj dhe egjiptianë. 

Zgjidhja – Plani?

Marrë për bazë që problemet po vijojnë që të jenë të njëjtat, Veshall thotë që zgjidhja për këto komunitete është ndërtimi i një plani më gjithëpërfshirës infrastrukturor.

Zgjidhja është plani. Një plan tjetër infrastrukturor për komunitetet. Një plan i ri i banimit. Unë e kam shkruajtur një platformë në shkurt që ka qenë pak më gjithëpërfshirëse. Ka qenë platformë luksi, duke i futur edhe disa gjëra përtej nevojave primare të komunitetit. 

Në platformën e dytë e kemi futur bazën kryesore, banimin, si për shembull në Gjilan njerëzit kanë probleme me banim. Nuk po flasim më për ujë. Po flasim për banim. Nuk kanë shpija. Ka nevojë për ndërtimin e shtëpive. Pra kjo neve na shtynë që të mendojmë për qeverisjen e ardhshme”, theksoi ai. 

Veshall thotë se gatishmëria nga shteti për të ndihmuar ekziston, por mungon një vullnet brenda komuniteteve për t’i shtyrë këto gjëra edhe më shumë.

Si përfundim, Fatlum Kryeziu nga Romaversitas u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të angazhohen për ta rregulluar situatën, pasi – sipas tij, kjo është për të mirën e gjithë vendit. 

Duhet kërkuar nga të gjithë që të angazhohen për ta ndrequr gjendjen. Kjo është thirrje edhe për njerëzit që nuk kanë ndonjë funksion shtetëror dhe nuk janë pjesë e komuniteteve. Ndihma ndaj komuniteteve është ndihmë ndaj të mirës së përgjithshme”, përfundoi ai. 

Pa përfaqësim, s’ka drejtësi klimatike

Integrimi i komuniteteve pakicë nuk është çështje sociale, është kusht minimal që politikat klimatike të funksionojnë në terren.

Në fund, pyetja që mbetet pezull është e thjeshtë, por e rëndë: a po i integron Kosova mjaftueshëm komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, jo vetëm në retorikë, por në planifikim real, buxhetim dhe vendimmarrje? Nëse një komunitet nuk përfaqësohet në tavolinat ku hartohen planet dhe masat, atëherë si mund të njihen nevojat e tij reale gjatë përmbytjeve, valëve të të nxehtit, ndotjes së ajrit apo mungesës së ujit?

Kjo nuk është vetëm dilemë lokale. IPCC vëren se vulnerabiliteti ndaj ndryshimeve klimatike lidhet ngushtë me pabarazinë dhe margjinalizimin dhe se rreth 3.3 deri 3.6 miliardë njerëz në botë jetojnë në kontekste “shumë të cenueshme” ndaj ndryshimeve klimatike. Në këtë kuptim, komunitetet që tashmë përballen me varfëri, segregim hapësinor dhe qasje të kufizuar në shërbime bazike, janë zakonisht të parët që goditen dhe të fundit që mbrohen.

Nëse institucionet flasin për “plane veprimi klimatik”, pa përfshirje reale të këtyre komuniteteve, rreziku është që politikat të mbeten “teoria e qendrës”, ndërsa ekspozimi të mbetet “praktika e periferisë”. Udhëzimet e UNFCCC për Action for Climate Empowerment (ACE) theksojnë se pjesëmarrja duhet të jetë e gjerë dhe e barabartë, me vëmendje të veçantë që grupeve të margjinalizuara t’u jepet zë. Po ashtu, udhëzimet teknike të UNFCCC për proceset e adaptimit (NAP) theksojnë rëndësinë e pjesëmarrjes kuptimplotë dhe konsultimit të grupeve vulnerabël dhe të margjinalizuara.

Në praktikë, kjo nënkupton diçka shumë konkrete, përfaqësim të komuniteteve në hartimin e planeve komunale të emergjencave; informim të qasshëm edhe në gjuhët që komunitetet i kuptojnë dhe masa infrastrukturore që nuk i “depozitojnë” njerëzit pranë ndotjes, deponive, lumit apo rrezikut të përmbytjeve. Pa këto elemente, integrimi mbetet formal, ndërsa rreziku mbetet i përditshëm.

Dhe kur rreziku rritet, lëvizja bëhet e pashmangshme: Banka Botërore paralajmëron se ndryshimet klimatike mund të shtyjnë deri në 216 milionë njerëz të migrojnë brenda vendeve të tyre deri në vitin 2050. Në Kosovë, kjo logjikë përkthehet në një pyetje tjetër kritike, nëse komunitetet tashmë të cenuara mbeten pa mbrojtje dhe pa zë, a po krijojmë kushte që rreziku të shndërrohet në zhvendosje, varfëri urbane dhe kriza të reja sociale?

Në një vend ku komunitetet ende luftojnë për banim, ujë, shëndet dhe informim, çdo strategji klimatike pa përfaqësimin e tyre rrezikon të jetë plan “për ta”, por jo “me ta”. Dhe pa këtë “me ta”, politika nuk bëhet zgjidhje, bëhet një tjetër formë e heshtjes institucionale.

Lexoni më shumë për mjedisin dhe politikat e qëndrueshme këtu.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Mbështetje për Mediat e Vogla në Ballkanin Perëndimor, i zbatuar nga Kosovo Glocal / Kosovo 2.0. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet, opinionet ose vlerat e Bashkimit Evropian apo të Kosovo Glocal / Kosovo 2.0.

Shpërndaje:

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Telegram
Email