Amsterdami hyn në histori si kryeqyteti i parë që ndalon reklamat për mishin në hapësira publike

Amsterdami është bërë kryeqyteti i parë në botë që ka votuar për ndalimin e reklamimit të mishit në hapësira publike, në një hap historik që synon të mbështesë ushqyerjen më të shëndetshme dhe reduktimin e emetimeve që ndikojnë në ndryshimet klimatike.

Kryeqyteti holandez ka miratuar ndryshime në aktet e tij nënligjore lokale, duke ndaluar reklamat si për produktet e mishit ashtu edhe për lëndët djegëse fosile në hapësira publike, si billboard-et dhe stacionet e autobusëve, me qëllim që hapësirat publike të jenë në përputhje me objektivat klimatike dhe shëndetësore të qytetit.

Të enjten, më 22 janar, këshilltarët komunalë votuan për të ndryshuar Rregulloren e Përgjithshme Lokale (APV), duke formalizuar kufizime që më parë ishin zbatuar përmes marrëveshjeve vullnetare me kompanitë e reklamimit që nga viti 2020.

Propozimi u paraqit bashkërisht nga partitë GroenLinks (E Majta e Gjelbër) dhe Partia për Kafshët, dhe u miratua me 27 vota nga gjithsej 45 vende në Këshillin Komunal të Amsterdamit.

Amsterdami i bashkohet komunave të tjera holandeze si Utrehti dhe Zwolle, të cilat në vitin 2023 vendosën të ndalonin reklamat për mishin dhe karburantet fosile në autobusë, strehimore dhe ekrane të dukshme në hapësira publike, për shkak të ndikimit në shëndet dhe klimë. Po ashtu, qytete si Haga, Delfti dhe Nijmegeni kanë futur tashmë ndalime të ngjashme, por Amsterdami është i pari kryeqytet që miraton ndalim specifik për reklamat e mishit.

Ndalimi pritet të përfshijë reklamat për mishin, udhëtimet ajrore, kroçerat dhe automjetet me karburant fosil në hapësira publike. Megjithatë, tregtarët do të lejohen të reklamojnë produktet e tyre brenda ambienteve të veta, çka do të thotë se posterët dhe materialet promocionale brenda dyqaneve nuk do të preken nga kjo masë.

Shpërndaje:

Facebook
LinkedIn
WhatsApp
Telegram
Email