Kronologjia: Vërshimet e janarit 2026 në Kosovë – Çka mësuam

Analizuan: Jeta Berisha dhe Fisnik Dajakaj

Prishtinë, janar 2026 — Reshjet e pandërprera të shiut në ditët e para të janarit shkaktuan një valë vërshimesh të lokalizuara në shumë komuna të Kosovës, duke ekspozuar edhe një herë dobësitë strukturore të menaxhimit të rrezikut klimatik, planifikimit urban dhe kapaciteteve të reagimit emergjent. Përmbytjet prekën banesa, biznese, infrastrukturë rrugore, furnizim me ujë të pijshëm dhe energji elektrike, si dhe ndikuan drejtpërdrejt në jetën publike dhe procesin arsimor.

Edhe pse institucionet raportuan se situata ishte “e menaxhueshme”, realiteti në terren tregoi një kombinim të rrezikshëm ndërmjet intensitetit të reshjeve dhe ndërhyrjeve njerëzore të pakontrolluara në hapësirë, që amplifikojnë çdo episod ekstrem moti.

Si u zhvillua situata?

Më 3–5 janar, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjatë periudhës 3–5 janar u regjistruan reshje të vazhdueshme që rritën ndjeshëm prurjet në pellgjet kryesore ujore, veçanërisht në zonat e Drinit të Bardhë dhe degëzimeve të tij. Paralajmërimet për rritje të niveleve të lumenjve u shoqëruan me thirrje për kujdes të shtuar në zonat e ekspozuara ndaj vërshimeve.

Më 6 janar, situata u përkeqësua në disa komuna të vendit. U raportuan vërshime në zona të Gjakovës, Junikut, Deçanit, Malishevës, Rahovecit, Klinës, Fushë Kosovës, Drenasit, Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skenderajt. Në disa raste, uji depërtoi në oborre, bodrume dhe rrugë urbane, duke vështirësuar qarkullimin dhe duke dëmtuar prona private.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent njoftoi për ndërhyrje operative në terren dhe për kërkesa për evakuim të mbi 20 familjeve në Gjakovë, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës. Paralelisht, në disa zona u ndërprenë përkohësisht furnizimet me energji elektrike për arsye sigurie, për shkak të rrezikut në nënstacione dhe rrjetet shpërndarëse.

Po atë ditë, kryeministri Albin Kurti deklaroi se situata ishte nën kontroll, duke shtuar se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Infrastrukturës kishin dalë në terren për të mbështetur reagimin lokal. Deklarata u mbështet edhe nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili theksoi se qytetarët ishin evakuuar nga zonat me rrezik. Policia e Kosovës u bëri thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe respektim të udhëzimeve zyrtare. Ndërkohë, Agjencia e Menaxhimit Emergjent paralajmëroi se situata mbetej dinamike dhe se mund të kishte vërshime të reja nëse reshjet vazhdonin.

Më 7 janar, në disa komuna u shpall gjendje e jashtëzakonshme lokale, ndërsa përmbytjet sollën probleme serioze në furnizimin me ujë të pijshëm për shkak të turbullirave të larta, ndotjes së burimeve dhe rrëshqitjeve përgjatë sistemit të Ibër-Lepencit. Në një njoftim publik,

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK) bëri të ditur se uji ishte i sigurt për konsum vetëm në Gjilan, Gjakovë dhe Ferizaj, ndërsa në komunat e tjera rekomandohej përdorimi i ujit vetëm pas vlimit ose shmangia e tij për konsum direkt.

Paralelisht, ujësjellësit rajonalë raportuan vështirësi teknike në trajtimin e ujit për shkak të rritjes së ndotjes në burime dhe paqëndrueshmërisë së terrenit furnizues, duke reduktuar presionin në rrjet ose duke ndërprerë përkohësisht furnizimin në disa lagje. Si masë emergjente, në disa zona u aktivizuan autobotet dhe institucionet dhanë udhëzime për përdorimin e kujdesshëm të ujit.

Po atë ditë, presidentja Vjosa Osmani vizitoi komunën e Gjakovës dhe familjet e prekura nga përmbytjet, duke bërë thirrje për koordinim institucional dhe vigjilencë në menaxhimin e situatës. Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, deklaroi se gjendja mbetej alarmante dhe se ishin identifikuar qindra zona me rrezik përmbytjeje, ndërsa Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkoi krijimin e një fondi emergjent për përballimin e pasojave.

Kjo situatë krijoi presion të drejtpërdrejtë mbi familjet, institucionet publike dhe sektorin shëndetësor, duke ekspozuar vulnerabilitetin e sistemit të furnizimit me ujë ndaj ngjarjeve ekstreme klimatike dhe mungesën e kapaciteteve rezervë për menaxhim emergjent, një reflektim i qartë i një modeli reagimi reaktiv dhe jo i një sistemi të ndërtuar mbi parime të reziliencës afatgjatë. Si pasojë e kushteve të rrezikshme në terren dhe rrezikut për nxënësit dhe stafin arsimor, Ministria e Arsimit vendosi shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë deri më 12 janar.

Po të njëjtën datë erdhi edhe reagimi i ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, që deklaroi se FSK është e gatshme të reagojë pas vërshimeve në Kosovë, duke shtuar se institucionet përgjegjëse janë në koordinim të vazhdueshëm dhe të gatshëm për t’u dalë në ndihmë qytetarëve. 

Më 8 janar Agjencia e Menaxhimit Emergjent njoftoi se niveli i ujit në lumenjtë kryesorë kishte filluar të bjerë, duke sinjalizuar një përmirësim dhe stabilizim gradual të situatës hidrologjike pas ndërprerjes së reshjeve dhe kalimit të tyre në borë. Megjithatë, në Mitrovicë dhe rajonet përreth ende nuk kishte furnizim të rregullt me ujë të pijshëm, ndërsa në komunat e tjera furnizimi mbetej i kufizuar dhe jo tërësisht i sigurt për konsum. Në disa zona vazhduan evakuimet preventive, përfshirë raste në Mitrovicë, ku familje të tëra u zhvendosën përkohësisht për arsye sigurie. Kalimi i reshjeve në borë krijoi një kontekst të ri operacional për menaxhimin e rrezikut.

Një ditë më vonë (9 janar), reshjet e shiut u rikthyen, duke shkaktuar rritje të reja të niveleve të ujit dhe vazhdim të përmbytjeve në disa qytete, veçanërisht në Mitrovicë dhe Fushë-Kosovë. Në Mitrovicë, lagjja “2 Korriku” u përfshi pothuajse e tëra nga uji dhe evakuimi i banorëve drejt zonave më të sigurta vazhdoi edhe gjatë 9 janarit, ndërsa në Fushë-Kosovë niveli i lartë i ujit përmbyti oborret e shtëpive dhe rrugët qarkulluese, duke krijuar vështirësi serioze në lëvizje dhe akses. Pikërisht gjatë kësaj dite, për disa orë u bllokuan edhe rrugët e Drenasit që lidhnin fshatin Komoran me Prishtinën. Në mesditën e vonë, reshjet kaluan në borë, duke krijuar rrezik të ri për ngrica dhe vështirësi shtesë në komunikacion.

Më 10 janar, në Fushë-Kosovë vazhdoi gjendja e rëndë, si pasojë e reshjeve të shiut që nuk ndaleshin. Lagjja “Haki Bajrami” ishte ende e përfshirë nga uji dhe po shkaktonte probleme për lëvizje të qytetarëve dhe për shtëpitë e tyre. Në këtë ditë pati kolona të gjata në autostradën Prishtinë-Pejë, për shkak të nivelit të lartë të ujit në Sllatinë, si pikë tranziti në mes të dy qyteteve.

Në Drenas disa biznese u morën nga uji, teksa pati bllokim të rrugëve Drenas-Guri i Plakës, Drenas-Kroi i Mbretit, Shtrubullovë-Korroticë e Ulët dhe të rrugës që lidh Komoranin I me Komoranin II. Kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci, u bëri thirrje qytetareve t’i shmangin daljet e paarsyeshme, vecanërisht në atë që njihet si “Ura e Senikëve”, që lidh fshatrat Korroticë e Poshtme-Shtrubullovë.

Probleme u shfaqën edhe në Malishevë, ku doli nga shtrati lumi Mirusha, duke vështirësuar qarkullimin për shumë zona. 

Telashe pati edhe në autostradën Prishtinë-Ferizaj, që për  disa orë nuk ishte e përshkrueshme, si pasojë e nivelit të lartë të ujit. 

Reshjet e shiut që nuk pushonin shkaktuan rëshqitje të dheut në Prizren, saktësisht në fshatrat Gjonaj, Tupec, Randobravë, Lubtinë e Epërme, Lubtinë e Poshtme, Lokvicë, Piranë, Zojz dhe Sërbicë.

Probleme qarkullimi si pasojë e shiut të madh ka pasur në Gjilan, e në Suharekë, me c’rast organet kompetente kanë bërë thirrje që të shmangen lokacione të caktuara. 

Në Mitrovicë, objekti i QKMF-së u përfshi në ujë, teksa pati vërshime edhe te kompleksi “Amina”.

Nga vërshimet është përfshirë edhe Prishtina, ku lagje në si Bregu i Diellit e Hajvali patën probleme qarkullimi.

Më 11 janar, u raportua stabilizim i përgjithshëm i situatës dhe filloi vlerësimi i dëmeve në pothuajse të gjitha komunat e prekura. Këtë ditë pati disa nënkalime dhe rrugë të përmbytura në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë.

Marrë parasysh dëmet e shkaktuara paraprake, në Mitrovicë, Malishevë dhe Drenas mësimi u shty për dy ditë, teksa në Fushë-Kosovë për një javë.

Çfarë u prek realisht?

Vërshimet nuk prodhuan vetëm dëme fizike të dukshme, por prekën drejtpërdrejt funksionimin social, ekonomik dhe institucional të shumë komuniteteve në vend.

Dhjetëra familje u detyruan të largohen përkohësisht nga shtëpitë e tyre për arsye sigurie, ndërsa shumë të tjera u përballën me dëme strukturore dhe materiale, përfshirë përmbytje të bodrumeve, shkatërrim të pajisjeve shtëpiake, humbje të ushqimit dhe dëmtime të instalimeve elektrike. Për familjet me të ardhura të ulëta, këto humbje nuk përfaqësojnë vetëm kosto financiare, por rrezik real për sigurinë, shëndetin dhe stabilitetin social, pasi mungojnë rezervat ekonomike dhe mekanizmat mbrojtës për një rimëkëmbje të shpejtë.

Bllokimi i rrugëve urbane dhe lokale nga uji, balta dhe mbeturinat e bartura nga prurjet ndërpreu qarkullimin normal dhe kufizoi aksesin në shërbime bazike, duke vështirësuar njëkohësisht ndërhyrjet emergjente dhe lëvizjen e qytetarëve. Në disa zona, mjetet e ndihmës së shpejtë u detyruan të devijojnë ose të presin, duke zgjatur kohën e reagimit dhe duke rritur rrezikun për situata që kërkojnë asistencë të menjëhershme.

Ndërprerjet e përkohshme të energjisë elektrike, të ndërmarra kryesisht për arsye sigurie, ekspozuan ndjeshmërinë e infrastrukturës kritike ndaj përmbytjeve dhe varësinë e lartë të shërbimeve publike nga rrjete të pambrojtura. Kufizimet në furnizimin me ujë të pijshëm, të shkaktuara nga turbullirat dhe ndotja e burimeve, krijuan presion shtesë mbi shëndetin publik dhe kërkuan ndërhyrje emergjente për sigurimin e ujit alternativ, veçanërisht për familjet me fëmijë, të moshuar dhe persona me sëmundje kronike.

Shtyrja e procesit mësimor dhe ndërprerja e përkohshme e aktiviteteve ekonomike reflektuan efektet zinxhirore të krizës në jetën e përditshme dhe në stabilitetin financiar të familjeve. Prindërit u detyruan të qëndrojnë në shtëpi për arsye sigurie dhe kujdesi familjar, bizneset lokale humbën ditë pune dhe të ardhura, ndërsa zinxhiri i shërbimeve u fragmentua, duke prodhuar kosto indirekte që shpesh nuk reflektohen në vlerësimet zyrtare të dëmeve.

Edhe pse nuk u raportuan humbje jete, vërshimet nxorën në pah pabarazitë ekzistuese sociale dhe territoriale. Komunitetet që jetojnë në zona të ulëta, pranë lumenjve ose në lagje me infrastrukturë të dobët mbeten disproporcionalisht të ekspozuara ndaj rrezikut, ndërsa për këto familje çdo episod ekstrem moti përkthehet në pasiguri të përsëritur, stres psikologjik dhe thellim të cenueshmërisë socio-ekonomike.

Deri në stabilizimin e situatës, institucionet nuk publikuan një vlerësim të konsoliduar dhe të detajuar të dëmeve materiale, çka e bën të vështirë kuptimin e përmasës reale ekonomike të krizës. Deklaratat komunale dhe raportimet nga terreni flisnin për dëmtime në banesa, rrugë lokale, sisteme të kanalizimit, toka bujqësore dhe pajisje të bizneseve të vogla, por pa një inventar të unifikuar dhe transparent të humbjeve. Kjo mungesë e të dhënave të strukturuara jo vetëm që pengon planifikimin e rimëkëmbjes dhe kompensimit, por krijon edhe një boshllëk llogaridhënieje për investimet preventive që nuk janë realizuar në kohë. Në mungesë të një mekanizmi të rregullt për vlerësimin ekonomik të fatkeqësive klimatike, dëmet reale rrezikojnë të mbeten të nënvlerësuara dhe të zhvendosen gradualisht mbi barrën financiare të familjeve dhe bizneseve lokale.

Klima nuk është më abstrakte

Në diskursin publik në Kosovë, vërshimet shpesh trajtohen si “fatkeqësi natyrore” të izoluara. Por realiteti shkencor dhe përvoja ndërkombëtare tregojnë se intensifikimi i reshjeve, zhvendosja e stinëve dhe rritja e frekuencës së episodeve ekstreme janë tregues të qartë të ndryshimeve klimatike.

Edhe kur një episod i vetëm shiu nuk mund t’i atribuohet drejtpërdrejt klimës, ajo që ndryshon është shkalla e rrezikut dhe përmasat e dëmit. Një sistem urban i pa planifikuar, me kanale të bllokuara, ndërtime pa kriter në zona përmbytëse dhe mungesë mirëmbajtjeje të shtretërve të lumenjve, e shndërron çdo reshje intensive në krizë.

Me fjalë të tjera: klima e re ekspozon dobësitë e vjetra.

Dimensioni njerëzor i krizës

Raportimet nga terreni nxorën në pah edhe një problem social dhe institucional: komunikimin e pamjaftueshëm të rrezikut dhe rezistencën e disa qytetarëve për të pranuar evakuimin, edhe kur situata konsiderohet e rrezikshme. Kjo tregon mungesë besimi, mungesë informacioni të qartë dhe mungesë kulture të menaxhimit të fatkeqësive.

Në të njëjtën kohë, reagimi institucional u fokusua kryesisht në menaxhimin e pasojave, jo në adresimin e shkaqeve strukturore që e prodhojnë ciklikisht këtë krizë.

Çfarë duhet të ndryshojë?

Vërshimet e janarit 2026-të nuk duhet të trajtohen si një incident i izoluar apo si një episod sezonal që kalon me tërheqjen e ujit, sepse përfaqësojnë sinjal të qartë strategjik për nevojën urgjente të reformimit të mënyrës se si Kosova planifikon hapësirën, menaxhon rrezikun dhe ndërton reziliencë klimatike. Çdo reagim që mbetet vetëm në nivel emergjence, pa adresuar shkaqet strukturore, e riprodhon të njëjtën krizë në cikle të reja.

Hapi i parë duhet të jetë një hartëzim kombëtar i detajuar i zonave të rrezikut nga përmbytjet, i bazuar në të dhëna hidrologjike, klimatike dhe urbane, i përditësuar rregullisht dhe i aksesueshëm për publikun, komunat dhe investitorët. Pa transparencë territoriale, vendimmarrja mbetet intuitive, gjysmake dhe shpesh e ekspozuar ndaj presioneve ekonomike afatshkurtra.

Paralelisht, kërkohet një auditim teknik dhe institucional i infrastrukturës së ujërave atmosferike dhe shtretërve të lumenjve, sidomos në zonat urbane dhe periferike ku ndërhyrjet njerëzore kanë ndryshuar rrjedhat natyrore. Kanalizimet e bllokuara, betonizimi i përrenjve, ndërhyrjet pa standarde dhe mungesa e mirëmbajtjes janë faktorë që e transformojnë reshjen intensive në përmbytje të menjëhershme.

Një reformë reale nuk mund të shmangë as dimensionin e planifikimit urban dhe të drejtës së pronës. Legalizimi i ndërtimeve në zona përmbytëse ose pranë shtretërve lumorë duhet të ndalet, sepse kjo praktikë jo vetëm që rrit ekspozimin e qytetarëve ndaj rrezikut, por edhe i transferon kostot e dëmeve nga individët tek buxheti publik dhe sistemi emergjent.

Në aspektin e shërbimeve kritike, është e domosdoshme forcimi i protokolleve të furnizimit emergjent me ujë dhe energji, me plane të qarta rezervë, zinxhirë të qëndrueshëm furnizimi dhe komunikim transparent me qytetarët. Krizat e ujit dhe energjisë ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin publik, stabilitetin social dhe besimin institucional.

Një komponent po aq i rëndësishëm është edukimi publik për reagim ndaj krizave klimatike. Qytetarët duhet të kenë informacion të qartë se si të veprojnë gjatë përmbytjeve, si të interpretojnë paralajmërimet dhe pse evakuimi është masë mbrojtëse, jo dështim personal. Pa ndërtimin e një kulture të reziliencës dhe disiplinës kolektive, edhe sistemet më të mira teknike mbeten të brishta.

Në fund, të gjitha këto masa duhet të integrohen në mënyrë reale, jo deklarative në politikat e planifikimit territorial, buxhetimit publik dhe investimeve infrastrukturore, duke e trajtuar adaptimin klimatik si prioritet zhvillimor dhe jo si shtesë marginale. Rezilienca nuk ndërtohet me projekte të fragmentuara, por me vizion afatgjatë, koordinim institucional dhe përgjegjësi politike.

Kosova nuk ka më luksin ta konsiderojë klimën si një sfidë të së ardhmes. Ajo tashmë po manifestohet në oborret, shtëpitë, rrugët dhe ekonomitë lokale të qytetarëve.

Pyetja nuk është më nëse do të ketë vërshime të tjera, por nëse sistemi ynë institucional, urban dhe social do të jetë i përgatitur për t’i përballuar ato me dinjitet, siguri dhe drejtësi.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Mbështetje për Mediat e Vogla në Ballkanin Perëndimor, i zbatuar nga Kosovo Glocal / Kosovo 2.0. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet, opinionet ose vlerat e Bashkimit Evropian apo të Kosovo Glocal / Kosovo 2.0.

Shpërndaje:

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Telegram
Email