Festivali i parë mjedisor në Kosovë, Green Fest: 15 vjet art & dashni për Tokën

Mitrovicë – Në një epokë ku krizat mjedisore janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë, Green Fest – festivali i parë i gjelbër në Kosovë, po vie për të 15-in vit, me datë 13-17 gusht 2025, me një mesazh më aktual se kurrë më parë: të mbrojmë jetën në Tokë përmes fuqisë së artit dhe kulturës.

Shkruan: Platforma360

Në një qytet që shpesh përmendet vetëm në rreshtat e ftohtë të kronikave politike, ku zhurma institucionale e ka lënë në hije zërin e komunitetit – Mitrovica, me të gjitha plagët e saj të pashëruara, ka lindur një festival që po i jep jetë shpresës. Green Fest, i nisur nga një organizatë dikur lokale, e sot e përtej kufijve, e quajtur 7 Arte, është rritur si një bimë që çan asfaltin me rrënjë që mbajnë barrën e historisë, krizës dhe harresës, por me degë që ngrihen lart drejt dritës së së ardhmes. Në një vend ku arti rrallë shihet si shpëtim, ky festival po e rikthen Mitrovicën në hartën e kujtesës kolektive, jo për konfliktin, por për kulturën, kreativitetin dhe ekologjinë. Një zgjim i ngadalshëm, por i fuqishëm, që po frymëzon të gjithë Kosovën nga një qytet që duhet të rikthehet në djepin e kulturës siç ka qenë.

Sot, ky festival është bërë një pikë referimi kulturor dhe qytetar në agjendën mjedisore të vendit.

Fokusi i sivjetëm, “Jeta në Tokë” – SDG 15

Edicioni i 15-të i Green Fest i kushtohet Objektivit të 15-të për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG 15): mbrojtjes së ekosistemeve tokësore, pyjeve, biodiversitetit dhe tokave bujqësore. Duke ngritur zërin për ndalimin e shkatërrimit të habitatit dhe rënies së biodiversitetit, festivali bën thirrje për një marrëdhënie më të drejtë me natyrën që na mban gjallë.

Arti që proteston, edukon dhe ndërton

Green Fest nuk është vetëm një festival, por një lëvizje qytetare që ka sjellë për 15 vite me radhë performanca artistike, ekspozita vizuale, koncerte, diskutime publike, punëtori edukative, projekte në natyrë dhe fushata ndërgjegjësimi, të gjitha të bashkuara rreth një ideje të thjeshtë, por të fuqishme: kultura mund të ndryshojë botën.

Përmes artit si medium ndërveprues dhe frymëzues, festivali ka ndikuar në formësimin e një brezi të ri qytetarësh të vetëdijshëm për krizën klimatike dhe sfidat mjedisore.

Edhe këtë vit, ky festival, i pari i llojit në Ballkanin Perëndimor, do të befasojë me agjendën dhe përkrahjen që ka marrë.

7 Arte – nga Mitrovica për gjithë Kosovën

Organizata 7 Arte, që qëndron pas këtij festivali që nga viti 2006, ka ndërtuar një model të qëndrueshëm dhe të përkushtuar të aktivizmit artistik dhe mjedisor. E vendosur në zemër të Mitrovicës, ajo e ka kthyer qytetin në një qendër të përvitshme të reflektimit dhe veprimit ekologjik. Green Fest është dëshmi e asaj se kur komuniteti lokal, artistët dhe qytetarët bashkohen për një kauzë të përbashkët, ndryshimi është i mundur dhe i prekshëm.

Green Fest është bërë memorie kolektive, frymëzim për brezat e rinj dhe model i përfshirjes komunitare në çështjet më jetike të kohës. Me çdo vit që kalon, ai jo vetëm rritet, por thellon edhe më shumë rrënjët e tij në ndërgjegjen shoqërore për të ruajtur atë që kemi më të çmuar: Tokën dhe jetën mbi të.

Shpërndaje:

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Telegram
Email