🇽Ndërkohë që Bashkimi Evropian ka nisur zbatimin gradual të Mekanizmit të Rregullimit të Kufirit për Karbonin (CBAM), vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, përballen me presionin për të vendosur rregulla të ngjashme për dekarbonizimin. Por çfarë ndodh nëse këto vende vendosin ta shtyjnë zbatimin e CBAM? Dhe a ndikon kjo në ekonominë e tyre, veçanërisht për eksportuesit që synojnë tregun evropian?
Disa CBAM e vlerësojnë sinjë masë njëanshme e BE-së, që do të thotë se nuk kërkon që vendet jashtë BE-së të zbatojnë ndonjë politikë specifike, por çdo produkt që hyn në tregun e BE-së duhet të paguajë një tarifë karboni, nëse prodhimi i tij ka ndotur më shumë sesa standardet e BE-së.
Kjo do të thotë se:
Edhe nëse Kosova ose një vend tjetër i Ballkanit Perëndimor nuk e zbaton CBAM-in vetë, bizneset e tyre që eksportojnë në BE do të detyrohen të paguajnë CBAM.
Kush paguan dhe ku shkojnë paratë?
- Paguan eksportuesi ose importuesi në BE: Në praktikë, importuesit në BE do të duhet të blejnë certifikata CBAM, të cilat mbulojnë emetimet e karbonit të produkteve që vijnë nga jashtë. Shpesh, kjo kosto do t’i bartet prodhuesve në vendet e treta, duke i bërë ata më pak konkurrues.
- Paratë shkojnë në buxhetin e BE-së: Të ardhurat nga CBAM do të grumbullohen në Bruksel dhe do të përdoren për financimin e tranzicionit të gjelbër të BE-së, përfshirë teknologjitë e pastra dhe mbështetjen për sektorët më të cenueshëm. Vendet si Kosova nuk përfitojnë asgjë drejtpërdrejt nga këto taksa, ndonëse eksportuesit e tyre po penalizohen financiarisht.
Pasojat për vendet që shtyjnë zbatimin
Humbje ekonomike për eksportuesit: Kompanitë kosovare që eksportojnë çelik, çimento, alumin apo produkte të ngjashme drejt BE-së do të jenë në disavantazh, sepse kostoja e karbonit do t’i bëjë produktet e tyre më të shtrenjta dhe më pak konkurruese. Asnjë kontroll mbi të ardhurat: Nëse Kosova nuk vendos një sistem të brendshëm të ngjashëm me ETS (treg për emetimet), nuk do të mund të grumbullojë të ardhura nga karboni për zhvillim të gjelbër apo mbështetje të industrive vendore. BE-ja i grumbullon taksat, por përfiton vetë. Humbje e investimeve të mundshme: Investitorët ndërkombëtarë që kërkojnë vende me politika klimatike të përputhshme me BE-në mund të shmangin Kosovën nëse ajo shihet si “zonë gri” në aspektin e taksave mjedisore dhe rrezikut të CBAM. Vonesa në tranzicionin e gjelbër: Pa presionin e politikave si CBAM, vendet që nuk veprojnë rrezikojnë të mbeten prapa në procesin e dekarbonizimit dhe teknologjive të pastra.
Çfarë mund të bëjë Kosova?
- Zbatim i një sistemi kombëtar për karbonin – Nëse Kosova krijon një sistem të vetin për të vlerësuar dhe taksuar emetimet e karbonit sipas standardeve të BE-së, kjo mund të ulë ose eliminojë tarifat CBAM për eksportet e saj në BE.
- Marrëveshje me BE-në për integrim në tregun e karbonit – Ashtu siç po bëjnë disa vende të tjera të rajonit, Kosova mund të kërkojë të integrohet gradualisht në sistemin ETS të BE-së.
- Mbështetje për industrinë vendore – Për të shmangur dëmtimin ekonomik, qeveria duhet të ofrojë mbështetje financiare, trajnime dhe teknologji të pastër për eksportuesit që do të preken nga CBAM.
CBAM nuk mund të injorohet. Edhe nëse Kosova nuk e zbaton vetë, efektet e tij do të ndihen fuqishëm në tregun dhe industrinë vendore. Mosveprimi nënkupton që:
- Bizneset tona paguajnë,
- BE-ja përfiton,
- Ndërsa ekonomia dhe mjedisi i i Kosovës mbesin në vendnumëro.



