Fotografia: Driton Paçarada
Prishtinë, 6 janar 2026 — Reshjet e pandërprera të shiut gjatë dy ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime lokale në disa zona të Kosovës, kryesisht në pjesën perëndimore të vendit, duke ngritur shqetësime për rritjen e niveleve të lumenjve dhe daljen e tyre nga shtrati.
Sipas njoftimit zyrtar të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, nga data 3 deri më 5 janar 2026 janë regjistruar reshje të konsiderueshme shiu në pellgun e Drinit të Bardhë, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e prurjeve ujore. Lumenj si Ereniku, Bistrica e Pejës, Bistrica e Deçanit dhe Lumi i Istogut kanë shënuar rritje të ndjeshme të niveleve, ndërsa në disa zona ka pasur dalje të ujit nga shtrati, veçanërisht në rrjedhat që burojnë nga Alpet Shqiptare.
Të dhënat e reshjeve tregojnë sasi të larta shiu në disa komuna dhe lokalitete: Juniku ka regjistruar mbi 230 mm reshje, Gllogjani mbi 150 mm, Radoniqi mbi 120 mm dhe Kuqishta mbi 130 mm, ndërkohë që edhe zona të tjera si Gjakova, Peja, Klina dhe Kijeva kanë pasur reshje të konsiderueshme. Këto sasi kanë tejkaluar mesataret sezonale, duke rritur rrezikun për vërshime të shpejta dhe lokale.
Matjet e fundit të niveleve të lumenjve, të bëra më 5 janar rreth orës 14:00, tregojnë se Ereniku në Gjakovë ka arritur nivelin prej 3.4 metrash (sipas matjes së 4 janarit), ndërsa Bistrica e Pejës dhe Lumi i Istogut kanë shënuar nivele rreth 1.6 metrash. Edhe pse disa nga këto nivele janë ende nën pragjet kritike, institucionet paralajmërojnë se situata kërkon vëmendje të shtuar.
Autoritetet kanë bërë të ditur se reshjet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me intensitet dhe intervale të ndryshme, çka mund të sjellë vërshime të tjera lokale, probleme në komunikacion, mbingarkesë të sistemeve të kanalizimit dhe vështirësi në trafik, sidomos në zonat pranë rrjedhave ujore.
Ndërkohë, lumenjtë kryesorë të vendit në pjesën qendrore, lindore dhe jugore, përfshirë Ibrin, Sitnicën, Lepencin dhe Moravën e Binçës, po shënojnë ngritje të lehta të niveleve të ujit, pa rrezik të menjëhershëm, por nën monitorim të vazhdueshëm.
Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre që jetojnë pranë lumenjve dhe përrenjve, të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara. Platforma360 do të vazhdojë të informojë publikun mbi zhvillimet e mëtejshme dhe masat parandaluese lidhur me situatën hidrometeorologjike në vend.



